Hapet ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta” ku përmes dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit del në dritë një tjetër copëz e historisë rrënqethëse të viktimave të diktaturës.
Në datën 30 gusht, ora 18:00, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit çeli ekspozitën me titull: ZHDUKUR “Sigurimi me fjalët e veta”, në lulishten “Fadil Kokomani, Vangjel Lezho”, pranë Kryeministrisë. Në të u prezantuan 3299 jetë të vjela nga dokumentet e historikëve të 19 degëve të ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit në komunizëm” të ICMP-AIDSSH, të mbështetur nga BE dhe Ambasada Zvicerane.
Gjatë programit të Aktivitetit me moderatore Ardita Repishti, AIDSSH, fjalën e hapjes e mbajti Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH. Më pas përshëndetën Matthew Holliday, Shef i Programit, Ballkani Perëndimor, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP; Alexis Hupin, Zv/Ambasador i BE në Shqipëri (TBC); Luigj Mila, Përfaqësues i Shoqatës Muzeu i Spaçit; Ylber Merdani, Kryetar i Shoqatës së të ish-Përndjekurve Politikë të Korçës; Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, së bashku me Komunitetet Fetare tradicionale në vend, është e interesuar për gjetjen e personave të zhdukur në periudhën e komunizmit dhe sidomos për personat klerikë apo laikë të komunitetit orthodhoks, mori pjesë në këtë aktivitet duke u përfaqësuar nga Episkop Asti dhe Thoma Shkira.