Doli në qarkullim libri i Katekizmit “Mesazhe Hyjnore” me autor Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Anastasi, përkthyer nga Theodhor Bendo, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Njohja e të vërtetave themeltare të krishtera është një nevojë fillestare për çdo të krishterë dhe mbi të gjitha për të rinjtë. Për këtë arsye, gjatë periudhës së ringritjes nga themelet të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, iu dha një tekst i veçantë shërbimit të katekizmit. Në kuadrin e këtij detyrimi të Kishës, që ngelet në vazhdimësi, botohet edhe kjo përmbledhje e mësimeve të katekizmit.
Tekstet janë shkruar kur autori ishte dhjak (1960-1962). Ato u hartuan pas caktimit zyrtar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë. U botuan në tre vëllime (Mesazhe Hyjnore, Besim dhe Jetë, Udhëtim Shpirtëror) nga “Apostoliki Dhiakonia” (Shërbimi Apostullor) i Kishës së Greqisë. Ato janë ribotuar vazhdimisht dhe janë përdorur për mësimin e dhjetërave mijë të rinjve. Ky vëllim përfshin mësimet dogmatike të dy vëllimeve të para. Mësimet ndahen në tri pjesë: Perëndia Atë. Biri i Perëndisë. Shpirti i Shenjtë dhe Kisha. (Shkrimet shpirtërore, ato që lidhen me aktualitetin dhe me të kremtet, do të përmblidhen në një botim të veçantë. Shpresojmë që së shpejti të vijë në shqip edhe vëllimi i tretë i kësaj serie Udhëtim Shpirtëror.)
Organizimi i mësimit ka një ndërthurje të tillë, që të zërë mendjen në befasi, të ngacmojë fantazinë, kujtesën, gjykimin e të rinjve dhe në këtë mënyrë të ruajë interesimin e tyre në të njëjtën shkallë. Përveç ndryshimit dhe shumëllojshmërisë së metodave të mësimdhënies, ekziston edhe një larmi organizimi e mësimeve. Në këtë mënyrë, sipas një radhe të ndryshme, kombinohen rrëfimi tërheqës, përshkrimi i lirë, i shoqëruar nga analiza e thellë dhe thellimi psikologjik i përpunimit të temës, shtjellimet e teksteve agjiografike (biblike), anekdotat, figurat, shembujt, zbatimet praktike, poezitë, elementët e rrëfimit dhe dialogut.
Shpresojmë që këto tekste të ndihmojnë si ata që punojnë për përhapjen e mesazhit të krishterë (klerikët, katekistët, drejtuesit rinorë) ashtu edhe prindërit e çdo besimtar, për të transmetuar në mënyrë induktive mesazhe hyjnore te rinia që ka etje për të vërtetën dhe jetën e ndriçuar, që të njohë dhe të dashurojë Atë që është “rruga dhe e vërteta dhe jeta” (Jn. 14:6)
![]() ![]() |
Doli në qarkullim libri i Katekizmit “Mesazhe Hyjnore” me autor Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Anastasi, përkthyer nga Theodhor Bendo, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
