Liturgji Hyjnore festive me rastin e 2 Gushtit

 

– U kremtua me gëzim e madhështi 25-vjetori i zgjedhjes dhe fronëzimit të

Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës sonë –

 

Ringritja kanonike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka dy data themelore: atë që është edhe më e rëndësishmja, 24 Qershorin, kur Fortlumturia e Tij, Anastasi, u zgjodh nga Patriarkana e Konstandinopojës Kryehierark i Kishës së rrënuar nga ateizmi të Shqipërisë, dhe 2 Gushtin, kur në Kishën e Ungjillëzimit, me anë të Shërbesës së Fronëzimit, Kryepiskopi i ri u paraqit para grigjës së tij. Këto dy ngjarje do të shënonin 25 vjet më parë fillimin e një mrekullie: atë të ringritjes së pashoqe nga hiri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të ecjes së saj përpara, përparim që vazhdon edhe sot.

Në këtë përvjetor të shënuar, pjesëtarët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë i kanë zemrat plot gëzim e mirënjohje, për atë që e bëri të mundur këtë mrekulli, që u lut, e projektoi, e realizoi dhe e mbështeti edhe në momentet më të vështira, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasin. Edhe në momentet më të vështira, ai pati bekime të bollshme nga Perëndia për ta kryer këtë mrekulli dhe mbështetjen e patundur të besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë.

Me këtë rast, në Katedralen e Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, u zhvillua Liturgjia Hyjnore panegjirike, ku morën pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë, Mitropoliti i Beratit, Ignati; Mitropoliti i Korçës, Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri; Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Andoni; Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Asti. Ishin të pranishëm dhe mjaft prej tyre meshuan, klerikët e parë orthodhoksë të dorëzuar në ato vite nga Kryepiskopi, pasi mbaruan Seminarin e sapohapur në Durrës. Gjithashtu, përveç besimtarëve të shumtë kryeqytetas, që mbushën kishën, megjithëse ishte ditë pune dhe me temperatura moti ekstreme, kishin ardhur edhe shumë besimtarë nga të gjitha Mitropolitë, për t’i shprehur urimet dhe mirënjohjen Kryebariut të tyre.

Në fund të Liturgjisë Hyjnore, në emër të Sinodit dhe të besimtarëve, Kryepiskopin Anastas e uroi Mitropoliti i Korçës, Joani, i cili foli edhe për veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Kryepiskopit Anastas. Më pas, e mori fjalën Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, i cili falënderoi për urimet, por edhe kujtoi rrugën që u ndoq për të ardhur deri aty ku ndodhemi. Ai theksoi veçanërisht, se këto arritje janë vetëm pikënisja për të ecur më përpara dhe përmendi një sërë projektesh të rëndësishme, që janë në realizim ose do të fillojnë së shpejti në fusha të ndryshme të veprimtarisë së Kishës sonë.

Pjesë e këtyre kremtimeve ishte edhe koncerti festiv i përgatitur nga rinia orthodhokse, me këngë kishtare, si dhe këngë e valle popullore. Ai u zhvillua në sallën e madhe të veprimtarive të Katedrales, të mbushur plot e përplot. Në skenë u ngjitën grupet më të mira nga Kryepiskopata dhe nga Mitropolitë, që u ndoqën me duartrokitje të vazhdueshme. Moment kulmor i veprimtarisë ishte një dokumentar me filmime nga vitet e para të veprimtarisë së Kryepiskopit Anastas (deri në vitin 1995), që u ndoq me shumë interes si nga më të moshuarit, që rikujtuan ato vite dhe ngjarje të paharruara dhe nga më të rinjtë, që duke i njohur mund të kuptojnë përpjekjet e jashtëzakonshme për të arritur këtu ku jemi sot.