|
|
|
|
1.Çfarë thonë shenjtorët për kreshmën? |
|
Qëllimi i kreshmës
“Kreshmët janë ilaç, por ilaçi sado i dobishëm që të jetë, shpesh nuk vlen aspak kur nuk ka përvojë ai që e përdor. Sepse, duhet që njeriu të dijë kohën e përdorimit, sasinë e nevojshme, gjendjen e trupit që do ta marrë ilaçin, kushtet klimatike, dietën që duhet të mbajë, stinën më të përshtatshme të vitit, e shumë të tjera si këto, të cilat po të mos i kemi parasysh, ilaçi nuk sjell asnjë dobi. Prandaj Kisha jonë e Shenjtë i ka caktuar periudhat kur i krishteri orthodhoks duhet të mbajë kreshmë.
Kreshmët që i ka caktuar Kisha të mbahen para të kremteve të mëdha të krishterimit, kanë për qëllim kryesor të na përgatisin shpirtërisht për t’u njohur dhe ndërgjegjësuar me ngjarjet e mëdha që kremtojmë ato ditë”.
Shën Joan Gojarti
Tregoje kreshmën me vepra
“Mban kreshmë? Tregoje me vepra.Çfarë veprash? Kur shikon ndonjë të varfër, ndihmoje. Kur shikon armikun tënd, të pajtohesh dhe të bëhesh mik me të, të mos shash, të mos shpifësh, të mos vjedhësh, të mos bësh ndonjë padrejtësi, të mos mbash nëpër gojë njerëzit, etj. Me fjalë të tjera, nuk duhet të mbajë kreshmë vetëm goja, por edhe syri, edhe veshi, edhe këmbët dhe të gjitha pjesët e trupit tënd.
Le të mbajnë kreshmë duart duke mos u ndotur me vjedhje dhe grabitje.
Le të mbajnë kreshmë këmbët duke u larguar nga rruga që të çon nëpër qendra mëkatare dhe nëpër mbledhje imoralësh.
Le të mbajnë kreshmë sytë duke mos u hedhur në fytyra të bukura me qëllim satanik e shtazor, sepse do të ishte një gjë qesharake sikur gojën ta largosh nga gjellët, të cilat në fund të fundit nuk janë të këqija në vetvete, kurse syve t’u japësh leje të shohin gjëra që janë të ndaluara dhe që janë vetvetiu të liga.
Nuk ha mish? Mirë bën, por mos i lër sytë e tu të hanë imoralitet dhe paturpësi.
Le të mbajë kreshmë edhe veshi. Por, kur mban kreshmë veshi? Kreshma e veshit është të mos dëgjojë e të mos pranojë as sharje, as shpifje, as qortime. Sepse Shkrimi i Shenjtë thotë: “Të mos pranosh të dëgjosh kallëzime dhe fjalë të liga”.
Le të mbajë kreshmë edhe goja, e goja mban kreshmë kur nuk nxjerr asnjë fjalë të keqe. Se me të vërtetë, çfarë dobie vjen kur nga njëra anë nuk hamë mish dhe peshk e ushqime të tjera kreshmore, e nga ana tjetër, kafshojmë dhe copëtojmë të afërmit tanë?
Shën Joan Gojarti
Kreshma: Themeli i virtyteve
Kreshma lind profetët, forcon të dobëtit. Kreshma urtëson ligjvënësit. Është mbrojtëse e shpirtit, shoqëruesi besnik i trupit, armë e fitimtarëve, ushtrim për atletët. Është dëbuese e tundimeve dhe parapërgatitëse për fitimin e devotshmërisë. Është mik i vigjilencës dhe krijues i urtësisë. Në luftë sillet me trimëri, ndërsa në kohë paqeje mëson qetësinë. Të përsos dhe të shenjtëron. Kreshma zhduk fuqinë e zjarrit dhe mbyll gojët e luanëve. Kreshma ngjit lutjen në qiell e për rrjedhojë lartëson shpirtin. Është nëna e shëndetit. Pedagog i të rinjve. Stolia e pleqve.
