Shërbesat e Orëve, Pasdarkës dhe Mesnatës
Përveç shërbesës së Mbrëmjes dhe të Mëngjesit, në ciklin ditor janë gjithashtu edhe Orët, Pasdarka dhe Shërbesa e Mesnatës. Këto shërbesa bëhen në manastire, ndërsa në kishat e enorive bëhen rallë, përveçse gjatë Kreshmës së Madhe dhe Javës së Madhe, si edhe në ditë festash të veçanta. Shërbesat e Orëve quhen e Para, e Treta, e Gjashta dhe e Nënta.
Ora e Parë korrespondon me orën gjashtë të mëngjesit; e Treta me orën nëntë të mëngjesit; e Gjashta me mesditën dhe e Nënta me orën tre të pasdrekës. Shërbesa përbëhet kryesisht nga psalme, të cilët, në përgjithësi, lidhen me ngjarjet e pësimit të Krishtit, që ndodhën në orë të caktuara të ditës. Ora e Tretë i referohet, gjithashtu ardhjes së Shpirtit të Shenjtë mbi apostujt në Rushajet (Pentekostinë). Gjithashtu, tropari i ditës këndohet në Orët. Gjatë ditëve të para të Javës së Madhe, si edhe në festat e mëdha, lexohet edhe një pjesë nga Ungjilli gjatë Orëve. Në ditët kur nuk ka Meshë Hyjnore, mbas Orës së Nëntë, lexohen të ashtuquajturit Psalme Tipikë, që përfshijnë elemente të Meshës Hyjnore, të tillë siç psalmet liturgjikë dhe Lumurimet. Gjithashtu, thuhet edhe Simboli i Besimit.
Pasdarka, siç edhe vetë emri e tregon, është shërbesa që bëhet pas ngrënies së darkës. Kjo shërbesë përbëhet prej psalmesh e lutjesh. Në ditët kur Mbrëmësorja është e lidhur me Meshën Hyjnore, si në vigjiljet e Krishtlindjes dhe Ujit të Bekuar, Pasdarka e Madhe i shtohet Mëngjesores, duke formuar një shërbesë vigjilje (agripni). Gjatë javës së parë të Kreshmës së Madhe, Kanoni Pendimtar i Shën Andreas së Kretës këndohet në Shërbesën e Pasdarkës. Shërbesa e Mesnatës, siç edhe emri e tregon bëhet në mesnatë. Në manastire, zakonisht, ajo e fillon vigjiljen e gjithë natës. Ajo përbëhet nga një numër psalmesh dhe lutjesh, që gjenden edhe në shërbesat e tjera, të tilla si Himni Trishenjtor, Ati Ynë, Tropari, etj. Tema e saj është nata dhe nevoja për vigjilencë. Në enoritë, ajo bëhet në shërbesën që paraprin Mëngjesoren e Pashkës, në të cilën epitafi vendoset mbi altar.*
___________________
* Epitafi vendoset në altar në këtë kohë në Kishat Ruse, ndërsa në kishat tona vendoset në Shërbesën e Mbrëmjes të së Premtes së Zezë, mbasi mbarojnë Vajtimet e Epitafit.