Pashka e Madhe

   

   Pak përpara mesnatës, në Sabatin e Bekuar, fillon Vigjilja e Pashkës 1 . Në disa tekste kjo shërbesë quhet Shërbesa e Mesnatës. Gjatë kësaj shërbese Kisha mbahet e ndriçuar shumë pak. Sipas zakonit të vjetër, mbas Kanonit shuhen të gjithë kandilet e Kishës përveç “Kandilit të Pashuar” të altarit. Pastaj fillon Shërbesa e Dritës ose Shërbesa e Ngjalljes. Prifti është në altar. Ai merr Qiriun e Pashkës dhe e ndez në “Kandilin e Pashuar”. Pastaj me qiriun në dorë ai del tek Dyert e Bukura duke kënduar: “Ejani e merrni dritë, prej dritës që s’perëndon, edhe lavdëroni Krishtin që u ngjall së vdekurish”.

    Në mesnatë fillon procesioni i Pashkës. Populli del nga Kisha, duke kënduar: Ngjalljen Tënde o Krisht Shpëtimtar, Engjëjt në qiell e hymnojnë; vlerësona edhe ne përmbi dhenë, me zemër të pastër Ty të lavdërojmë. Ky procesion i të krishterëve gjatë natës së Pashkës, të kujton procesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në Kishën e vjetër. Ky është procesioni i kalimit2 të shenjtë, prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që të do vijë dhe që është pa mbarim. Pastaj këndohet Ungjilli. Tashmë është zakon që Ungjilli i Ngjalljes të këndohet në një vend të caktuar jashtë Kishës. Nëse kjo nuk është e mundur procesioni kthehet në Kishë dhe Ungjilli këndohet në dyert qendrore të Narteksit. Në disa Kisha Ungjilli këndohet para dyerve ballore të mbyllyra të Kishës. Mbasi prifti thotë me zë të lartë “Lavdi Trinisë së Shenjtë së bashkëqenshme…”, këndohet për herë të parë Tropari i Pashkës, së bashku me vargjet e Psalmit 68, me të cilët do të fillojnë të gjitha shërbesat e Kishës gjatë periudhës së Pashkës.

    Le të ngrihet Perëndia dhe le të përndahen armiqtë e tij dhe le të ikin prej faqes së tij ata që i kanë mëri. Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli edhe të varrosurve jetën u fali (Tropari)Kjo është dita që ka bërë Zoti, le të ngazëllohemi dhe le të dëfrehemi në atë. Pastaj populli rihyn në kishë dhe vazhdon shërbesa e Mëngjesores së Pashkës, e cila këndohet e gjitha. Himnet e Kanonit të Ngjalljes së Krishtit, atribuar Shën Joan Damaskinit, këndohen me troparin e festës dhe si refrene që përsëriten në mënyrë të vazhdueshme. Kisha është zbukuruar me lule e me drita. Veshjet janë rrobat e ndritshme të Ngjalljes. Ikona e Pashkës që qëndron në mes të Kishës tregon Krishtin duke shkatërruar dyert e Hadhit dhe duke çliruar Adamin e Evën prej robërisë së vdekjes. Ajo është imazhi i Fitores, i “shkeljes së vdekjes me vdekje”. Vazhdon këndimi dhe temjanisja e ikonave dhe popullit, me thirrjen e vazhdueshme të kremtuesit: Krishti u ngjall! Besnikët i përgjigjen: Vërtet u ngjall!

    Sot është dit’e ngjalljes, ndriçohu o popull. Pashka e Zotit, Pashka. Se Krishti, Perëndia ynë, na shpuri prej vdekjes tek jeta, prej dheut në qiell, duke kënduar këngën e fitores: Krishti u ngjall së vdekurish! (Kënga e parë e Kanonit të Pashkës)Pas Kanonit këndohen vargjet e Pashkës dhe në përfundim të Mëngjesores së Pashkës këndohen Orët e Pashkës3. Në përgjithësi, gjatë shërbesave në Pashkë, asgjë nuk është vetëm thjesht lexuar, çdo gjë këndohet me meloditë e gëzuara të festës. Në mbarim të Orëve, para Meshës Hyjnore, kremtuesi shpall solemnisht të famshmin Predikim të Pashkës të Shën Joan Gojartit. Ky predikim është një ftesë për të gjithë besnikët që të harrojnë mëkatet e tyre dhe të vijnë të plotë në festën e Ngjalljes së Krishtit. I kuptuar literalisht, predikimi është një ftesë zyrtare, ofruar të gjithë anëtarëve të Kishës për të ardhur dhe për të marrë Kungatën e Shenjtë, për të marrë pjesë në Krishtin, Qengjin e Pashkës, tryeza e të cilit është shtruar tani në mes të Kishës. Në disa famulli predikimi zbatohet literalisht dhe të gjithë besnikët marrin dhuratën eukaristike të Darkës së Pashkës.

