Shpirti i Shenjtë

Shpirti i Shenjtë

    Një person mund të banojë në Krishtin, të kryejë urdhërimet e tij dhe të jetë në kungim me Perëndinë Atë vetëm me anë të pranisë dhe fuqisë së Shpirtit të Shenjtë në jetën e tij. Jeta shpirtërore është jetë në dhe me anë të Shpirtit të Shenjtë të Perëndisë.

    Nëse më doni (thotë Krishti), zbatoni urdhërimet e mia. Dhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju (Joani 14:15-17). Por, kur të vijë Ai, Fryma e së vërtetës, Ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë. . . Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë. Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat. . . (Joani 16:13-15).

    Shpirti i Shenjtë buron prej Atit dhe është dërguar në botë me anë të Krishtit, kështu që personat njerëzorë mund të përmbushin vullnetin e Perëndisë në jetët e tyre dhe të bëhen të ngjashëm me Krishtin. Etërit shpirtërorë të Kishës Orthodhokse thonë se Shpirti i Shenjtë i bën njerëzit që të jenë “krishtëra”, domethënë, bijtë “e lye”* të Perëndisë. Ky është, gjithashtu, mësimi i apostujve në shkrimet e Dhiatës së Re.

    Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe dini çdo gjë . . . vajosja (krisma) që keni marrë prej tij qëndron në ju . . . vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi (…). Dhe prej kësaj ne dimë se Ai qëndron në ne: nga Fryma që Ai na dha (…). Nga kjo ne njohim se qëndrojmë në të dhe Ai në ne, sepse Ai na ka dhënë nga fryma e tij (1 Joani 2:20-27, 3:24, 4:13). Mësimi i Shën Joanit është i njëjti me mësimin e Shën Pavlit.

    Sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë (…). Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por, në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij. Nëse Krishti është në ju, trupi patjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë. Dhe në qoftë se Fryma e atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, Ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju . . . sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni. Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë (Romanët 5:5, 8:9-14; Kr. 1 Korinthianët 2, 6, 12-14; Galatianët 5).

    Ky është mësimi klasik i Kishës Orthodhokse, i bërë popullor kohët e fundit nga Shën Serafimi i Sarovit (shek. 19), që esenca e vërtetë e jetës shpirtërore të krishterë, esenca e vërtetë e vetë jetës, është “përftimi i Shpirtit të Shenjtë të Perëndisë”. Pa Shpirtin e Shenjtë, nuk ka jetë të vërtetë për njeriun. Pavarësisht nga mëkatshmëria jonë, pavarësisht nga errësira që i rrethon shpirtrat tanë, Hiri i Shpirtit të Shenjtë, i dhënë në pagëzim në emrin e Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, ndriçon akoma në zemrat tona me dritën e pashuar të Krishtit . . . dhe kur mëkatari kthehet në rrugën e pendimit drita fshin çdo gjurmë të mëkateve të kryera, duke e veshur mëkatarin e mëparshëm me rroben e paprishjes, endur nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë. Është ky përftim i Shpirtit të Shenjtë për të cilin unë po flas. . . (Shën Serafimi i Sarovit, Biseda me Motovilovin).