U fanese me lavdi, në tërë botën edhe drita jote sot na u shënua me çudi, pra të himnojmë me kuptim. Erdhe u duke, o Dritë, e paafrueshme.
Me këto fjalë të shkurtores të festës së Theofanisë kuptojmë rëndësinë dhe madhështinë e ditës së sotme. Pikërisht sot, më datë 6 janar e gjithë bota orthodhokse, por jo vetëm, kremton Pagëzimin e Zotit tonë Jisu Krisht në ujërat e lumit Jordan.
Kremtimet për këtë ditë të shënuar nisën që në orët e para të mëngjesit në katedralen “Apostull Pavli & Shën Asti” të Durrësit. Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Episkopi i Apollonisë, hirësia e tij Imzot Nikolla. Më pas u krye shërbesa e Bekimit të Madh të Ujit.
Në mbarim të kësaj shërbese, klerikët, kori i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe gjithë populli besimtar të shoqëruar nga tingujt e instrumenteve muzikore të bandës frymore të qytetit, kryen procesionin e hedhjes së Kryqit të Nderuar në det. Kështu qindra besimtarë u drejtuan në ambientet e Portit Detar të Durrësit për të marrë pjesë në këtë ceremoni. I pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë së qytetit z. Vangjush Dako, i cili dha urimet e tij të përzemërta në këtë ditë të bekuar.
Pasi u bë bekimi i ujërave, Imzot Nikolla hodhi kryqin në det. Katër djem të rinj të zellshëm, të cilët sfiduan temperaturat e ulëta, u hodhën për të kapur kryqin. Më i shkathëti u tregua anëtari i Rinisë Orthodhokse të Durrësit, 22-vjeçari, Kristi (Klajdi) Beta, student në degën Komunikim-Dizajn në Universitetin Evropian të Tiranës. Pasi doli nga uji të gjithë të pranishmit e përgëzuan dhe iu falën kryqit që mbante në duar.
Në organizimin e kësaj feste kontribuojnë jo vetëm besimtarët e Kishës, por të gjitha instancat shtetërore të dikastereve përkatëse si Bashkia e qytetit, Policia Rrugore, Autoriteti Portual, Kapiteneria e Portit, Shërbimet mjekësore, duke e shndërruar në një festë tradicionale dhe gjithëpërfshirëse për qytetin tonë. I falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë si komunitet këtyre institucioneve.
Tërë populli, pa dallim feje, mori Ujin e Bekuar për ta pirë dhe për të spërkatur shtëpitë me besimin dhe shpresën për të pasur një vit të mbarë dhe të bekuar nga Zoti. Ashtu siç bekohen të gjitha ujërat, le të bekohet edhe jeta e secilit prej nesh. E kremtja e sotme na kujton jo vetëm Pagëzimin e Krishtit, por edhe pagëzimin tonë. Sot, më shumë se kurrë, të gjithë besimtarët e pagëzuar ose jo, duhet të mendojnë për Pagëzimin dhe rëndësinë që ka ky mister në jetën e gjithsecilit. Ai është fillimi i udhëtimit tonë drejt Pastrimit, Ndriçimit dhe Shenjtërimit. Le ta kuptojmë këtë dhe të afrohemi sa më shumë me Perëndinë!
Theano Kostoli