Në dt. 6 prill 2017, në orën 18:00, në mjediset e Qendrës Sinodike, pranë Katedrales së re Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u promovua botimi i numrit special të revistës periodike “Art & Trashëgimi”, me temë “Trashëgimia Orthodhokse në Shqipëri”.
Në veprimtari mori pjesë Kryepiskopi Anastas dhe anëtarë të Sinodit të Shenjtë, studiues të njohur të fushave të ndryshme, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, diplomatë, personalitete të politikës etj. Promovimi u drejtua nga një panel autorësh që kontribuuan për këtë botim.
Aktivitetin e hapi z. Andi Rëmbeci, pedagog në Universitetin e Tiranës, studiues i teksteve bizantine. Pastaj e mori fjalën Mitropoliti i Korçës, Hirësia e tij Joani, i cili foli për rëndësinë e trashëgimisë orthodhokse në kulturën e vendit tonë dhe në kontributin e jashtëzakonshëm të Kryepiskopit Anastas në ringjallje dhe ruajtjen e saj. Më pas folën Prof. Dr. Pirro Thomo dhe drejtuesja e Fondacionit “Argjiro”, që boton revistën, znj. Ilda Mara.
“Trashëgimia Ortodokse në Shqipëri” është numri i parë i një gjerdani të veçantë botimesh që revista kulturore periodike “Art & Trashëgimi” ia kushton trashëgimisë kulturore dhe historike të komuniteteve fetare në vendin tonë. Ky botim u realizua falë bashkëpunimit të stafit të revistës “Art & Trashëgimi” me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Shoqatën Shqiptare të Studimeve Bizantine.
Emra të njohur në fushën e historisë, religjionit, arkitekturës, restaurimit, arkeologjisë, arteve të zbatuara, muzikologjisë, paleografisë dhe kodikologjisë, historisë së artit dhe letrave, si Kryepeshkopi Anastas, Hirësi Joan Pelushi, Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Kostantinos Giakoumis, Dhori Qiriazi, Lida Miraj, Shaban Sinani, Andi Rembeci, Skënder Muçaj, Sokol Çunga, Vladimir Myrtezai, Theodhor Peci etj., kanë kontribuuar me penën e tyre, duke i ofruar lexuesit një botim të çmuar historik mbi trashëgiminë e Orthodhoksisë në Shqipëri.
“Rëndësia e madhe e traditave bizantine dhe ortodokse për krijimin e kulturës dhe identitetit modern shqiptar shfaqet në përmbajtjen e këtij botimi. Larmia e madhe të temave të përzgjedhura reflekton praninë e Krishterimit Ortodoks në jetën shpirtërore dhe kulturën materiale në Shqipëri. Ky botim ilustron, si një të tërë, shqetësimin e tij në një mënyrë udhëzuese dhe të mirë strukturuar. Shpresoj që do të jetë një gur themeltar për të tjera hulumtime mbi kulturën e krishterë në Shqipëri”, shkruan në parathënien e tij Akademiku Johannes Koder, anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë.
“Art & Trashëgimi” është një botim dygjuhësh, në shqip dhe anglisht, që promovon trashëgiminë kulturore, historinë dhe artet e bukura në Shqipëri. Përmban informacione, artikuj historikë, analiza, reflektime si dhe ese të penave më të njohura të fushës.