Më datën 6 janar 1991 u mbajt dhe ceremonia e parë e Shenjtërimit të Ujërave në Shqipëri pas monizmit. Kjo u bë në Korçë, në Shën Triadhë, me papa Kostë Kotnanin, një klerik të vuajtur e të përndjekur bashkë me familjen nga sistemi komunist. Ai ishte në një moshë shumë të madhe dhe veshi rrobat e qepura nga motrat Cico disa ditë më parë, me bezen e fshehur e të vjetëruar nga koha. Ashtu thjesht, me zjarrin e besimit të sapo rindezur, u dëgjua dhe predikimi i parë i thjeshtë nga goja e z. Sotir Bambulla. Atë ditë u duk më së miri etja e njerëzve për besim, për hyjnore për praninë e Zotit në jetën e tyre…
Kjo ditë na kujtohet çdo vit, kur në Korçë, në kushte të tjera, pa frikë e me Kishën më të fortë se kurrë, kryhet ceremonia e Ujit të Bekuar. Pas Liturgjisë Hyjnore, Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, bëri Shërbesën e Shenjtërimit të Ujërave. Më pas, në shatërvanin në sheshi Vangjush Mio, në prani të një numri të madh orthodoksësh, por dhe të besimeve të tjera, u hodh kryqi në ujë, që u kap nga një i ri megjithë temperaturat e acarta.
Themistokli Bambulla