Fjetja e Hyjlindëses.

 

    Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi kreshmor. Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore. Sikurse edhe në Lindjen e Virgjëreshës dhe në festën e Hyrjes së saj në Tempull, ne nuk kemi burime biblike apo historike as për këtë festë. Tradita e Kishës thotë që Maria vdiq, siç vdesin të gjithë njerëzit, jo “vullnetarisht”, si Biri i saj, por, si pasojë e natyrës së vdekshme njerëzore, e cila është e lidhur në mënyrë të padukshme me prishjen e kësaj bote.

    Kisha Orthodhokse na mëson se Maria nuk ka mëkate personale. Megjithatë, në Ungjillin e festës, në shërbesat liturgjike dhe në ikonën e Fjetjes, Kisha shpall, se Maria, me të vërtetë kishte nevojë të shpëtohej nga Krishti, ashtu si të gjithë njerëzit janë shpëtuar nga mundimet, vuajtjet dhe vdekja e kësaj bote; dhe mbasi ajo vdiq, ajo u ngjall nga Biri i saj si Nëna e Jetës dhe se tani merr pjesë në jetën e amëshuar të Parajsës, e cila është përgatitur dhe i është premtuar të gjithë atyre që “e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë” (Lluka 11;27-28). Në lindjen tënde virgjërinë e ruajte, në fjetjen tënde s’e harrove botën, o Hyjlindëse. Në jetën e qiellit shkove, o Nënë e Jetës, me lutjet tuaja çliro shpirtet tona prej vdekjes (Përlëshorja). Zonjën që është e pafjetur për ndërmjetime dhe shpresën tonë të patundur për çdo mbrojtje, varri dhe vdekja s’e zotëruan dot, se ishte Nëna e Jetës dhe përsëri në jetë e çoi, ai që banoi në gjirin e saj të virgjër (Shkurtorja).

    Shërbesat e festës përsërisin temën kryesore, atë që Nëna e Jetës ka “kaluar në harenë qiellore, në ngazëllimin hyjnor dhe në gëzimin pambarim” të Mbretërisë së Birit të saj (Varg Mbrëmësor). Këndimet e Dhiatës së Vjetër, si edhe këndimet e Ungjillit në Mëngjesoren dhe në Meshën Hyjnore, janë të njëjta me ato të festës së Lindjes dhe të Hyrjes në Tempull. Kështu, në Mëngjesore ne dëgjojmë përsëri Marinë të thotë: “Shpirti im madhëron Zotin dhe mendja ime u ngazëllua për Perëndinë, Shpëtimtarin tim” (Lluka 1:47). Në Meshën Hyjnore, ne dëgjojmë Apostullin nga Filipianët, ku Shën Pavli flet për vetëzbrazjen e Krishtit, i cili zbriti në formën e shërbëtorit dhe në vdekjen e turpshme që të “lartësohej” nga Perëndia, Ati i tij (Filipianët 2:5-11). Dhe përsëri ne dëgjojmë në Ungjill, se lumëria e Marisë i përket të gjithë atyre që “e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë” (Lluka 11:27-28).

    Kështu, festa e Fjetjes së Hyjlindëses është kremtimi i faktit, që të gjithë njerëzit janë “lartësuar” në lumërinë e Krishtit fitimtar dhe që ky lartësim tashmë është kryer tek Maria Hyjlindëse. Festa e Fjetjes është shenja, garancia dhe kremtimi, se fati i Marisë është destinimi i të gjithë atyre “të përunjurve”, shpirtrat e të cilëve madhërojnë Zotin dhe mendjet e të cilëve ngazëllohen për Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre dhe jetët e të cilëve i janë kushtuar krejtësisht dëgjimit dhe ruajtjes së Fjalës së Perëndisë, e cila i është dhënë njerëzve në fëmijën e Marisë, Shpëtimtarin dhe Çlironjësin e botës.

    Së fundi, duhet të theksohet, se në të gjitha festat e Virgjëreshës Hyjlindëse, të krishterët orthodhoksë kremtojnë faktet e vetë jetës së tyre, në Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë. Ajo që ndodhi me Marinë, ndodh me të gjithë ata që imitojnë jetën e saj të shenjtë plot përunjësi, bindje dhe dashuri. Së bashku me atë, të gjithë njerëzit do të jenë “të bekuar”, do të jenë “më të nderuarën se Keruvimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim se Serafimët”, nëse ata ndjekin shembullin e saj. Tek të gjithë ata do të lindë Krishti, me anë të Shpirtin të Shenjtë. Të gjithë ata do të bëhen tempuj të Perëndisë së gjallë. Të gjithë ata, që bëjnë jetën që bëri Maria, do të marrin pjesë në jetën e amëshuar të Mbretërisë së Perëndisë.

    Në këtë kuptim, gjithçka që është lavdëruar tek Maria, është një shenjë që tregon se çfarë i është ofruar çdo personi në jetën e Kishës. Për këtë arsye, Maria me fëmijën e saj hyjnor në duar, quhet në Traditën Orthodhokse Imazhi i Kishës. Sepse bashkësia e të shpëtuarve përbëhet nga ata, në të cilët Krishti banon. Në disa Kisha është zakon të bekohen lulet në festën e Fjetjes së Hyjlindëses së Shenjtë.