Mirënjohje dhe Falenderime për Kryepiskopin Anastas.
Sot, 4 nëntor, Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë ka ditëlindjen. Ndjenja kryesore që të pushton vetvetiu është mirënjohja dhe falënderimi për veprën e jashtëzakonshme që ai ka kryer në këto 30 vite, e cila ka kontribuuar për përparimin e gjithë vendit. Ringritja nga hiri ateist i Kishës sonë është një mrekulli e vërtetë e Perëndisë, ndaj të gjithë besimtarëve orthodhoksë dhe jo vetëm, i urojmë vite të bekuara dhe me shëndet. Perëndia i dhëntë vite të shumta në udhëheqje të Kishës sonë. Për shumë vjet, o Kryezot!
* * * * *
Anastas Janullatos, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, është Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës, Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës, Senator Nderi i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve – Salzburg, Austri. Ai ka kombinuar dijen, kërkimin dhe shkrimet teologjike me dëshminë, shërbimin baritor dhe përpjekjet e krishtera në fushën sociale.
Lindi në Pire, Greqi, më 4 nëntor 1929. Studioi teologji në Universitetin e Athinës nga viti 1947 deri më 1952, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera. Ai ndoqi studimet pasuniversitare në Historinë e Feve, Misionin dhe Etnologjinë në Universitetet e Hamburgut dhe Marburgut në Gjermani, me bursë të Fondacionit “Aleksandër von Humboldt”. Ai u bë doktor i Teologjisë (Th.D.) i Fakultetit Teologjik të Universitetit të Athinës (summa cum laude me çmim të veçantë) në vitin 1970. Flet greqisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe shqip; lexon në greqishten e vjetër, latinisht, italisht dhe spanjisht (ai ka studiuar edhe dy gjuhë afrikane).
Në fushën akademike
Ai ka qenë profesor i Historisë së Feve dhe Dekan i Fakultetit Teologjik të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës (1983-86). Ka qenë Anëtar Korrespondent i Akademisë së Athinës (1993-2005).
Ai studioi dhe njohu Induizmin, Budizmin, Taoizmin, Konfucianizmin, Islamin dhe Fetë afrikane në vende ku këto fe lulëzuan- në Indi, Tailandë, Sri Lanka, Kore, Japoni, Kinë, Kenia, Uganda, Tanzani, Meksikë dhe Karaibe.
Ai është nderuar me Doktoratura nderi të Teologjisë ose të Filozofisë nga 20 universitete ose Fakultete apo Departamente Universitare (Greqi, SHBA, Rumani, Qipro, Gjeorgji, Shqipëri dhe Itali). U nderua me titullin e Profesorit të Nderit të Fakultetit të Administrim Biznesit të Universitetit të Atikës Perëndimore (2020). Gjithashtu iu dha dekorata më e lartë shkencore e Universitetit Aristotelian të Selanikut, “Aristoteli i Artë” (2018).
Ai është autor i 24 librave (kërkime fetare, ese rreth hierapostullimit, spiritualitetit orthodhoks) dhe ka publikuar më tepër se 200 studime dhe artikuj me tema teologike e fetare. Librat dhe tekstet e tij janë përkthyer në 17 gjuhë (shih bibliografinë e bashkëngjitur).
Shërbesa në Kishë
Ai u hirotonis dhjak në vitin 1960, si prift më 1964, duke marrë edhe ofiqin e arkimandritit dhe u hirotonis episkop i Andrusës për të qenë Drejtori i Përgjithshëm i “Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë” në vitet 1972-91. Luajti rol nismëtar në ringjalljen e misioneve orthodhokse në vende të tjera, nga viti 1958 e në vazhdim. Ai ishte Kryepiskop në detyrë (Locum Tenens) i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupojës (Afrika Lindore: Kenia, Uganda, Tanzani), ku kreu një vepër të gjerë fetare dhe sociale. Në vitin 2009, u nderua si “Bamirës i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë dhe i gjithë Afrikës”.
Si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë (1992 e në vazhdim), në rrethana jashtëzakonisht të vështira, ia doli mbanë me sukses të ringrinte dhe rindërtonte Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që ishte shpërbërë krejtësisht për 23 vjet. Ai kreu një vepër të shumanshme në fushat e edukimit, kujdesit shëndetësor, të kulturës, ambientit si dhe në projekte humanitare, sociale dhe të mirëqenies. Për të krijuar vende të komunikimit shpirtëror midis njerëzve dhe me Perëndinë, ai ngriti 155 kisha të reja, restauroi 63 të vjetra dhe riparoi 160 kisha të dëmtuara. Për më tepër ai ndërtoi 70 ndërtesa të tjera, si shkolla, klinika dhe qendra rinore. Ai është përpjekur për të mbështetur pa u lodhur lehtësimin e tensioneve të shumta në Ballkan. Në vitin 2000, pas propozimit të 33 anëtarëve të Akademisë së Athinës dhe të shumë personaliteteve në Shqipëri, ai u nominua kandidat për çmimin Nobel.
Ai është zgjedhur vazhdimisht në pozicione të nderuara në drejtimin e organizatave ndërkombëtare. Pozicione të tilla si anëtar i Grupit Theologjit të Punës në Dialogun midis Këshillit Botëror të Kishave me Njerëz të Feve dhe Ideologjive të gjalla (DFI) (1974-83); Moderator i Komisionit të Misionit dhe Ungjillëzimit Botëror (1984-91); anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (ECRL) (2001-12); Zëvendëspresident i Konferencës së Kishave Evropiane (2003-2009), President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-13) dhe President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen (2006 e në vazhdim).
Ai është nderuar me 30 medalje dhe çmime nga shumë Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme, duke përfshirë këtu Kryqin e Madh të Urdhrit të Nderit të Republikës Greke (1997); Çmimin “Athinagora” për të Drejtat e Njeriut, Nju Jork (2001); Çmimin “për veprimtari të shquar në lidhje me unitetin e Popujve orthodhoksë” (Moskë, 2006); Medaljen e Gjergj Kastriot Skënderbeut të dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për “kontributin e tij në harmoninë fetare dhe bashkekzistencën paqësore në Shqipëri” (2010); çmimin Klaus Hemmerle të Lëvizjes Ndërkombëtare të Fokolarëve për përpjekjet e tij “për të qenë një ndërtues urash midis komuniteteve fetare dhe popujve të ndryshëm” Aahen, Gjermani (2020).
Kontributi i tij në teologji, në dëshminë e krishterë, në dialogun ndër të krishterë dhe ndërfetar dhe në bashkekzistencën paqësore të popujve dhe komuniteteve fetare është njohur ndërkombëtarisht.