Fjalën e hapjes e mbajti Hirësi Nikolla, i cili theksoi rëndësinë e sakrificës: “Nëse do duhet të punojmë në vreshtin e Zotit, duhet sakrificë. Në Kishë nuk ka punë, por shërbesë. Tani për ju studentë do nisë një periudhë e re me angazhime dhe me vështirësi, por mos u shqetësoni. Perëndia do t’ju japë atë çfarë është më e mira. Kujtoni Apostull Petron kur thotë: “Përuluni në dorën e përjetshme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur”.
Pas emocioneve që përcolli Gabriela, fjalën e mori Kryepiskopi Anastas, i cili ndau me studentët e diplomuar dhe të gjithë të pranishmit shumë mesazhe dhe përjetime:
“Të falënderojmë Perëndinë, sepse Shpirti i Shenjtë brenda situatave shumë të vështira vazhdon të drejtojë Kishën tonë në rrugë të bekuara, me vetësakrifikimin e njerëzve të njohur e të panjohur. Shumë njerëz u gjendën jashtë besimit dhe Shpirti i Shenjtë i ka sjellë dhe orientuar në Kishë. Ka me mijëra të rinj që presin të njohin të vërtetën dhe ju duhet të bëheni mbartës të Shpirtit të Shenjtë për të vazhduar misionin. Nevojat në Shqipëri janë të shumta. Kisha e Shqipërisë nuk është e vogël, jemi me mijëra, por duhet të jemi llambadhe të ndezura, jo të fikura. Përpiquni të jeni të bashkuar, vetëm atëherë Shpirti i Shenjtë, është më i kapshëm dhe më i ndjeshëm në jetën tonë. Bekimet e Perëndisë të mos i mbajmë vetëm për veten, por t’i shpërndajmë edhe te të tjerët, që t’iu japim më shumë dashuri. Duhet të kemi më shumë shpresë dhe optimizëm” – theksoi Kryepiskopi.
Në fund të ceremonisë u shpërndanë diplomat dhe për të gjithë së bashku dreka në sallën e ngrënies së Akademisë, ku harmonia, këngët, kujtimet dhe falënderimet e studentëve dhe të prindërve të tyre e bënë më të ngrohtë këtë ditë të bukur jo vetëm për të diplomuarit, por edhe për të pranishmit e tjerë.
Isidor Koti
|