Gjithmonë duke përcjellë mesazhin orthodhoks
Çdo numër i ri i gazetës “Ngjallja” shënon një etapë në plotësimin e misionit që ka marrë përsipër që nga numri i parë. Por, përvjetorët ngjallin emocione të veçanta dhe të paharrueshme. Numri i tetorit 2012, numri i 237 i gazetës “Ngjallja”, për-kon me 20-vjetorin e daljes së saj.
Kryepiskopi Anastas nismëtari, projektuesi dhe realizuesi i saj, e quante parësore daljen e “Ngjallja” dhe në fjalimin e Fronëzimit e kishte quajtur daljen e një gazete të Kishës si “nevojë urgjente”. Kryere-daktori i parë ishte dr. Thoma Qendro dhe këshilltari, korrespondenti, bashkëpunëtori më i vyer dhe gjithmonë i gatshëm për të shkruar ishte z. Dhimitër Beduli. Gjithashtu të gjithë ata që punonin e kontribuonin për Kishën e shihnin si detyrë dhe kënaqësi të shkruanin artikuj.
Mjedise nuk kishte. Me një kompjuter të dhuruar, u fillua puna në një dhomë të vogël private të marrë me qira, për të kaluar më vonë në një mjedis më të madh, por prapë privat. Ishte koha kur edhe Kryepiskopi e kishte zyrën në apartamentin ku banonte. Më pas u kalua në mjediset e reja që iu shtuan kishës së Ungjillëzimit, derisa, më 1995, u futëm bashkë me zyrat e tjera në godinën e Kryepiskopatës, të blerë dhe të rikonstruktuar thellësisht me fondet e siguruara nga Fortlumturia e Tij. Dhe në këtë 20-vjetor, si zyrat e tjera, gazeta do kalojë në mjediset e mrekullueshme dhe bashkëkohore të godinës së Sinodit të Shenjtë, mbrapa Katedrales madhështore “Ngjallja e Krishtit”, një dhuratë për kryeqytetin e Kryepiskopit Anastas në 20-vjetorin e zgjedhjes së tij.
Në vitin 1994 Kryepiskopi Anastas siguroi një shtypshkronjë ku nisi të botohej gazeta, kalendari dhe libra të ndryshëm. Ajo sot është kthyer në tipografi moderne, vendosur në kompleksin e punishteve “Nazaret”. Në faqet e “Ngjallja” kanë zënë vend të veçantë vit pas viti betejat për të mbrojtur Kishën tonë nga sulmet që synonin më kot të ndalnin ecjen e saj. Kanë zënë vend data historike të këtyre dy dekadave ringritjeje të mrekullue-shme nga gërmadhat, ku do të veçonim zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas, që shënoi Ringritjen Kanonike të Kishës sonë, krijimin e Sinodit të Shenjtë dhe hirotonitë e episkopëve të rinj e deri te Statuti i ri apo marrëveshja dhe njohja zyrtare nga Shteti sipas Kushtetutës.
Në “Ngjallja” ka zënë vend mendimi i klerikëve, teologëve, por edhe i besimtarëve.
Ka zënë vend vepra e shquar sociale për shtresat më në nevojë dhe kontributi i veçantë në raste krizash dhe çastet e vështira që ka kaluar vendi. Ka zënë vend roli gjithmonë në rritje i Kishës dhe Fortlumturisë së Tij mes Kishave Orthodhokse dhe atyre të Krishtera në përgjithësi, por edhe në dialogun ndërfetar, si dhe vizitat dhe veprimtaritë e rëndësishme ndërkombëtare.
Në “Ngjallja” ka zënë vend të veçantë Besi-mi Orthodhoks, shenjtorët dhe shpjegimi i besimit tonë. Ka zënë vend historia e Kishës sonë, e klerikëve dhe e figurave të shquara që kontribuuan në vite. Kanë zënë vend lajmet e ndryshme nga bota e krishterë.
E gjithë kjo ka ardhur nëpërmjet firmave tëpersonaliteteve të Kishës dhe shoqërisë sonë, ku dallohet kontributi i Kryepiskopit Anastas, por edhe atyre që kanë qenë tepër të rëndësi-shëm për ecjen e gazetës.
Një falënderim i veçantë u shkon të gjithë bashkëpunëtorëve tanë në vite, të vjetër e të rinj, të cilët kanë qenë të pazëvendësueshëm për suksesin dhe daljen e gazetës.
Gazeta “Ngjallja” iu drejtohet pjesëtarëve të Kishës sonë, por edhe jeton në saje të shkri-meve dhe ndihmës së tyre të pakursyer, ndaj mirëpresim kontributin në të të sa më shumë prej tyre, me shkrime, por edhe me sugjerime e vërejtje, në mënyrë që “Ngjallja” jo vetëm të vazhdojë misionin e saj, por edhe të rrisë nivelin dhe kontributin për ecjen përpara të Orthodhoksisë në vendin tonë.