Jemi në periudhën përgatitore për Lindjen e Shpëtimtarit të njerëzimit dhe të secilit prej nesh personalisht. Në udhëtimin e jetës shpirtërore secili prej nesh përpiqet të thellohet më tepër në misterin e jetës dhe të mësojë të vërtetat e përjetshme që hedhin dritë mbi jetën dhe qëllimin e saj. Periudha përgatitore para Krishtlindjes na jep mësime të çmuara dhe drejtimin e duhur për pritjen e Shpëtimtarit tonë. Le të udhëtojmë së bashku përgjatë kësaj periudhe që të ndriçohemi prej mësimeve jetëdhënëse që na jep Kisha.
     Periudha e Krishtlindjes në Kishën Orthodhokse fillon me periudhën kreshmore 40 ditore e cila fillon në të kremten e apostull Filipit. Filipi pasi u thirr nga Krishti shkon dhe thërret shokun e tij Natanael dhe i thotë “eja dhe shih”.
    Ne së pari duhet të vijmë të shohim Krishtin – njeri. Duhet ta njohim si qenie konkrete njerëzore, hebre, mësues, profet. Ta takojmë si foshnjën e Marisë, si birin e marangozit, si nazaretasin. Më pas, pasi sytë tanë të hapen dhe zemrat të pastrohen do të shohim “gjëra më të mëdha”. Ne do ta njohim jo thjesht si një mësues, por si Mësuesin, jo thjesht si një profet, por si Profetin, jo thjesht si një bir njeriu, por si Birin e njeriut i parëthënë nga profeti Daniel. Do ta shohim jo thjesht si një bir i Perëndisë, por si Birin e Perëndisë, i Lindur prej Atit para gjithë shekujve. Ne do ta shohim si Fjala e Perëndisë në trup njerëzor, si Ikona e Perëndisë në formë njerëzore. Dhe së fundmi  do ta shohim Atë si vet Perëndinë.
    Hapi i parë në udhëtimin drejt Krishtlindjes është takimi me njeriun Jisu. Ne thirremi me Filipin dhe dishepujt me ftesën “Eja dhe shih”. Nëse dëshirojmë të vijmë dhe të shohim, me siguri do të shohim. Ashtu si dishepujt do të shohim “gjëra më të mëdha” sesa presim. Do ta njohim se kush dhe çfarë është Ai në të vërtetë. Së pari duhet të shkojmë. Nëse nuk shkojmë, nuk do të shohim kurrë.
    Përgjatë ditëve të para të kreshmës së Krishtlindjes Kisha kremton hyrjen e fëmijës Mari në tempullin e Jeruzalemit. Qëllimi i kësaj të kremteje është të na tregojë që çdo qënie njerëzore është krijuar të bëhet një tempull i gjallë i Perëndisë. Kjo e kremte quhet “fillimi i mirëpëlqimit të Perëndisë”. Ky është kremtimi i parë i shpëtimit i cili vjen në botë me Jisuin, për të cilin vet Maria është marrësja e parë dhe më kryesorja.
    Jemi krijuar për të qenë tempuj të gjallë të Perëndisë, vendbanimi i lavdisë së Tij. Jemi krijuar sipas imazhit dhe ngjashmërisë së Tij që të jemi enë e pranisë së Tij.  Jisu Krishti, Biri, Fjala dhe Ikona e Perëndisë është formuar fizikisht e shpirtërisht në trupin e Marisë, kështu që Ai mund të formohet edhe në ne. Ky është kuptimi i Krishtlindjes, i cili është dhe kuptimi i vet jetës: Krishti në ne dhe ne në Krishtin. Perëndia me ne dhe ne me Perëndinë.
    Ndërsa vazhdojmë udhëtimin e Pashkës dimërore, rruga para nesh është e qartë. Ne mund të ndjekim “rrugën e ngushtë” që na çon te jeta, ose mund të vazhdojmë “rrugën e gjerë” që na çon në shkatërrim. (Mt. 7:13-14)
    E kremtja e Hyrjes së Tërëshenjtës Mari në tempull shënon dhe fillimin e lajmërimit të Lindjes së Krishtit. Në këtë të kremte fillon të këndohet kanoni madhështor i festës së Krishtlindjes: “Ja Krishti lind, lavdërojeni; Ja Krishti i qiellit vjen, dilni priteni; Ja Krishti mbi dhenë ngrehuni, Zotin pra, e këndoni lart e mbi dhé, dhe me ngazëllime përhimnojeni me mall popuj dhe me lavdi”.
