Pemë të stolisura, rrugë të ndriçuara dhe ngado zbukurime. Kjo atmosferë festive nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse një prelud Krishtlindjesh. Qyteti i serenatave, kitarave dhe mandolinave, qyteti i traditave të mrekullueshme, Korça.
Festa ndjehet kudo në çdo rrugë dhe në çdo shesh. Dhe gjithë këtij sfondi festiv i shtohet dhe aktiviteti i Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, që përbën edhe zemrën e këtyre festimeve.
|
Duke filluar nga data 22 dhjetor u hapen aktivitetet festive me Koncertin Rinor të Dioqezës së Korçës, zhvilluar në sallën poshtë katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Në këtë festim morën pjesë grupe të ndryshme të Dioqezës si Erseka, Hoçishti, Polena, Progri, Prespa etj, por nuk munguan edhe grupe të ndryshme nga qyteti i Korçës, si kori engjëllor i katedrales, fizarmonika, violina dhe këngëtarë nga Shkolla e Mesme Artistike, këngëtarët dhe valltarët e vegjël nga Qendra Kulturore e Fëmijëve madje dhe punimet e piktorëve të rinj, të cilat u vendosën në ambientet e sallës, duke krijuar kështu një ekspozitë, e cila shoqëronte aktivitetin. |
|
|
|
Mbas prezantimit të të gjitha grupeve pjesëmarrësit në këtë aktivitet por edhe të pranishmit në sallë i përshëndeti edhe Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani, duke shpallur në këtë ditë edhe mesazhin e tij atëror për festën e Krishtlindjes: |
|
“Forcat engjëllore ngazëllohen, edhe i tërë dheu bashkë me njerëzit gëzohet! Kështu këndojmë në Lavdërimet e Krishtlindjeve. Dhe jo vetëm Lavdërimet, por të gjitha këngët, këndimet, himnet dhe psalmet e Krishtlindjeve kanë një temë të përbashkët: gëzimin. Ato shprehin një gëzim të madh dhe një ngazëllim të papërshkruar, një gëzim ku marrin pjesë fuqitë e qiellit, toka dhe të gjithë njerëzit, një gëzim që përfshin tërë universin.
|
|
|
|
Fuqitë qiellore, nga dashuria dhe dhembshuria për njerëzit, gëzohen se erdhi Shpëtimtari. Toka gëzohet se bashkohet përsëri me qiellin. Njerëzit gëzohen sepse erdhi drita dhe u largua errësira, gëzohen sepse ata nuk janë më të vetmuar në një botë ku mbretëron dëshpërimi, mundimi, pasiguria dhe frika. Perëndia është tashmë mes tyre dhe vendin e dëshpërimit e zë gëzimi dhe shpresa. |
|
Të dashur motra dhe vëllezër! Gëzimi është një dhuratë e jashtëzakonshme. Njeriu është krijuar për të qenë një qenie e gëzuar. Pa gëzimin jeta nuk është më e plotë dhe qenia njerëzore është e gjymtuar. Por nuk mund të ketë gëzim pa praninë e Zotit në jetën tonë. Prandaj le të gëzohemi me Lindjen e Krishtit. Le t’i hapim zemrat tona dhe le të mirëpresim ardhjen e Tij. Drita e tij do e heqë errësirën, trishtimin dhe frikën nga jeta jonë dhe prania e Tij do të na mbushë me shpresë, kurajë dhe ngazëllim. |
|
|
|
Në këtë ditë gëzimi dua t’i përshëndes të gjithë duke uruar: Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet!” Ky aktivitet u ndoq edhe nga personalitete të pushtetit vendor të cilët ishin të ftuar. Në përfundim u prezantua edhe ekspozita e piktorëve të rinj të cilët vinin nga Shkolla e Mesme Artistike e qytetit. Po kaq e gëzuar vazhdoi atmosfera festive nga kënga në këngë. |
|
