Në Manastirin e Zvërnecit, festa mblodhi shumë besimtarë
Në Manastirin “Fjetja e Hyjlindëses”, në Zvërnec, u festua me ngazëllim shpirtëror dhe me adhurim madhështor Fjetja e të Përmbishenjtës. Mes qindra pjesëmarrësve, të ardhur nga Berati, Vlora, Fieri dhe zonat përreth, ishte edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, i cili kreu Liturgjinë Hyjnore. Gjatë predikimit, ai theksoi se kalimi i Shën Marisë në tokën tonë, ishte një nder i veçantë dhe një bekim i paimagjinueshëm. “Duart e saj, keruvike dhe të shenjta. Zemra e saj, temjanicë e shenjtë. Ishte dhe është figura me pozitë të privilegjuar. E shenjta e të shenjtëve. Gjatë së kremtes të Fjetjes së Hyjlindëses përjetojmë këtë nder. Nderojmë njeriun më të shenjtë, nënën më të shenjtë, Shën Marinë. Nënën e Zotit dhe Perëndisë sonë, të Tërëshenjtën. Këtë vit, përveç numrit të lartë të besimtarëve, spikati edhe qetësia e rregulli në kishë.
Në Manastirin e Ri të Shën Vlashit
Besimtarë nga Durrësi, Tirana, Kavaja dhe rrethinave të tyre u mblodhën për të nderuar kujtimin e Virgjëreshës Mari në Manastirin e Shën Vlashit në Durrës, për t’u lutur që të ndërmjetojë tek Biri i saj për shëndet trupor dhe shpirtëror. Festimi filloi që më datën 14 gusht, me shërbesat e Mbremësores, Paraklisit të sëTërëshenjtës dhe atë të Pasdarkës, kur siç është tradita, në manastir u mblodhën për të kaluar natën në lutje me qindra besimtarë, por edhe shumë njerëz të besimeve të tjera, të cilët e nderojnë në mënyrë të veçantë këtë vend mrekullibërës. Shërbesat u kryen nga dy episkopë, episkopi i Apolonisë Hirësia i tij, Nikolla dhe episkopi i Bylisit, Hirësia i tij Asti, të cilët i përkasin brezit së ri të episkopëve të Kishës sonë. Në shërbesën e Mbrëmësores predikimin e mbajti Hirësi Nikolla, i cili vuri theksin në faktin që jeta jonë dhe ngjarjet që lidhen me të nuk janë rastësi, pasi vetë rasti i të Tërëshenjtës Mari nuk është rastësi. E Tërëshenjta Mari, me jetën e saj jo rastësore është shembull frymëzimi për nënat, për prindërit, për fëmijët dhe mbi të gjitha për të gjithë ata që besojnë dhe kërkojnë shenjtërimin dhe shpëtimin e tyre.
Në Manastirin e Drenovës vazhdoi tradita e bukur festive
Drenova, me kishën e saj të bukur dhe traditën e krishterë, s’kishte si të mos e festonte aq madhërisht 15 gushtin. Bashkë me Mitropolitin e Korçës, Hirësi Joanin, dhjetëra besimtarë erdhën edhe nga qyteti, për t’iu bashkuar festimeve në kishën që mban emrin “Fjetja e Hyjlindëses”. Besimtarët iu lutën të Tërëshenjtës t’i drejtohet Zotit Krisht Perëndi, si ndërmjetëse e pakrahasuar, që të na ndriçojë, të gjejmë rrugën e njerëzimit dhe të jetës së virtytshme, që e denjëson njeriun dhe, që vetëm Ai mund të na udhëheqë dhe mund të na e dhurojë. Gjatë predikimit, Hirësi Joani foli për vdekjen. “Sot, ne jemi të ftuar të gjithë të mundim vdekjen. Vdekja nuk e ndan njeriun nga jeta, sepse njeriu mbetet në dimensionin e përjetshëm. Për ne të krishterët, vdekja nuk është e frikshme, por është kalim drejt jetës së përjetshme. Prandaj në këtë “Pashkë të Verës”, le të gëzohemi sepse gëzimi është vetë jeta”.
Përgatitën: Thoma Çomeni, Fatjon Postoli, Theodhor Peci
Post Views:
338