    Mesha Hyjnore e Pashkës fillon menjëherë duke kënduar përsëri troparin e festës me vargjet e Psalmit 68. Vargje të veçantë nga psalmet formojnë gjithashtu antifonet e Meshës, me anë të cilave besnikët lavdërojnë shpëtimin e bërë nga Perëndia: Le të thërrasë me gëzim tek Zoti, i tërë dheu! Këndojini emrit të tij, jepini lavde lavdërimit të tij. I gjithë dheu le të falet e le të lavdërojë Ty! Le të lavdërojë emrin tënd, o i Shumë Lartë! Që të mund të njohim udhët e tua mbi dhe dhe shpëtimin tënd në tërë kombet. Le të të falenderojë populli Ty, o Perëndi! Le të të falenderojë Ty i gjithë populli. Tropari përsëritet vazhdimisht. Në vend të Himnit Trishenjtor thuhet “Sa u pagëzuat me Krishtin, me Krishtin u veshët”. Si Apostull këndohen nëntë vargjet e para të Librit të Veprave të Apostujve. Si Ungjill janë shtatëmbëdhjetë vargjet e para të Ungjillit të Shën Joanit. Proklamimi i Fjalës së Perëndisë i çon besnikët në fillimin e krijimit dhe lajmëron krijimin dhe rikrijimin e botës prej Perëndisë, me anë të Fjalës së gjallë të Perëndisë, Birit të tij Jisu Krisht.

    Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi… Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij… Në atë ishte jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve… Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë… dhe ne të gjithë morëm prej të mbushurit të tij… (Joani 1:1-17)Vazhdon Mesha e Shën Joan Gojartit, e cila kurorëzohet në Kungimin e Shenjtë me Qengjin e Pashkës, në banketin e tij në Mbretërinë e Perëndisë. Përsëri e përsëri këndohet tropari i Pashkës, ndërkohë që besnikët kungohen me atë “që ishte i vdekur dhe është gjallë përsëri” (Zbulesa 2:8).

    Në Kishën Orthodhokse festa e Ngjalljes quhet Pashka, fjalë që do të thotë Kalim. Ky është Kalimi i ri i Dhiatës së Re dhe të përjetshme, i parathënë nga profetët e vjetër. Ky është Kalimi i përjetshëm nga vdekja tek jeta dhe nga dheu në qiell. Kjo është Dita e Zotit shpallur nga profetët e shenjtë të Perëndisë, “dita që ka bërë Zoti” për gjyqin e tij mbi të gjithë krijimin, dita e fitores së tij finale dhe të përjetshme. Kjo është Dita e Mbretërisë së Perëndisë, dita “që nuk ka natë” sepse “llamba e saj është Qengji” (Zbulesa 21:22-25). Prandaj, kremtimi i Pashkës në Kishën Orthodhokse, nuk është thjesht një dramatizim historik i ngjarjes së Ngjalljes së Krishtit siç është treguar në Ungjill. Nuk është një paraqitje dramatike e “mëngjesit të parë të Pashkës”. Nuk ka ndonjë “shërbesë të lindjes së diellit” meqenëse Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku në orët e para të ditës së parë së javës, me qëllim që t’i japë njerëzve përvojën e “krijimit të ri” të botës dhe t’i lejojë ata të hynë mistikërisht në Jerusalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit, duke mundur natën e vazhdueshme të të ligut dhe duke shkatërruar errësirën e kësaj bote mëkatare dhe të vdekshme.

    Ndriçohu, ndriçohu, qytet i ri Jerusalem, se lavdia e Zotit, përmbi ty ka lindur sot. Vallëzo tani dhe gëzohu o Sion dhe ti o Hyjlindëse e pastër dëfrehu në Ngjalljen e Birit tënd. Ky është një nga himnet kryesore të Pashkës në Kishën Orthodhokse. Ai është frymëzuar nga profecia e Isaisë dhe nga kapitujt e fundit të Zbulesës, sepse është pikërisht Krijimi i Ri, Jerusalemi i Ri, Qyteti Qiellor, Mbretëria e Perëndisë, Dita e Zotit, Dasma e Qengjit me Nusen e tij, që kremtohen e përjetohen në Shpirtin e Shenjtë, gjatë Natës së Shenjtë të Pashkës në Kishën Orthodhokse.

 ____________________
Shërbesa e përshkruar në këtë kapitull nga Atë T. Hopko është shërbesa e kryer në Kishën Ruse. Pjesa më e madhe e shërbesave janë pothuaj të njëjta me ato që kryhen në vendin tonë, por në disa ka pak ndryshime. Pë këtë arsye, për të mos krijuar konfuzion në lexuesit shqiptarë, këtu do e ndryshojmë pak tekstin sipas tipikosë që mbahet në vendin tonë.
2 Fjala pashkë vjen nga hebraishtja pesah, që do të thotë kalim.
Në shumë kisha enorish tani nuk bëhen Orët, po mbas Mëngjesores fillon direkt Mesha Hyjnore. Në manastire bëhen Orët.