E Diela XXXIII, e Doganierit & Fariseut, nga Mitropolitit te Apollonise & Fier, H. Nikolla, 13.02.2022 (Tekst)
“I vetmi vend në të cilin Zoti ka caktuar të bëhet flijimi, është përulësia”.
Tregohet të dashur besimtarë në historinë e popullit të Izraelit, popullit të zgjedhur të Perëndisë, kur ata ishin pak para pushtimit, zotërimit të tokës së premtuar Abrahamit nga vetë Perëndia dhe më pas gjithë patriarkëve, pasi kishin pushtuar një pjesë të tokës në Lindje të lumit Jordan.
Nga 12 fiset që kishte populli i Izraelit, dy e gjysem prej tyre mendun që të qëndronin në ato toka që ishin pushtuar në lindje të Jordanit dhe u thanë vëllezërve të tjerë që ti linin të jetonin në atë vend. Vëllezërit i lejuan familjet e tyre që të qëndronin atje por ata që ishin më të aftë duhet të luftonin për të fituar pjesët e tjera dhe për të ndihmuar vëllezërit e tjerë që edhe ata të zotëronin tokën e premtuar dhe, më pas të ktheheni në vendet tuaja , duke lënë kështu familjet tuaja, prindërit tuaj dhe bagëtitë tuaja.
Kështu bënë Izraelitët, shkuan ndihmuan vëllezërit e tyre dhe pasi ata u vendosën në territoret e caktuara dhe pasi u vendosën u kthyen tek familjet e tyre në lindje të Jordanit. Përpara se të vendoseshin në lumin Jordan ata ndërtuan një altar.
Kur mësuan vëllezërit e tjerë nga pjesa tjetër e Jordani që këta kishin ndërtuar një altar u mërzitën shumë dhe mblodhën të gjithë ushtrinë që të shkonin të luftonin kundër vëllezërve të tyre.
Përse?!
Sepse Perëndia e kishte urdhëruar Moisiun që Izraelitët do të kishin vetëm një altar dhe vetëm mbi këtë ata do të bënin flijimet e tyre. I vetmi altar do të ishte ai në tendën e Perëndisë ose në Tempullin e Perëndisë më pas. Kështu ata kishin shkelur një urdhëresë shumë të shenjtë të Perëndisë, prandaj vëllezërit e tyre u mërzitën shumë dhe thanë do të shkojmë ta prishim altarin dhe të kishin vetëm një, atë të cilin ka urdhëruar Perëndia.
Kur vajtën takuan vëllezërit, i thanë përse e bëtë një mëkat të madh në sy të Perëndisë tonë?! Ata i thanë që nuk bëmë një altar për të bërë flijime por bëmë një altar për të kujtuar që vëllezërit tanë në Perëndim me ata në Lindje të Jordanit, kanë diçka të përbashkët mes tyre, dhe ky altar do na kujtonte që ne jemi vëllezër. Jo që të bëjmë flijime. Ishte një altar përkujtimi që Izraelitët në Perëndim të Jordanit me ata të Lindjes ishin vëllezër,ishin të një populli.
I vetmi altar në të cilët izraelitët do të bënin flijimet e tyre dhe i vetmi altar që Perëndia do të pranonte flijimet e tyre.
Edhe ne të dashur besimtarë kemi një altar dhe vetëm një altar në të cilin Zoti pranon flijimet tona, pranon përkushtimin tonë, pranon sakrificat tona, pranon besimin tonë, pranon gjithë përkushtimin tonë te Zoti.
Dhe kush është ai altar, dhe i vetmi altar?!
Është përulësia! Një ava i shenjtë, ava Pimeni, shumë i shquar për veprën e murgjërisë thotë:” I vetmi vend në të cilin Zoti ka caktuar të bëhet flijimi, është përulësia”.
Nëse nuk ekziston përulësia, çfarëdo që bëjmë në jetën tonë ajo humbet të gjitha vlerat e saj. Çdo gjë tjetër humbet në jetën tonë, në përkushtimin tonë apo në jetën tonë të besimit, të përkushtimit tonë nëse ajo nuk është mbështetur në përulësinë tonë.
