Qindra qytetarë morën pjesë në festimet e 6 janarit, në këtë ditë kur gjithë natyra shenjtërohet me Pagëzimin e Zotit Jisu Krisht.
    Brenda dhe jashtë saj, kisha “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë ishte mbushur me qindra besimtarë të ardhur në festën zotërore “të Dritave”, pavarësisht rreshjeve të dendura të shiut. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, drejtoi i shoqëruar nga kleri, Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesën e Shenjtërimit të ujërave. Ai shpjegoi para besimtarëve brenda dhe jashtë kishës se dita e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht shënon edhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Kjo festë quhet e dritës, sepse Perëndia është drita dhe Ai u shfaq ndër ne. Ai na u shfaq duke zbuluar misterin e Trinisë së Shenjtë. Ati dëshmoi se Jisui nuk është njeri i thjeshtë, por Perëndi-njeri, ku në personin e Jisuit u bashkua natyra hyjnore me atë njerëzore.
    Pas shërbesës së Bekimit të ujit, besimtarët morën ujin e bekuar, duke e përdorur atë për shërim shpirtëror e trupor, për familjen dhe të afërmit e tyre.
*        *        *
 
    Edhe në qytetin e Durrësit, qindra besimtarë janë mbledhur pranë ujërave të Portit të këtij qyteti për të festuar me madhështi festën e Ujit të Bekuar. Këtë viti, kryqi u mor studenti i inxhinierisë, 22-vjeçari Fatjon Bushi.
 
*        *        *
    Kjo ditë është kremtuar edhe në qytetin e Korçës, e cila ka nisur me mbajtjen e meshës tradicionale në katedrale nga Mitropoloiti i Korçës, imzot Joani. Edhe pse në temperatura nën zero gradë shumë të rinj janë hedhur në shatërvan për të kapur kryqin. 26-vjeçari Gentjan Gora nxorri kryqin nga uji i shatërvanit.
*        *        *
   
    Ndërkohë në qytetin e Beratit kryqi është hedhur nga ura e Goricës dhe është kapur nga 35-vjecari Edmond Gjeçi. Edhe në këtë qytet edhe pse në kushte atmosferike jo shumë të mira, kjo e kremte u festua me madhështi. Për të gjithë pjesëmarrësit ishte një ditë shumë e gëzuar.
 
*        *        *
     Në qytetin e Gjirokastrës, shërbesat e kësaj të kremteje u kryen brenda kishave, për shkak të motit të keq.