Shën Vasili i Madh
Dobitë që vijnë nga kreshma
Kreshma është mjeku i shpirtrave tanë. Ajo zbut inatin, shton zellin për të bërë të mirën. Zbut zemrën. Pastron mendjen nga mendimet e liga. Frenon gjuhën që të mos thotë fjalë të tepërta e të pahijshme. Frenon sytë të mos jenë kureshtarë të shohin andej e këtej, por e bën secilin të tregojë kujdes për veten e tij dhe e mëson të kujtojë gjithnjë mëkatet e tij duke e larguar kështu nga gjykimi i të afërmit.
Shën Simeoni Teolog i Ri
Kur bën dobi kreshma?
“Le të kemi përmbajtje në gjithë shqisat tona. Pra, nëse kreshmon nga ana ushqimore, por i lë sytë e tu të shohin me kureshtje, kështu ata krijojnë smirë dhe zili në shpirtin tënd, dhe nëse veshi yt pranon sharje, këngë të pahijshme, përgojime, fjalë të këqija dhe pranon dhe gjëra që dëmtojnë dhe shqisat e tjera, cila është dobia e kreshmës? Patjetër nuk do kesh asnjë dobi. Pra, nevojitet një kreshmë, jo vetëm nga ana ushqimore, por një kreshmë me gjithë shqisat tona”.
Shën Grigor Pallamai
Bëje çdo gjë për hir të Zotit
Ka shumë gjëra që bëhen nga njerëzit dhe që janë të mira nga natyra e tyre, por nuk janë të mira për ndonjë shkak, si p.sh.: Kreshma dhe agripnia, lutja dhe psalmodia, lëmosha dhe mikpritja, nga natyra e tyre janë vepra të mira, por kur bëhen nga lavdidashja, tashmë nuk janë më të mira.
Perëndia nga të gjitha veprat tona kërkon qëllimin e tyre, d.m.th nëse i bëjmë për hir të Atij, apo për ndonjë shkak tjetër.
Shën Maksim Konfesori
2. Si të kreshmojmë ne në mënyrë të shenjtë?
-
Të kreshmojmë, jo vetëm nga ana ushqimore, por edhe të largohemi nga mëkatet. Pra, një kreshmë ushqimore dhe shpirtërore.
-
T’i falim dhe t’i ndjejmë ata që na kanë lënduar shpirtërisht.
-
Ta shoqërojmë kreshmën me lutje dhe të kushtojmë më shumë kohë në leximin e Ungjillit dhe të librave të tjerë shpirtërorë.
-
Ta shoqërojmë kreshmën me lëmoshë, pra të ndihmojmë atë që ka nevojë.
-
Ta shoqërojmë kreshmën me përulësi, pendim. Rreziku më i madh në kreshmim është të krenohemi për përpjekjet tona dhe të gjykojmë të tjerët që nuk kreshmojnë.
-
Të kuptojmë që kreshma nuk është fundi, por është një mënyrë për të arritur në fund. Nuk është qëllim, por mjet për arritjen e qëllimit.
-
Të kreshmojmë në fshehtësi; dhe Perëndia që sheh se çfarë bëhet në fshehtësi do të na shpërblejë hapur.
-
Të kreshmojmë me gëzim dhe duke u përpjekur të kemi sa më shumë dashuri për Perëndinë dhe për çdo njeri.
-
Kreshmo nga ana ushqimore dhe lartësohu nga ana shpirtërore.
Le të kreshmojmë një kreshmë të pëlqyer tek Perëndia.
Le “presim dëshirën tonë”, le të bëjmë dëshirën e Perëndisë, sepse vetëm kështu do të fitojmë përulësi dhe dhe do të kemi një komunikim të pandërprerë me Perëndinë. Dhe kështu arrihet qëllimi i kreshmës: Lartësimi i shpirtit tek Perëndia. Dhe, le të mos harrojmë që e gjithë jeta jonë është një kreshmë, një kreshmë nga ana shpirtërore, pra një largim nga mëkati.
R. B.
Për të gjithë besimtarët, periudha 15 nëntor – 24 dhjetor, sipas kalendarit të krishterë orthodhoks, përkon me Kreshmën, periudhë përgatitore për të kremten e madhe të Krishtlindjeve (25 Dhjetor). Kreshma konsiston në kufizimin e disa lloj ushqimesh, shoqëruar me një përpjekje të madhe shpirtërore.