Uji i Bekuar (Epifania)

   Gjashtë Janari është festa e Ujit të Bekuar (Epifania). Fillimisht ishte vetëm një festë e “shfaqjes së Perëndisë” në botë, në formë njerëzore. Ajo përfshinte kremtimin e Lindjes së Krishtit, adhurimin e Magëve dhe gjithë ngjarjet e fëmijërisë, si rrethprerjen dhe paraqitjen në Tempull, si edhe pagëzimin prej Joanit në Jordan. Nuk ka dyshim, që kjo festë, si edhe Pashka dhe Rushajet, u kuptua si përmbushja e një feste të mëparshme judaike, në këtë rast, Festa e Dritave. Epifani do të thotë shfaqje e sipërme. Festa quhet shpesh, sikurse është në librat e shërbesave orthodhokse, Theofani, që do të thotë shfaqje e Perëndisë. Theksi në këtë festë është në shfaqjen e Jisuit, si Mesia njerëzor i Izraelit dhe Bir hyjnor i Perëndisë, Njëri nga Trinia e Shenjtë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë.

  Kështu, në pagëzimin prej Joanit në Jordan, Jisui e identifikoi vetveten me mëkatarët, si “Qengji që ngre mëkatin e botës” (Joani 1:29), i “Dashuri” i Atit, detyra mesianike e të cilit është t’i çlirojë njerëzit prej mëkateve të tyre (Lluka 3:21; Marku 1:35). Dhe Ai është zbuluar si Njëri prej Trinisë së Shenjtë, i dëshmuar nga zëri i Atit dhe prej Shpirtit në formën e pëllumbit. Kjo është epifania qendrore, që lavdërohet në himnin kryesor të festës: Kur pagëzoheshe në Jordanin, o Zot, për ne, ahere falja e Trinisë së Shenjtë kudo u shfaq, se zëri i Atit po na dëshmonte për Ty faqeza dhe Bir të dashur të tij po të quante, edhe Shpirti i Shenjtë si një pëllumb, vërtetonte çdo fjalë me siguri. O Krisht Perëndi, që u shfaqe dhe ndriçove botën, lavdi më Ty! (Përlëshorja)U Shfaqe me lavdi, në tërë botën, edhe Drita Jote ndriçoi mbi ne sot, pra, të himnojmë me kuptim: Erdhe dhe zbulove vetveten, O Dritë e Paafruarshme (Shkurtorja).

    Shërbesat e Epifanisë janë renditur njësoj si ato të Krishtlindjes, ndonëse historikisht është e sigurtë se ato të Krishtlindjes imituan ato të Epifanisë, meqenëse u themeluan më vonë. Përsëri kemi Orët Mbretërore dhe Meshën e Shën Vasilit, të kremtuar së bashku me Mbrëmësoren në vigjiljen e festës. Profecitë e Epifanisë përsërisin Perëndia është me ne nga Isaia dhe theksojnë parashikimin e ardhjes së Mesias, si edhe të pararendësit të tij Joan Pagëzorit: Zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatisni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; të shtrëmbërat të drejtohen dhe rrugët e ashpra të sheshohen dhe çdo mish të shohë shpëtimin e Perëndisë (Isaia 40:3-5; Lluka 3:4-6).

    Përsëri, në fillimin e Meshës Hyjnore të festës, këndohen psalme të veçantë dhe rreshtat pagëzimore të Galatianëve 3:27 zëvendësojnë Himnin Trishenjtor. Këndimet nga Ungjilli në shërbesat e Epifanisë tregojnë pagëzimin e Zotit prej Joanit në lumin e Jordanit. Apostulli i kënduar në Meshën Hyjnore tregon se çfarë solli shfaqja e Zotit, e cila është epifania hyjnore. Sepse hiri shpëtimtar i Perëndisë iu shfaq tërë njerëzve dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakminë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lumur dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpërblyer nga çdo paudhësi dhe për të na pastruar për veten e tij si një popull të veçantë e të zellshëm në vepra të mira (Titi 2:11-14).

    Tipari kryesor i festës së Epifanisë është Bekimi i Madh i Ujit. Ai kryhet dy herë, në vigjiljen e Epifanisë, mbas Meshës së Shën Vasilit dhe mbas Meshës së vetë ditës. Shërbesa fillon me këndimin e himneve të veçanta dhe me temjanisjen e ujit, që është vendosur në mes të kishës*. I rrethuar me lule dhe me qirinj, ky ujë qëndron për botën e mrekullueshme të krijimit fillestar të Perëndisë dhe për lavdërimin e fundit nëpërmjet Krishtit në Mbretërinë e Perëndisë. Shpesh herë shërbesa kryhet jashtë Kishës, në një vend ku uji rrjedh natyrshëm. Zëri i Zotit po thërret mbi ujërat e thotë: Ejani të gjithë, merrni Shpirtin e urtësisë, Shpirtin e kuptimit dhe Shpirtin e frikës së Perëndisë, Zotit Jisu Krisht, që u shfaq në Jordan. Sot bekohet natyra e ujrave, sot Jordani po hapet në dysh dhe valët e tij po qëndrojnë, duke parë Zotin të pagëzohet. Si njeri erdhe në lumë, o Mbreti ynë Jisu Krisht, edhe kërkon të pagëzohesh si shërbëtor për mëkatet tona, nga dora e Profetit (Joan), O Njeridashës(Himne të Bekimit të Madh të Ujit).

