1 qershor 2014 – 1 qershor 2017

3 vjet nga Shenjtërimi
i Katedrales së Tiranës “Ngjallja e Krishtit”

 

 

Më 1 qershor 2017 mbushen 3 vjet nga shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Një përvjetor me domethënie të shumëfishta dhe gjithmonë aktuale.

Së pari, është rikthimi në qendër të kryeqytetit i “syrit” shpirtëror orthodhoks, nga ishte shkulur me përdhunë nga regjimi ateist.

Se dyti, është fakti se kjo ditë është afirmimi përfundimtar dhe më i qartë i rikthimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale në gjirin e Kishës Orthodhokse të përbotshme, si e barabartë mes të barabartëve. Këtë e dëshmoi pa asnjë mundësi ekuivoku pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore e të gjitha Kishave të tjera Orthodhokse. Shërbesat u kryesuan nga Patriarku Ekumenik, Vartholomeu, në bashkëmeshim me Fortlumturitë e Tyre, Patriarkun e Jerusalemit, Theofilin; të Serbisë, Irineun; të Rumanisë, Danielin; Kryepiskopin e Qipros, Krisostomin; të Athinës Jeronimin, Kryepiskopin e Tiranës, Anastasin; Kryepiskopin e Varshavës, Savën. Bashkëmeshuan edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve të Aleksandrisë, Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë, të Gjeorgjisë. Gjatë saj Patriarku Ekumenik do të afirmonte se: “Na ka mbledhur sot kjo ngjarje e madhe dhe historike: Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së Shenjtë të Ngjalljes, e cila vërteton edhe ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri… Për ata që nuk besojnë te Jisu Krishti ngjallja duket si mit. Por, nga përvoja e shenjtorëve, ne kemi përvojën e Ngjalljes, e cila është edhe realiteti, dhe përvoja jonë biomatike. Në këtë kuptim, edhe shenjtërimi i kësaj Kishe të shkëlqyer Katedrale të Ngjalljes, përbën sot një provë, se Ngjallja është realiteti, se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila dikur ishte e vdekur për shkak të persekutimeve ateiste, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet“.

Së treti, ajo është dëshmi e gjallë e arritjeve të jashtëzakonshme të Kishës sonë Orthodhokse, në këto vite ringjalljeje të mrekullueshme dhe të paprecedent nga gërmadhat, që i dedikohet veprës së jashtëzakonshme të Kryepiskopit Anastas.

Së katërti, Kompleksi i Katedrales është një vepër madhështore arkitektonike dhe artistike. Kujtojmë këtu mozaikun gjigant, afresket e paraklisit “Ngjallja e Krishtit”, apo salla e madhe e shfaqjeve, e cila është bërë një zgjedhje ndër zgjedhjet e preferuara për veprimtaritë artistike dhe jo vetëm të kryeqytetit. Madje Kompleksi është bërë një nga pikat e “detyrueshme” të turistëve që vizitojnë Tiranën.

Për të kujtuar këtë ditë historike, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit u mbajt një Liturgji Hyjnore panegjerike. Ajo u krye nga Kryepiskopi Anastas dhe anëtarë të Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë, Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit Asti. Në të bashkëmeshuan edhe më shumë së 40 klerikë nga Kryepiskopata dhe nga të gjitha Mitropolitë. Omelinë e ditës e mbajti Atë Luka Veronis nga SHBA, që ka shërbyer për shumë vjet në Kishën tonë. Në fund, duke iu drejtuar të pranishmëve në lidhje më këtë ditë të shënuar, Kryepiskopi Anastas kujtoi se tre vjet më parë në shenjtërim ishin përfaqësues nga të gjitha Kishat Orthodhokse dhe tetë nga primatët e tyre. Ai theksoi se “Kur e nisëm këtë përpjekje kur nuk do ta kishim imagjinuar dhurata dhe bamirësi të tilla që na ka bërë Zoti ynë deri më tani. Zemra jonë është e mbushur me mirënjohje për të gjitha këto. Kur sot jemi të mbledhur bashkë të gjithë klerikët e Kishës sonë, bashkë me laikët, kjo është shenjë e jetës së gjallë që ka Kisha e Shqipërisë. Le ta shprehim mirënjohjen tonë jo me ndjenja që zgjatin për një çast, por duke e bashkuar jetën tonë me vullnetin e Perëndisë.”

Siç e theksoi edhe Kryepiskopi Anastas në fjalën e tij në kishë, në këtë kremtim merrnin pjesë të gjithë klerikët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga Kryepiskopata dhe të pesë Mitropolitë. Pas Liturgjisë Hyjnore ata u mblodhën në sallën e madhe të Kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, për të marrë pjesë në një Konferencë kushtuar rolit dhe detyrave të klerikut orthodhoks. Në konferencë folën klerikë nga Kryepiskopata dhe nga Mitropolitë, ndërsa Kryepiskopi Anastas u ndal në raportin e ngushtë që duhet të lidhi klerikun me librat dhe leximet shpirtërore. Gjatë Konferencës pati edhe diskutime për çështje konkrete, si dhe u shfaqën dy dokumentarë të shkurtër me aspekte nga ndërtimi i Katedrales dhe ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.