Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Rruga e Kavajës Nr. 151, Tiranë.

Njoftim shtypi

 Çmim prestigjioz nga Fondacioni Ndërkombëtar për Unitetin e Popujve Orthodhoksë me qendër në Moskë akorduar Fortlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit

    Çmimi “Për veprimtari të shquar në forcimin e unitetit të popujve Orthodhoksë” i jepet çdo vit njerëzve që kanë dhënë kontribute të mëdha të përmasave botërore. Për vitin 2005 ai iu akordua Kryepiskopit Anastas me motivacionin: “Për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për ringritjen nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe për kontributin e tij tashmë të njohur botërisht për paqen, dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet popujve dhe komuniteteve të ndryshme”. Ky çmim iu dha gjithashtu Presidentit të Republikës së Qipros, Kryetarit të Bashkisë së Moskës dhe Universitetit të njohur të Balamandit, Liban. Në ceremoninë e rastit, në Katedralen e madhe të Moskës “Krishti Shpëtimtar”, më 21 janar 2006, ishin të pranishëm 2500 vetë, hierarkë të lartë orthodhoksë, personalitete shtetërore, përfaqësues të dëgjuar të artit, kulturës, shkencës dhe të përfaqësive diplomatike në Rusi.

    Më 22 janar, në Katedralen historike, “Fjetja e Shën Marisë” që ndodhet në Kremlin, u mbajt Liturgjia Hyjnore e kryesuar nga Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë Aleksi II dhe Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi. Për herë të parë në këtë katedrale, ku janë kurorëzuar carë dhe patrikë, u dëgjuan gjatë Liturgjisë edhe lutjet në gjuhën shqipe. Patriku shtroi një drekë në Kremlin për nder të laureatëve të çmimit, ku morën pjesë shumë personalitete dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

    Në mbrëmje, në ambientet e Kremlinit, Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin priti në një takim Patrikun Aleksi II dhe Kryepiskopin Anastas, si dhe laureatë të tjerë të çmimit. Presidenti Putin në bisedën me Kryepiskopin Anastas u shpreh se nëpërmjet tij sheh dinamizmin dhe frymën krijuese të Shqipërisë.

    Edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës Shqiptare në Moskë z. Halit Furriku, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e rastit, shtroi një darkë në ambientet e ambasadës për të nderuar Kryepiskopin Anastas. Në darkë ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Ruse dhe të Patrikanës së Moskës. Të pranishmit theksuan rolin e madh dhe përpjekjet e Kryepiskopit për njohjen e vlerave të popullit shqiptar kudo në botë dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë.

    Të nesërmen, Kryepiskopi Anastas u ftua për një intervistë në agjencinë e dëgjuar ruse të lajmeve “Novosti”, ku morën pjesë përfaqësuesit më të rëndësishëm të mediave ruse. Kjo intervistë dhe ceremonia e dhënies së çmimit, fjalimet dhe intervistat e tjera të Kryepiskopit u pasqyruan gjerësisht në gazetat dhe televizionet kryesore të Rusisë. Gjithashtu, interes të veçantë ngjalli fjalimi i Kryepiskopit Anastas para studentëve dhe stafit pedagogjik të Universitetit “Shën Tihoni”, Moskë, i cili u pasua nga një bashkëbisedim i ngrohtë.

    Paraditen e së martës Patriku i Moskës takoi Kryepiskopin dhe delegacionin që e shoqëronte, përpara largimit nga Moska. Ata patën një diskutim të ngrohtë e miqësor mbi shumë çështje të Kishës dhe të shoqërisë së sotme.

 Tiranë 24.1.2006