    Ndërsa himnet e para të festës së Krishtlindjes këndohen në ditën e shën Andreas, 30 nëntor, i cili u thirr nga vet Krishti me ftesën “eja dhe shih”. Eja dhe shih është ftesa e qëndrueshme e Kishës në shërbesat e saj liturgjike.
    Sipas shën Grigor Teologut të udhëtosh në Pashkën dimërore “do të thotë të ecësh pa gabuar në çdo etapë të jetës së Krishtit”. Festa e shën Andreas me këndimet e himneve të para të Krishtlindjes shënon fillimin e udhëtimit paskal në mënyrë të veçantë.
    Nëse nuk shkojmë nuk do të shohim kurrë. Por nuk mjafton vetëm të shkojmë te Krishti. Ne duhet të shohim. Shumë njerëz e panë Krishtin kur erdhi në tokë, por jo të gjithë e panë Atë si Birin e Perëndisë dhe Shpëtimtarin e botës. Ka shumë njerëz që vijnë në kishë dhe ende nuk shohin. Krishti na mëson pse njerëzit nuk shohin. Arsyeja, thotë Ai, është që ata duan errësirën më shumë se dritën, sepse veprat e tyre janë të liga. (Jn 3:19)
    Pas së kremtes së shën Andreas himnet e Krishtlindjes dëgjohen sërish në të kremten e shën Nikollës, 6 dhjetor, episkop i Mirës së Likisë (të Azisë së Vogël), i cili përgjatë shekujve u lidh në mënyrë të veçantë me festën e Lindjes së Krishtit. Është e lehtë të kuptohet pse episkopi i shenjtë është lidhur kaq shumë me këtë të kremte. Të gjithë tregojnë për besimin dhe dashurinë e thjeshtë të një njeriu të njohur për mirësinë e tij. Shën Nikolla ishte vërtet i mirë, gjë që tregon se mirësia është e mundur. Me Perëndinë të gjitha janë të mundura (Mt.19:26). Qenia njerëzore, për më tepër qenia e pasur njerëzore, e cila beson te Perëndia, mund të jetë vërtet e mirë me mirësinë e vet Perëndisë. Krishti ka ardhur që njerëzit mund të jenë vërtet të mirë. Shembulli më i madh dhe më i dashur për këtë periudhë pritjeje festive është shën Nikolla, për të cilin është më se e mjaftueshme të dimë që ishte i mirë.
    Në 9 dhjetor Kisha feston ngjizjen e Tërëshenjtës Mari nga prindërit e saj Joakimi dhe Ana. Kjo e kremte që zë vend në përgatitjen për Krishtlindjen gëzon besimtarët me faktin se Tërëshenjta Mari ngjizet si përmbushje e lutjeve të prindërve të saj. Edhe një herë kjo e kremte tregon se me hirin e Perëndisë çdo gjë është e mundur.
    Gjatë periudhës para Krishtlindjes Kisha kremton kujtimin e shumë profetëve hebrenj. Në veçanti kujtimin e profetit Daniel dhe shokëve të tij Anania, Azarai dhe Mishaeli (17 dhjetor), tre të rinj që refuzuan të adhurojnë idhullin e mbretit Nabukodonosor në Babiloni, dhe të cilët i hodhën në një furrë të nxehtë. Brenda furrës ata këndonin, kërcenin nëpër flakë së bashku me një “person të katërt” i cili është konsideruar nga Kisha të jetë parafigurimi i vet Jisuit. Kjo e kremte është festimi i besimit në një Perëndi të vërtetë, Zoti i Izraelit, i cili shpëton ata që besojnë në Të, dhe që në ditët e fundit do të sjellë një mbretëri të përjetshme, të cilin edhe mbretërit pagan do ta dëshmojnë. Prandaj në fund të jetës së tij vet Nabukodonosori dëshmoi për Perëndinë e vërtetë. “Në fund të ditëve, unë Nabukodonosori ngrita sytë në qiell, iu ktheva arsyes sime, bekova më të Lartin, lavdërova dhe nderova Atë që jeton përjetë …”.