    Pastaj janë tre këndime nga Profecia e Isaisë, të cilat flasin për kohën mesianike: Shkretëtira dhe dheu i thatë do të gëzohen, vetmia do të ngazëllohet dhe do të lulëzojë si trëndafili, le të lulëzojë me bollëk, le të gëzohet gjithçka…(Isaia 35:1-10)O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat dhe ju që nuk keni para ejani blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht… (Isaia 55:1-13)Me gëzim merrni ujë nga burimet e shpëtimit. Atë ditë do të thoni: “Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij… Këndojini lavde Zotit… Bërtit e ngazëllohu nga gëzimi… (Isaia 12:3-6).

    Mbas këndimit të Apostullit (1 Korinthianët 1:10-14) dhe Ungjillit (Marku 1:9-11), thuhet litania e madhe e veçantë, duke e thirrur hirin e Shpirtit të Shenjtë të vijë mbi ujin dhe mbi të gjithë ata që marrin pjesë në të. Ajo mbaron me lutjen madhështore të lavdërimit kozmik të Perëndisë, në të cilën Krishti thirret të shenjtërojë ujin, të gjithë njerëzit dhe të gjithë krijimin, nëpërmjet shfaqjes së pranisë së tij hyjnore dhe shenjtëruese, me anë të banimit të Shpirtit të Shenjtë, të Mirë e Jetëbërës. Kur këndohet përlëshorja e festës, kremtuesi zhyt kryqin në ujë tri herë dhe pastaj vazhdon, duke spërkatur me ujin në katër drejtimet e horizontit. Pastaj, ai bekon popullin dhe shtëpitë e tyre me ujin e shenjtëruar, i cili qëndron për shpëtimin e gjithë njerëzve dhe gjithë krijimit, të cilin Krishti e ka prekur nëpërmjet “epifanisë” së tij në mish, për jetën e Botës.

    Disa njerëz mendojnë se bekimi i ujit dhe praktika e pirjes dhe spërkatjes me të është një “paganizëm”, i cili ka hyrë gabimisht në Kishën e Krishterë. Por, ne e dimë se ky ritual praktikohej nga Populli i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe se në Kishën e Krishterë ka një kuptim shumë të rëndësishëm dhe të veçantë. Të krishterët besojnë se qysh kur Biri i Perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua në atë, u la prej cilësive të saj që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga i ligu dhe nga dobësia e ligësia e njerëzve. Në epifaninë e Zotit i gjithë krijimi bëhet përsëri i mirë, me të vërtetë “shumë i mirë”, ashtu siç vetë Perëndia e shpalli atë në fillim, kur “Shpirti i Perëndisë vërtitej mbi faqen e ujrave” (Gjeneza 1:2) dhe kur “Fryma e Jetës” u fry në njeriun dhe në gjithçka që bëri Perëndia (Gjeneza 1:30; 2:7).

    Bota dhe gjithçka në të është me të vërtetë “shumë e mirë” (Gjeneza 1:31) dhe kur ajo bëhet e papastër, e korruptuar dhe e vdekur, Perëndia e shpëton përsëri, duke i dhënë efektshmëri “krijimit të ri” në Krishtin, Birin e tij hyjnor dhe Zotin tonë, me anë të hirit të Shpirtit të Shenjtë (Galatianët 6:15). Kjo gjë kremtohet në Epifani, veçanërisht në Bekimin e Madh të Ujit. Shenjtërimi i ujrave në këtë festë e vendos tërë botën – nëpërmjet “elementit të saj primar”, i cili është uji – në perspektivën e krijimit, shenjtërimit e lavdërimit kozmik të Mbretërisë së Perëndisë në Krishtin dhe Shpirtin. Ky na tregon që njeriu dhe bota me të vërtetë ishin krijuar dhe shpëtuar, që të jenë “mbushur me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianët 3:19), “plotësia e atij që mbush të gjitha në të gjitha” (Efesianët 1:23). Kjo na tregon se Krishti, në të cilin “banon trupërisht tërë plotësia e hyjnisë”, është dhe do të jetë me të vërtetë “i gjithë dhe në të gjitha” (Kolosianët 2:9; 3:11). Kjo na tregon gjithashtu, se “qielli i ri dhe dheu i ri”, të cilat Perëndia i ka premtuar me anë të profetëve dhe apostujve të Tij (Isaia 66:22; 2 Pietri 3:13; Zbulesa 21:1), janë me të vërtetë tashmë “me ne” në misterin e Krishtit dhe të Kishës së Tij.

    Kështu, shenjtërimi dhe spërkatja me ujin e Epifanisë nuk është një ritual pagan. Por, është shprehja e faktit më qendror të vizionit të krishterë për njeriun, si dhe për jetën dhe botën e tij. Kjo është dëshmia liturgjike, që na tregon se vokacioni dhe destinimi i krijimit është, që të jetë i “mbushur me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianët 3:19).
__________________
* Në 6 Janar në shumë vende është zakon që Bekimi i Ujit të bëhet në det, lumë, liqen apo në ndonjë pellg uji. Kur nuk është mundësia, bekimi bëhet në kishë.