Ditëlindja e Shtetit Shqiptar 28 nëntori. Si sot 100 vjet më parë plaku i Vlorës Ismail Qemal Bej Vlora bëri realitet ëndrën dhe përpjekjet e shumë shqiptarëve për të pasur një shtet të pavarur. Pikërisht në këtë ditë delegatët nga të gjitha trevat e Shqipërisë u mblodhën nën drejtimin e plakut të Vlorës,  firmosën deklaratën e pavarësisë dhe ngritën flamurin kombëtar. Atë ditë myslimanë, orthodhoksë, katolikë e bektashianë u bënë bashkë e i dhanë udhë fateve të kombit. Sot ne krenohemi me të gjithë firmëtarët. Ndjehemi mirë kur mes tyre shohim edhe orthodhoksë si Dhimitër Tutulani, Jorgji Karbunara, Lef Nosi, Petro Poga , Aristidh Ruci, Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiridon Ilo, Jani Minga, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati e Dhimitër Ilo. Kjo tregon se orthodhoksët janë gjendur gjithmonë të gatshëm për të dhënë ndihmesën e tyre kur kombi ka qenë në momente të vështira. Tre nga firmëtarët orthodhoksë si Lef Nosi, Petro Poga  e Pandeli Cale  u zgjodhën anëtarë të qeverisë së parë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali.
    Sot ,pas 100 vjetësh në sheshin e Flamurit në Vlorë për të përkujtuar Ditëlindjen e shtetit Shqiptar, si atëherë, myslimanë, orthodhoksë, katolikë e bektashianë nga të gjitha trevat ku jetojnë shiptarë u mblodhën bashkë për të festuar e gëzuar së bashku. Festimet në Vlorë kanë  ditë që kanë nisur e mysafirët provuan edhe njëherë bujarinë dhe mikpritjen e vlonjatëve.
    Mijëra vetë që në orët e para të mëngjesit mbushën Sheshin e Flamurit dhe rrugicat përreth. Ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, Kryeministri z. Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit znj. Jozefina Topalli, Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi, Trupi Diplomatik, Kryetari i opozitës z. Edi Rama, anëtarë të qeverisë shqiptare, intelektualë e shumë të ftuar. Merrnin pjesë dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman, Bektashian, e atij Katolik. Kisha Orthodhokse përfaqësohej nga Mitropoliti i Beratit,Vlorës  dhe Kaninës Imzot Ignati.
    Në orën 10 filloi ceremonia zyrtare. Presidenti Bujar Nishani bëri ngritjen e Flamurit e më pas vendosi një kurorë me lule tek varri monumental i Ismail Qemalit. Më pas Kryetari i Bashkisë z.Shpëtim Gjika bëri përshëndetjen e rastit ku ju uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve. Pas Kryetarit të Bashkisë bëri përshëndetjen e tij edhe Presidenti Bujar Nishani. Pas kësaj ceremonie të gjithë ju drejtuan pallatit të sportit për të ndjekur koncertin festiv të përgatitur me këtë rast. Në këtë koncert mori pjesë edhe Imzot Ignati.
    Festa në  Vlorë  vazhdoi  gjatë  gjithë  ditës. Grupe  këngëtarësh e valltarësh  nga vende të ndryshme i shihje në të gjitha sheshet duke kënduar e kërcyer këngë e valle nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Me të vërtetë një gëzim i madh. Me këtë rast ju urojmë  të  gjithëve  Gëzuar 100 Vjetorin e Pavarsisë.

Atë Spiro Bulika