Në datën 23 dhjetor, në orët e mbasdites, një tjetër ngjarje e madhe, grupe-grupe fëmijësh, të rinjsh, por edhe të moshuarish ishin derdhur rrugëve të qytetit, duke shpallur lajmin gazmor se në botë lindi shpëtimtari. Kjo traditë e cila ruhet fort në qytetin e Korçës sa vjen dhe merr përmasa më të mëdha. Gëzimi që buron nga Krishtlindja prek gjithmonë dhe më shumë identitetin e çdo cepi të Korçës. Grazhde të zbukuruar kalojnë rrugëve dhe këngët gazmore të kolendrave zgjojnë brenda njerëzve ndjenjën e shpresës. |
|
|
|
Apogjeu i festës së Krishtlindjes ishin kambanat e datës 25 dhjetor kur festimi arriti kulmin e tij me liturgjinë e Krishtlindjes në të gjitha kishat e qytetit. Qindra e mijëra besimtarë u mblodhën në këtë ditë pranë kishave të enorive të tyre. |
|
Ndërsa në katedralen Ngjallja e Krishtit liturgjia u celebrua nga Mitropoliti Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani. I cili në këtë ditë përcolli mesazhin e dritës dhe të gëzimit, duke theksuar: “Të dashur motra dhe vëllezër më Krishtin! Jemi mbledhur për të kujtuar ngjarjen më të rëndësishme të gjithë krijimit. Është dita kur Zoti shfaqet në botë. Të krishterët që në shekujt e parë nuk e kanë ndarë festën e Krishtlindjeve nga festa e Epifanisë, për të theksuar se kjo është festa e shfaqjes së Zotit në botë, jo vetëm që lartazi, por shfaqjes së Tij si njëri nga ne: Marrja e trupit njerëzor nga Zoti dhe Shpëtimtari ynë Jisu Krisht. |
|
|
|
Të gjitha psalmet e Kishës dhe himnografia e Krishtlindjeve është e mbushur me fjalën dritë. Krishti paraqitet si Dielli i Drejtësisë, si Drita e brendshme, si Drita që ndriçon në çdo errësirë. Drita ka qenë një nga gjërat që njerëzimi ka kërkuar. Drita që ndriçon të gjithë shpirtrat e njerëzve për të krishterët është Krishti. Theksohet në Krishtlindje nata, nata e shenjtë, nata e qetë, sepse nata dhe errësira gjithmonë kanë simbolizuar peshën e rëndë të tiranisë së mëkatit. Tërë njerëzimi jetonte nën natën e mëkatit, nën një lloj verbërie shpirtërore, mendore dhe fizike. Njerëzimi jetonte me shpresën që do të vinte një dritë. |
|
Shpëtimtar dhe Dritë janë fjalë sinonime, sepse kjo dritë ishte ajo që ndriçonte në atë natë dhe duke ndriçuar atë natë ndriçoi tërë netët, sepse nata është simbol i mëkatit dhe i verbërisë dhe drita erdhi si një foshnjë. Etërit e Kishës e kanë quajtur Krishtin si Drita e brendshme dhe kanë dashur të thonë se kjo është e vetmja dritë që mund të ndriçojë çdo skutë të shpirtit njerëzor. |
|
|
|
Drita e Krishtit është një dritë që i jep shpjegim të gjitha problemeve të jetës së njeriut. Atyre që nuk u jep dot përgjigje filozofia ose dijet e akumuluara nga njerëzimi, Krishti ka fuqi që t’ju japë shpjegim. Krishti është drita që ndriçon çdo njeri që vjen në botë. Ai është Jeta – thotë Shën Joani – dhe Jeta ishte drita e njerëzve dhe drita ndriti në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi. Duhet ta kuptojmë thellë atë dritë. Festa e Krishtlindjeve nuk duhet të jetë thjesht një festë e jashtme, nëse drita nuk do të lindë brenda nesh, tërë dritat që do të ndezim jashtë nuk do të kenë dobi. |
|