    Profeti Daniel ishte shikues apokaliptik, vizionet e të cilit përsëriten në Dhiatën e Re, ku mbretëria e përjetshme e Perëndisë të cilën ai e paratha qartazi, identifikohet me mbretërinë e Krishtit-Mesia, që është Jisui i Nazaretit. Të krishterët ngazëllohen me njerëzit e besimit dhe të vizionit që profetizuan ardhjen e Krishtit. 
    Dy të diela përpara Krishtlindjes, Kisha Orthodhokse, gëzon të kremten e Paraetërve të Shenjtë të Besëlidhjes së Vjetër, duke përfshirë edhe ata që erdhën para dhënies së Ligjit. Ata paratreguan ardhjen e Mesias dhe u shpenguan nga Pashka e Tij shpëtimtare. Qëllimi i jetës së tyre ishte të jetonin për Perëndinë. Ky është ndryshimi midis të ekzistuarit dhe të jetuarit. Shumë njerëz ekzistojnë, por pak jetojnë në të vërtetë. Vetëm ata që kërkojnë Perëndinë kanë jetë. Etërit dhe nënat e shenjta së bashku me pasardhësit e tyre zgjodhën jetën. Ata e gjetën atë te Mesia i Perëndisë, Jisu Krishti, që është vet jeta, Fjala e Mishëruar e Perëndisë.
    Të dielën para Krishtlindjes edhe një herë Kisha kremton kujtimin e burrave dhe grave të shenjta që besuan në Perëndinë e vërtetë dhe u përgatitën për ardhjen e Birit të Tij dhe Fjalës në trup njerëzor.  Kjo ditë është festim i besimit të tyre dhe një pohim që besimi i tyre ka gjetur përsosmërinë dhe përmbushjen në Shpëtimtarin e premtuar, që është Jisu Krishti, Zoti.
    Periudha e Krishtlindjes është kohë kremtimi, ngazëllimi dhe gëzimi. Kisha na fton të kremtojnë të gjithë. Jemi krijuar të kremtojnë dhuratat e Perëndisë dhe vet Perëndinë. Kjo është esenca e jetës sonë. Jemi krijuar të jemi “imituesit e Perëndisë” dhe “pjesëmarrës të natyrës hyjnore”. Perëndia është Perëndi i të gjallëve, gjithashtu ne jemi krijuar për të jetuar; Perëndia është i mirë, dhe ne jemi krijuar që të jemi të mirë; Perëndia është i urtë, dhe ne jemi krijuar që të jemi të urtë; Perëndia është i mbushur me paqe, gëzim, mirësi, dhembshuri, fuqi dhe zemërgjerësi, kështu duhet të jemi dhe ne.
    Besimi Orthodhoks pohon se Jisu Krishti erdhi të restaurojë ikonën dhe ngjashmërinë e Perëndisë te qeniet njerëzore. Ai na denjëson të bëhemi ajo për të cilën jemi krijuar që në fillim. Si Adami i dytë dhe i fundit, Jisui bën gjithçka për të cilën u thirr të bënte Adami i parë (që kishte dështuar). Ky është mesazhi i Krishtlindjes. Ja Adami i ri. Ja ikona e restauruar e Perëndisë. Lindja e Jisuit lajmërohet në botë si shpallja e gëzimit të madh. Gjithashtu engjëjt që u sollën barinjve lajmin e gëzimit të madh, shpallën me lavdërime paqe mbi dhé dhe mbi njerëzit mirëdashje.
Krisht Lind – prek dhe mbush qiellin dhe tokën.
Krishti Lind – ndër njerëzit mirëdashje.
Krishti Lind – Perëndia erdhi në tokë.
Krishti Lind – Perëndia qerasi njeriun me dashurinë, gëzimin dhe me jetën më të ëmbël.
Krishti Lind – gëzohuni!
    Perëndia të na denjësojë që në këtë Krishtlindje Foshnja-Jisu të lindë në zemrat tona dhe t‘i mbushë ato me dritë.
Ana Baba