Është bërë e zakonshme që për Krishtlindje, që ndryshe quhet në gjuhën e popullit Pashka e Vogël, të organizohen programe festive në enori dhe zona të ndryshme të vendit, të organizuara nga Zyra Qendrore e Katekizmit në bashkëpunim me Zyrën e Fëmijëve pranë Mitropolisë së Hirshme të Tiranës. Këtë vit midis shumë të aktiviteteve të tjera ata organizuan enkas edhe një program festiv për fëmijët e zonës përreth Manastirit të Shën Joan Vladimirit, në Elbasan, që u zhvillua në mjediset e këtij manastiri të martën dt. 20 dhjetor. Në programin e këtij aktiviteti fëmijët mësuan dhe kënduan këngë Krishtlindjeje, treguan histori për Krishtlindjen, që flisnin për ardhjen e Zotit në tokë, moment që tregon dashurinë e Zotit për të gjithë krijesën, si edhe histori të tjera shenjtorësh që lidhen me Krishtlindjen.

    Në këtë program fëmijët paraqitën edhe punët e tyre të dorës, të cilat u vlerësuan shumë nga organizuesit dhe më pas i vendosën në pemën e tyre të Krishtlindjes. Në fund të këtij takimi ngazëllues ata qëndruan së bashku në një koktej, uruan njeri-tjetrin dhe kaluan kështu disa orë me gëzim dhe harmoni Krishtlindjeje.

    Po në kuadrin festiv të Krishtlindjes fëmijët e kësaj zone disa ditë më parë u gëzuan edhe me shikimin e teatrit të kukullave «Historia e Ekaterinës» e përgatitur nga Zyra e Fëmijëve.

                                                                              Korrespodent i Radio “Ngjalljes”