Që prej tetorit 2010, me mbështetjen financiare të Fondacionit Vodafone – Albania, zyra Diakonia Agapes e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, po zbaton në zonat rurale të Librazhdit projektin “Fuqizimi i grave në zonat rurale”.
Duke përfshirë gra të moshës 18-55 vjeç, në takime me tematikë shëndetësore e sociale, mbështetje dhe përmirësim të infrastrukturës së qendrave shëndetësore të fshatrave, botimin e librit “Atje ku nuk ka mjek”, broshura, fletëpalosje etj., synohet fuqizimi i pozitës së tyre shoqërore dhe ekonomike.
Aktiviteti më i fundit i organizuar me këtë grup ishte kursi i trajnimit me tematikë bujqësore. Kështu, gra të fshatit Spathar janë njohur me informacionet më të fundit lidhur me kultivimin e pemëve frutore dhe vreshtarisë. Gjatë këtyre kurseve të drejtuara nga një agronom i zonës, pjesëmarrëset diskutuan dhe u aftësuan me metodat më të reja dhe efikase për rritjen e prodhimtarisë dhe mënyrën e ofrimit të produktit për blerësit. Përveç informacionit teorik, pjesëmarrëset kishin mundësi të praktikonin njohuritë e marra pasi iu ofruan fidanë (vreshta apo pemë frutore), për të cilat kanë kontribuar financiarisht edhe ato vetë. Duke parë interesin me të cilin ndoqën kurset e trajnimit si dhe motivimin e entuziazmin me të cilin u angazhuan për të kryer mbjelljet dhe ofruar shërbimet ndaj fidanëve të rinj, shpresohet se aktiviteti do t’ia arrijë qëllimeve të veta nga të cilat mund të përmenden: ndërgjegjësimi i fermereve për të ofruar prodhime me standarde të larta me qëllim rritjen dhe konsolidimin e kushteve ekonomike të familjeve të tyre si edhe rritjen e vetë-vlerësimit të këtyre grave fermere për kontributin që japin në përmirësimin e kushteve të përgjithshme të jetës, në familje dhe komunitetet e tyre.
Oltiana Thomai