Filloi viti i ri shkollor në indtitucionet arsimore të Kishës sonë.

Më 27 shtator, filloi mësimi në të gjitha shkollat e ngritura nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që funksionojnë brenda Fondacionit “Fryma e Dashurisë”. Këtë vit, mësimi nuk filloi online, por përsëri me rregulla e kufizime të diktuara nga situata pandemike që vazhdon ende. Kështu, është e detyrueshme që personeli arsimor të jetë plotësisht i vaksinuar, numri i nxënësve në klasa është i kufizuar etj.
Edukimi i brezave më të rinj, jo vetëm shpirtërisht nëpërmjet mësimeve të katekizmit, por edhe nëpërmjet institucioneve arsimore të ngritura nga Kisha, ka qenë gjithmonë një nga objektivat kryesorë të punës. E gjitha e bazuar mbi interesimin e veçantë, mundësitë e krijuara dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas.
Të parët i kishin hapur dyert kopshtet e arsimit parashkollor, të cilat frekuentohen në gjithë vendin nga rreth 700 fëmijë.
Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme këtë vit shkollor frekuentohen nga rreth 2000 nxënës, duke dëshmuar përsëri kërkesa në rritje për t’u regjistruar në to. Kjo jo vetëm për rezultatet e larta të arritura, por edhe për mjediset bashkëkohore të krijuara dhe disiplinën, që krijon qetësi e siguri.
Në të gjithë vendin nisi mësimi në këto institucione arsimore parauniversitare të ngritura nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë: Shkolla 9-vjeçare dhe shkolla e mesme “Protagonistët”, në Tiranë; shkolla 9-vjeçare dhe e mesme “Frymë Dashurie”, në Durrës; shkolla 9-vjeçare dhe shkolla e mesme në Gjirokastër; Liceu “Platon” në Korçë; shkolla e mesme profesionale dhe ajo e mesme e përgjithshme “Apostull Pavli” në Mesopotam dhe shkolla e mesme kishtare “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër.
Filloi viti i ri shkollor 2021