Të premten, dt. 13 qershor 2014, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” u diplomuan 10 djem e vajza, të cilët iu shtuan kuadrit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Diplomimi i tyre u krye në një ceremoni të mbajtur në sallën e Skitit të Miroprurëseve, pranë Akademisë Teologjike dhe Manastirit të Shën Vlashit, që u parapri nga me kremtimin e Liturgjisë Hyjnore në kishën Shën Vlashit. Në ceremoni morën pjesë Fortlumturia e tij Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, Mitropoliti i Beratit Imzot Ignati, Episkop Nikolla drejtor i Akademisë, Episkop Andoni, Episkop Asti, pedagogët dhe studentët e Akademisë, si dhe familjarët e miqtë e studentëve që u diplomuan.
Ceremonia u hap me një këngë të kënduar nga Kori i Akademisë. Më pas, Episkop Nikolla mbajti një fjalim për studentët që po diplomoheshin. Justina Dhima, në fjalën e saj përshëndetëselexoi disa pjesë të zgjedhura nga shkrimet e Shën Joan Gojartit. Pastaj, Kostandina Rrasa, studentja me rezultatet më të larta, mbajti fjalimin e saj përpara të pranishmëve. Në përfundim, Fortlumturia e tij, Kryepiskopi Anastas iu drejtua studentëve për rolin dhe përgjegjësinë e tyre në vazhdim në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në shoqërinë e vendit. Më pas kryepiskopi u dha diplomat studentëve.
Atmosfera festive u shtri në vazhdim edhe në drekën që Akademia Teologjike shtroi për të gjithë të pranishmit. Lutemi që këta studentë të ecin në rrugën që Zoti i ka drejtuar dhe të jenë të suksesshëm në udhëtimin e tyre për të lavdëruar Perëndinë.
Dhjakon Stefan Ritsi