Të diplomuarit e rinj të Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në shën Vlash të Durrësit, u përcollën me ceremoninë tradicionale festive të fundvitit shkollor. Më 16 qershor, ata lanë stafetën tek brezat e rinj për të vazhduar misionin e tyre në veprimtaritë e Kishës. Në këtë ceremoni merrte pjesë Kryepiskopi Anastas bashkë me anëtarët e tjerë të Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Beratit Ignati, Dekani i Akademisë, Episkop Ilia Ketri, Episkop Nikolla, Episkop Andoni, Protopresviter Jani Trebicka si edhe klerikë të ardhur nga disa qytete të vendit, familjarë të të sapodiplomuarve, pedagogët dhe studentë. Fjalën përshëndetëse e kreu Dekani i Akademisë Teologjike, Hirësi Ilia, i cili iu bëri thirrje studentëve të bëhen mbajtës të fjalës së Zotit me mësimet që kanë kryer, me zhvillimin e tyre shpirtëror, me veprimtarinë në shërbimet e Kishës, por mbi të gjitha me vendosmërinë që me anën e jetës së devotshme ndaj Krishtit, do kontribuojnë në ndërtimin e Kishës së Tij në Shqipëri, do zbukurojnë shoqërinë e sotme me sjelljen fisnike, do të pastrojnë njollat e mjedisit, do përcjellin shpresën e Zotit në një botë të helmuar nga luftërat, urrejtjet dhe padrejtësitë.
Më tej, dy studentët më të mirë të diplomuar, Parashqevi Gega dhe Elizabeta Shqau mbajtën fjalimet e rastit. Studentja E. Shqau lexoi pjesën: “A mund të jetë ndonjë lavdërim i denjë për madhështinë e Perëndisë?, nga shën Augustini. Ndërsa studentja më e mirë e këtij brezi të diplomuarish, Parashqevi Gega nënvizoi: “E dimë dhe e kemi përjetuar përgjatë këtyre viteve që thirrja e Tij nuk na premton jetë të rehatshme, pa vështirësi e mundime, përkundrazi, Ai na porositi ta ngremë kryqin tonë e ta ndjekim, duke besuar se Ai do të jetë me ne deri në fund të jetës”. Në fund, fjalën përshëndetëse e mbajti Kryepiskopi Anastas, i cili theksoi: “Ne guxojmë që të shpresojmë dhe baza e kësaj shprese nuk është pa optimizëm. Në personin e Zotit Jisu Krisht mbështesim besimin për të ardhmen. Sot ka një re tjetër dëshpërimi që rëndon mbi zemrat e njerëzve, sepse pas gjithë asaj peripecie ne ecëm nën renë e errët dhe ne guxojmë që të shpresojmë. Kjo gjendje mund të ketë ndikuar edhe në Kishën tonë. Ne nuk mbetemi në cektësi kur ngjitemi në mal, por shikojmë majën e malit. Me këtë guxim duhet të ecim përpara, duke dhënë shpresë tek të tjerët. Këtë shpresë duhet ta transmetojmë në të gjitha vendet ku shkojmë. Jo me dëshirat tona, por me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, Zoti do të na ndihmojë që të ecim në veprën tonë aty ku të gjithë jemi thirrur në një shpresë të përbashkët”.
Programi vijoi me këngë dhe himne të kënduara nga kori i Akademisë dhe me ndarjen e diplomave, të cilat i shpërndau Kryepiskopi. Gjithashtu, gjatë drekës që u shtrua për nder të pranishmëve foli edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, i cili tha se: “Kjo është një ditë e shënuar që të korrim kallirin me kokrra të kësaj pune të shkëlqyer në këtë shkollë. Falënderojmë Zotin për këtë begati që na ka dhuruar. Ftohemi t’i praktikojmë të gjitha ato që kemi mësuar. Të gjithë jemi të zgjedhur nga Zoti. Ai na dërgon si apostujt e Tij dhe misionarë të këtij misioni të shkëlqyer”.
Në fund të kësaj dite, studentët e sapodiplomuar u larguan mes shumë urimeve dhe përgëzimeve të marra nga kolegët e tyre, pedagogët dhe të gjithë të pranishmit.
Isidori Koti