Të gjitha të dielat e periudhës së Kreshmëve të Mëdha janë stacione të rëndësishme, që duke iu përkushtuar ngjarjeve të veçanta kishtare, ndihmojnë besimtarin në rrugën e përgatitjes për të pritur Javën e Madhe të pësimeve shpëtimtare të Krishtit dhe përkujtimin e Ngjalljes së Tij të lavdëruar. Por dy prej tyre u dhanë besimtarëve orthodhoksë përjetime të veçanta, ashtu siç jep çdo hirotoni, si mister i veçantë që të mbush gjithmonë me gëzim dhe entuziazëm. Kështu, të Dielën e Katërt (Shën Joan i Shkallës), dt. 3 prill, u bë dorëzimi në dhjak i z. Irine Gega, prej duarve të Kryepiskopit Anastas. Dhjaku i ri me origjinë nga Shën Joan Vladimiri i Elbasanit, fshat me tradita të lashta orthodhokse, ka shërbyer me përkushtim për rreth 7 vjet si katekist i Kishës Orthodhokse në Elbasan dhe në zonat rreth tij. Ai ka dhënë edhe një kontribut të veçantë duke ndihmuar në organizimin e aktiviteteve rinore, dhe ka qenë mbështetje për kampet e vajzave që organizohen në Manastirin e Shën Joan Vladimirit. Ndërsa të Dielën e Pestë (Shën

    Maria e Egjiptit), dt. 10 prill, u bë dorëzimi në prift i dhjakon Petro Haliles, me origjinë nga Shpati i Elbasanit, i cili shërben edhe si klerik përgjegjës për veprën e katekizmit në rrethin e Elbasanit dhe së bashku me katekistët e tjerë të zones kanë pagëzuar me qindra katikumenë. Kryepiskopi Anastas në fjalën e tij për priftin e sapodorëzuar u ndal në përshkrimin e figurës së klerikut, i cili duhet të jetë i butë, ngushëllues për njerëzit, jo i grinder dhe të ketë një fjalë shëruese dhe jo skllavëruese, duke kontribuar kështu në zbutjen dhe  shërimin e plagëve të tyre shpirtërore dhe theksoi: “Kisha jonë nuk ka nevojë për priftërinj thjesht të mirë, por për priftërinj të përsosur sipas thirrjes për përsosmëri të Perëndisë, që ecin gjatë gjithë jetës së tyre drejt shenjtërimit dhe ndihmojnë edhe besimtarët që u janë besuar në këtë rrugë”. Kryepiskopi përfundoi me lutjen dhe nxitjen që Perëndia të denjësojë edhe të rinj të tjerë që duan të dëgjojnë dhe të ndjekin thirrjen priftërore.

Aleks Çuri