Shërbesa e Mbrëmjes
Në Kishën Orthodhokse dita liturgjike fillon me mbrëmjen, në perëndim të diellit. Kjo praktikë ndjek tregimin e krijimit në Shkrimin e Shenjtë: “Dhe ishte mbrëmje dhe ishte mëngjes – dita e parë” (Gjeneza 1:5). Shërbesa e Mbrëmësores në Kishë fillon gjithmonë me këndimin e psalmit të mbrëmjes: “… Dielli njeh të perënduarit e tij. Ti përhap errësirë e bëhet natë…” (Psalmi 103:19-20). Ky psalm, i cili lavdëron krijimin e Perëndisë, është akti i parë i adhurimit nga njeriu, i cili, para së gjithash, e takon Perëndinë si Krijues. Beko Zotin, o shpirti im, O Zot Perëndia im, Ti je shumë i madh… Sa madhështore janë veprat e tua, o Zot! Të gjitha i ke bërë me urtësi. Tërë dheu është plot me krijesat e tua (Psalmi 103: 24).
Mbas këtij psalmi intonohet Litania e Madhe (Paqësoret), lutja hapëse e të gjitha shërbesave liturgjike të Kishës. Në atë, ne i lutemi Perëndisë për çdonjërin dhe për çdo gjë. (Shih më poshtë në kapitullin V). Mbas paqësoreve këndohen një numër psalmesh, një grup i ndryshëm çdo mbrëmje. Normalisht, këto psalme janë hequr në shërbesat e kishave të enorive, por këndohen në manastiret. Psalmi 140 këndohet gjithmonë në Mbrëmësore. Gjatë këtij psalmi bëhet temjanisja e mbrëmjes. O Zot, thirra te Ty, dëgjomë, dëgjomë, o Zot… Le të drejtohet lutja ime si temjan. Dhe ngritja e duarve të mia si therore e mbrëmshme. O Zot dëgjomë (Psalmi 140: 1-2).
Mbas kësaj, këndohen himne të veçanta, sipas ditëve të ndryshme. Nëse është një festë e Kishës, këndohen tropare për nder të kremtimit. Të shtunave në mbrëmje, vigjilja e Ditës së Zotit, këto tropare gjithmonë lavdërojnë Ngjalljen e Krishtit prej së vdekurish. Normalisht, himnet e veçanta mbarojnë me një Hyjlindësore, në nderim të Shën Marisë, Nënës së Krishtit. Pas kësaj, këndohen himnet mbrëmësore. Nëse është një festë e veçantë ose vigjilja e së dielës, prifti me dhiakun (ose vetëm prifti, kur nuk ka dhiak) dalin me temjanicë nga dera e veriut me manal përpara dhe venë e qëndrojnë në mes të Kishës. Himni i mëposhtëm i përket çdo shërbese Mbrëmësore. O Jisu Krisht, dritë gazmore e lavdisë së shenjtë të Atit të pavdekshëm qiellor, të shenjtë e të lumur, si arritëm në perëndimin e diellit dhe pamë dritën e mbrëmjes, himnojmë Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, Perëndinë. Ti meriton në çdo kohë të himnohesh me zëra të mbara, o Bir i Perëndisë, që jep jetë; prandaj bota të lavdëron.
Krishti lavdërohet si Drita që ndriçon errësirën e njeriut, si Drita e botës dhe e Mbretërisë së Perëndisë, dritë që nuk do të ketë kurrë mbrëmje. (Isaia 60:20; Zbulesa 21:25). Pastaj thuhet një varg nga psalmet, paravargu (prokimenon) i mbrëmjes, i cili është i ndryshëm për çdo ditë dhe tregon temën shpirtërore të ditës. Nëse është një ditë e veçantë janë tre këndime nga Dhiata e Vjetër (profecitë). Pastaj kemi himne dhe litani të tjera, si edhe troparet shtesë për ditën e veçantë dhe të gjitha këto mbarojnë me Himnin e Shën Simeonit: Tani përlëshoje shërbëtorin tënd, o Zot, simbas fjalës sate, me paqe, se sytë e mi panë shpëtimin tënd, të cilin Ti e përgatite faqe gjithë popujve, dritë për ndriçimin e paganëve dhe për lavdi të popullit tënd Izrael (Lluka 1:29-32).
Mbas proklamimit të vizionit tonë për Krishtin, Dritën dhe Shpëtimin e botës, ne themi lutjet e himnit Trishenjtor. Këndojmë këngën që ka temën kryesore të ditës, të quajtur Tropari (Përlëshorja) dhe ne jemi përlëshuar me bekimin e zakonshëm. Shërbesa e Mbrëmësores na çon ne nëpër krijimin, mëkatin dhe Shpëtimin në Krishtin. Ajo na çon gjithashtu në meditimin e fjalës së Perëndisë dhe lavdërimin e dashurisë së tij për njerëzit. Ajo na mëson dhe na lejon ta lavdërojmë Perëndinë për ngjarjet ose personat e veçantë, përkujtimi i të cilëve kremtohet dhe bëhet i pranishëm për ne në Kishë. Ajo na përgatit për gjumin e natës dhe për agimin e ditës së re. Në vigjiljen e Meshës Hyjnore, ajo fillon lëvizjen tonë drejt Kungimit më të përsosur me Perëndinë, në misteret e Kishës. Në ditë të veçanta, sherbesës së mbrëmjes i shtohet një tjetër shërbesë, e quajtur Bekimi i pesë bukëve (Pendarto).