Të martën, 6 nëntor 2012, fjeti më Perëndinë Patriarku i Kishës Orthodhokse të Bullgarisë, Maksimi. Ai ndërroi jetë në spitalin ku ishte shtruar, në të cilin pak ditë më parë kishte mbushur 98 vjet. Homazhet e dhe më pas Shërbesa e Varrimit u kryen në Katedralen qendrore të Shën Aleksandër Nevskit.. Në Shërbesë morën pjesë Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Bullgare, klerikë të shumtë, mijëra besimtarë, autoritete, personalitete etj. Morën pjesë edhe Patriarku Ekumenik Vartholomeu, Patriarku i Serbisë Irineu, Kryepiskopi i Greqisë Jeronimi etj. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, i shoqëruar nga Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni. Trupi i Patriarkut Maksim u vendos më pas në manastirin e njohur të Troyanit pranë fshatit të tij të lindjes
Fortlumturia e Tij, Patriarku i Bullgarisë Maksimi (Marin Naydenov Minkov), u lind më 29 tetor të vitit 1914, në fshatin Oresak. Në moshën 27-vjeçare u qeth murg në manastirin e fshatit të tij. Studioi Teologji në Universitetin e Sofjes, ndërsa në vitin 1944 u dorëzua prift dhe më 1947 mori titullin arqimandrit. Nga viti 1950 deri në vitin 1955 shërbeu si drejtues i metoqit të Patriarkanës Bullgare në Moskë. Më 30 dhjetor 1956 u hirotonis episkop titullar i Branicës. Më 30 tetor 1960 u zgjodh Mitropolit i Lovech-it. Ndërsa më 4 korrik 1971 u zgjodh Mitropolit i Sofjes dhe Patriark i Bullgarisë.
Thoma Dhima