Dhe ne vazhdimisht vuajmë! Dhe ne vazhdimisht përpiqemi dhe nuk kemi bekime në jetën tonë sepse nuk kemi përulësi. Ne kërkojmë të ndryshojmë botën, por nuk ndryshojmë veten tonë. Ne kërkojmë që të tjerët të jenë të mirë, të përsosur, por nuk e kërkojmë diçka të tillë nga vetja jonë. Kur ne fillojmë nga vetja jonë, kur fillojmë me përulësinë, patjetër ajo do të ndikojë edhe tek të tjerët që na rrethojnë.
Tregonin për një murg të thjeshtë, e quanin Joani i shkurtër dhe thoshin etërit e atij manastiri për atë që ai e ka varur të gjithë manastirin në gishtin e tij të vogël sepse ishte njeri i përulur. I kishte bërë të gjithë vëllezërit e manastirit për vete sepse ishte i përulur. Vetëm me përulësinë ne mundet të fitojmë!
Ja kujtojmë pak paravolinë që dëgjuam në pjesën e Ungjillit të sotëm. Tagrambledhësi e përul veten e tij dhe thotë përpara Perëndisë : ” O Perëndi ji i mëshirë për mua mëkatarin”, nuk merret me asgjë tjetër ,me asnjë person tjetër. I kërkon Zotit falje për mëkatet dhe e kupton që është njeri i dobët dhe mëkatar. Krejt e kundërta ndodh me Fariseun. Ai në sy të të gjithë njërzve që të dukej dhe në sy të Perëndisë, që kishte bërë plot vepra të mira. Na thuhet që nuk ishte njeri i padrejtë, nuk kishte bërë keq njeriu, nuk ishte mashtrues, nuk ishte kurorshkelës imoral, madje ishte një njeri shumë shpresëtar. Ai kreshmonte dy herë në javë, ishte shumë bamirës, një të dhjetën e gjithë pasurisë ai e dhuronte, e megjithatë, megjithëse kishte këto të mira për shkak të krenarisë së tij, ai doli i padrejtësuar nga Perëndia. Ndërsa tagrambledhësi u drejtësua nga Perëndia.
Gjithashtu përulësia të dashur besimtarë na thotë Shën Siluani që është municioni jonë, armatimi ynë për të luftuar dhe për të fituar.
Nëpërmjet përulësisë ne vetëm mund të fitojmë thotë Shenjtori, dhe këtë armatim, këtë furnizim na jep Hiri i Perëndisë, kur ne kemi përulësinë atëherë vjen Hiri Perëndisë dhe bekon përpjekjen tonë.
Nëse nuk kemi përulësinë, e theksojmë përsëri, ne i humbasim të gjitha.
Sepse përulësia themelohet në vetë shembullin e Krishtit. Ai na thërret vazhdimisht dhe na thotë “Ejani të gjithë tek unë o ju të munduar dhe të lodhur, ejani tek unë që t’ju shplodh. Merni me vete zgjedhën time dhe mësoni që unë jam i përulur dhe i thyer në zemër.”(Mt. 11:28-29)
Të dashur besimtarë, sot fillojmë një përpjekje të re në jetën tonë të besimit. Na fut Kisha në një periudhë të re. Në atë periudhë parapërgatitore të kreshmëve të mëdha dhe fillon periudha e Triodit pikërisht me të dielën e sotme, të Tagrambledhësit dhe Fariseut dhe na përgatit dhe na nxit që të fillojmë përpjekjen tonë dhe të vazhdojmë jetën tonë me virtytin e përulësisë.
Le të përpiqemi me këtë virtyt që të vazhdojmë gjithë përpjekjen tonë dhe jo vetëm në këtë periudhë por gjithë jetën tonë në mënyrë që Zoti të na pranoj gjithë sakrificat tona dhe të na denjësoj që të shijojmë gjithë gëzimin e tij! Amin!