Kisha dhe Krishti i kërkon gjithsekujt që në këtë ditë të japë çdo gjë të keqe që ka dhe ta hedhë tutje. Nëse dikush i ka bërë padrejtësi dikujt, le t’ia kthejë këtë ditë, nëse dikush ka gënjeshtrën në shpirt le ta hedhë tej këtë ditë, nëse dikush ka shpifje, smirë e gjëra të tjera sot është dita për t’i hedhur tej. Këto ditë janë, ashtu si Pashka, Krishtlindja e të tjera, për të na kujtuar ne pak më thellë, për ta kapërcyer festën e zakonshme. Kjo nuk është një ditë vetëm për t’u mbledhur dhe për të ngrënë, ato janë thjesht shenja të jashtme të një gëzimi të brendshëm, nëse ne nuk do të kemi gëzimin e brendshëm festa nuk do të ketë kuptim dhe që të kemi gëzimin e brendshëm ne duhet të kemi pastruar zemrën dhe të kemi hedhur tej gjithçka të keqe që errëson shpirtin njerëzor. Nga ajo dritë e Bethlehemit deri më sot nuk është zbehur asgjë, ai gëzim i barinjve, ai gëzim i magëve që panë yllin dhe u mbushën me një gëzim të madh ekziston akoma edhe sot dhe kjo është një lloj shenje që Krishti ishte Perëndia dhe Perëndia është i pavdekshëm dhe e ruan gjithmonë freskinë. Ajo skenë që ka ndodhur para 2000 vjetësh ka frymëzuar për 2000 vjet dhe do të frymëzojë në jetë të jetëve të gjithë njerëzit. Ndoshta ne nuk mund ta shpjegojmë dot se si, me anë të arsyes, pse është ky gëzim i madh, por gjithsekush në këtë stinë ndjen një lloj gëzimi. Askush nuk do të gëzohet nëse shpirti i tij do të jetë në errësirë, prandaj do t’iu lutesha të gjithëve që kjo ditë të shërbejë për një pajtim akoma më të madh. Le të shërbejë kjo ditë për të falur çdo të keqe që kemi ne dhe për ta ndriçuar shpirtin me dritën e Krishtit. Drita ka ardhur në botë dhe i përket gjithsecilit nga ne që ta ndezi pishtarin e tij tek drita e madhe dhe lum ai njeri që do të futë në zemrën dhe shpirtin e tij dritën e Krishtit. Le t’i lutemi Zotit që lindi dhe u bë si njëri nga ne, që ta bekojë dhe shenjtërojë qytetin tonë, Kishën tonë dhe gjithë planetin. Amin.” Mbas Liturgjisë së Krishtlindjes në Selinë e Mitropolisë së Shenjtë dhe Perëndishpëtuar të Korçës, Imzot Joani priti vizita dhe urime nga Kryeministri i z. Sali Berisha, deputetë, pushtetarë vendorë dhe personalitete të tjera të qytetit, si edhe nga qindra besimtarë që në këtë ditë shkëmbenin urime njëri me tjetrin, duke reflektuar gëzimin natyror të kësaj dite.
* * *
Në frymën e Krishtlindjes, në datën 26 dhjetor, nga Imzot Joani, u ndanë dhurata për fëmijët jetimë në qytetin e Korçës, rreth 100 dhurata u ndanë për fëmijët jetimë në qytetin e Pogradecit, si edhe rreth 250 dhurata u ndanë për fëmijët në qytetin e Leskovikut. Gjatë ndarjes së dhuratave Hirësia e Tij Imzot Joani u shpreh se kjo dhuratë nuk mund të zgjidhë hallet, por është një shenjë që këta fëmijë nuk janë të harruar nga shoqëria dhe se dikush mendon për ta. Po në datën 26 dhjetor pranë mensës “Shërbesa e Dashurisë” Imzot Joani shtroi një drekë dhe festoi së bashku me njerëz në nevojë dhe të braktisur. Dreka e shtruar për rreth 120 persona pati si mesazh jo vetëm ndihmesën për këta njerëz, por një ndihmesë me dinjitet. Kjo atmosferë shoqëroi edhe këtë vit 2007 festën e Lindjes së Shpëtimtarit si djalë foshnjë.
Mihal Sonellari |
|











