Përfundoi takimet Asambleja e 13-të e Konferencës Evropiane të Kishave, e cila u mbajt në Lion, Francë në datat 15-21 korrik 2009. Kjo Asamble mblodhi rreth saj rreth 306 delegatë nga kisha të krishtera nga e gjithë Evropa. Një delegacion prej pesë anëtarësh i Kishës sonë, drejtuar nga Kryepiskopi Anastas, zëvendëspresident i KEK, mori pjesë në këtë Asamble.
Veprimtaria çelëse u mbajt në kishën historike të Shën Bonaventurës, ku ishin mbledhur të gjithë pjesëmarrësit e Asamblesë. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kardinali Romanokatolik Filip Barbain, arqipeshkëv i Lionit dhe Atë Athanase Iskos, përfaqësues i Këshillit Lokal të Kishave (CREL). Predikimin me temë “Të thirrur në një shpresë më Krishtin”, me të cilën u hap veprimtaria, e mbajti Zëvendëspresidenti i Konferencës Evropiane të Kishave, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi.
Pas kësaj veprimtarie, të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në Qendrën Ndërkombëtare të Kongreseve, ku edhe u çelën punimet plenare. Përshëndetjet zyrtare për fillimet e kësaj asambleje u përcollën nga Senatori bashkiak i Lionit, Z. Gérard Collomb.
Dita e Shpresës dhe dita e Vizionit, ishin tematika të lutjeve, diskutimeve në grup dhe forumeve, pjesë e aktivitetit të Asamblesë.
Data 16 korrik i filloi punimet e saj me lutjen sipas traditës orthodhokse. Më pas seanca plenare vazhdoi me një prezantim të aktiviteteve të KEK me temë “Nga Trondheim në Lyon”.
Dita e Vizionit filloi me lutjet sipas traditës protestante, e cila u pasua me studimin biblik drejtuar nga Episkopi Wolfgang Huber, Kryetar i Këshillit të Kishës Evangjeliste në Gjermani (EKD). Seancat më pas vazhduan me refleksionet në grupe të vogla, me prezantimin e takimit përpara Asamblesë nga Delegatët e rinj. Nga komiteti i emërimeve u paraqit raporti i parë i punës së bërë, i cili u pasua nga puna në grupe me diskutimet me temë: Duke parë drejt 2029 dhe Vizioni i KEK pas 2029.
Në takimet konfensionale përfaqësuesit e lartë të kishave theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë Asamble, si edhe rolin që duhet të luajë çdo kishë në vizionin dhe organizimin e KEK, e parë si një organizëm shumë i rëndësishëm në Evropë.
E shtuna, data 18 korrik, iu dedikua prioriteteve të punës së KEK gjatë viteve 2009-2015. Kjo ditë nisi me lutje sipas traditës anglikane dhe më pas vazhdoi me seancën mbi këtë temë, me një panel të ftuarish, njerëz të cilët prezantuan prioritetet e punës së KEK.
Diskutimet në grup, të cilat vazhduan gjatë mesditës u përqendruan në tema si: Dialogu më Institucionet Evropiane, Një drejtësi sociale në Evropë, Të Drejtat njerëzore dhe liria e feve, Globalizmi, Misioni, Spiritualiteti, Shpresë për drejtësi – të mbrojmë refugjatët në Evropë në shekullin 21, Dëshmi dhe përgjegjësi, Vendi i KEK në Lëvizjen Ekumenike dhe KEK si një platformë për dialog me Kishat e tjera të krishtera dhe komunitete të tjera fetare.
Rezultatet e punës në grup me temat e lartpërmendura u afishuan për të gjithë pjesëmarrësit e Asamblesë në vendin e prezantimeve.
Kjo Asamble në axhendën e saj kishte edhe zgjedhjen e Këshillit të ri Qendror, i cili do të vazhdojë punën për gjashtë vitet e ardhshme. Në seancën e pasdites u prezantuan emrat nga komiteti i emërimeve. Komiteti i mesazhit dhe komiteti i çështjeve publike prezantuan gjithashtu punën e tyre.
Nga prefektura e Lionit ishte organizuar një pritje për të gjithë pjesëmarrësit e Asamblesë në Këshillin e përgjithshëm të Rhône. Gjatë saj përshëndeti prefekti, presidenti i KEK etj. I pranishëm në pritje ishte dhe Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu.
Shërbesat e së Dielës u kryen në kishat lokale të Lionit, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të takoheshin me njerëzit e këtyre komuniteteve. Vizita në qytet përfundoi veprimtarinë e së dielës, për t’iu rikthyer seancave të Asamblesë dhe për të festuar së bashku 50-vjetorin e formimit të KEK. Kjo veprimtari ishte organizuar në formën e një historiku me të ftuar, njerëz të cilët kishin vënë fuqitë dhe punën e tyre në fillimet e krijimit të Konferencës Evropiane të Kishave. Për të festuar këtë përvjetor i pranishëm ishte edhe Tërëshenjtëria e Tij Patriarku Ekumenik Vartholomeu, i cili në fjalën e tij shprehu përgëzimet e punës së bërë nga KEK deri tani. Në mbyllje të kësaj feste, nga zyra qendrore e Asamblesë u organizua një pritje në hollin Qendrës Ndërkombëtare të Kongreseve.
Data 20 ishte dita e marrjes së vendimeve, e cila filloi me lutjen sipas traditës armene. Seanca plenare vazhdoi me raportimet e komiteteve të ndryshme, si edhe me zgjedhjet e këshillit qendror të KEK. Asambleja përfundoi takimin plenar me raportimet finale për vendimet e mara. Komiteti i Mesazhit prezantoi mesazhin final me të cilin doli kjo Asamble, mesazh i cili u aprovua nga të gjithë pjesëmarrësit.
Asambleja i mbylli punimet e saj me takimin e Këshillit të ri Qendror të KEK dalë nga kjo asamble, ku Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përfaqësohet me një anëtar. Asambleja formoi gjithashtu edhe një grup pune i cili do të ketë si prioritet punën mbi rishikimin e veprimtarisë së KEK. Edhe në këtë grup pune Kisha jonë u përfaqësua nga një anëtar.
Delegacioni i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë mbështet dhe përkrah punën e bërë nga KEK gjatë këtyre viteve, duke qenë edhe vetë pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm.





