Shërbesa e Mëngjesit
Shërbesa e Mëngjesit, hapet me këndimin e gjashtë psalmeve të mëngjesit dhe me Litaninë e Madhe (Paqësoret). Mbas këtyre, këndohen vargjet e Psalmit 118: Perëndia është Zoti dhe u shfaq ndër ne, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Pastaj këndohet Tropari dhe në manastire lexohen grupe të veçanta psalmesh, të cilët ndryshojnë çdo ditë. Përsëri, si në Mbrëmësoren ashtu edhe në Shërbesën e Mëngjesit, ka himne me temën e ditës. Në festat e mëdha këndohen lavdërime dhe psalme të veçanta, ndërsa në Ditën e Zotit (të Dielën) këndohen himne të Ngjalljes së Krishtit prej së vdekurish (Ngjallësoret). Gjithashtu në festa të mëdha dhe të dielën këndohet Ungjilli.
Mbas Ungjillit, është një lutje e gjatë ndërmjetimi, e pasuar nga një seri himnesh dhe leximesh, i quajtur Kanoni. Këto himne janë bazuar në këngët e Dhiatës së Vjetër dhe mbyllen me këngën e Marisë, të ashtuquajturën Madhërimi (Lluka 1:46-55). Mbas litanive të mëngjesit këndohet Dhoksologjia e Madhe. Tropari përsëritet edhe një herë para se të bëhet përlëshimi. Shërbesa e Mëngjesit bashkon elementët e psalmodisë dhe të lutjes së mëngjesit me meditimin mbi këngët biblike, këndimin e Ungjillit dhe temën e veçantë të ditës, të dhënë në vargjet dhe himnet. Temat e zbulesës së Perëndisë dhe të dritës janë gjithashtu gjithmonë tema qendrore të Shërbesës së Mëngjesit. Disa herë, veçanërisht në Kishat Ruse, shërbesat e mëngjesit dhe të mbrëmjes janë kombinuar në një shërbesë të gjatë, të quajtur vigjilje (agripni).