Qielli dhe Ferri

     Mbretëria e qiellit është tashmë në mes të atyre që jetojnë jetën shpirtërore. Çfarë njeh njeriu shpirtëror në Shpirtin e Shenjtë, në Krishtin dhe në Kishën, do të vijë me fuqi dhe lavdi për t’u parë nga të gjithë njerëzit në fund të kohëve.

    Ardhja përfundimtare e Krishtit do të jetë gjykimi i të gjithë njerëzve. Vetë prania e Tij do të jetë gjykimi. Tani njerëzit mund të jetojnë pa dashurinë e Krishtit në jetën e tyre. Ata mund të ekzistojnë sikur nuk ka Perëndi, as Krisht, as Shpirt të Shenjtë, as Kishë dhe as jetë shpirtërore. Në fund të kohëve kjo nuk mund të jetë më e mundur. Të gjithë njerëzit do të shohin faqen e Atij, i cili “për ne dhe për shpëtimin tonë erdhi nga qielli dhe u mishërua . . .” dhe u kryqëzua në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi dhe u varros . . .” (Besorja e Nikeas). Të gjithë kanë për ta parë Atë që ata kryqëzuan me mëkatet e tyre: Atë “që ishte i vdekur dhe është i gjallë përsëri” (Zbulesa 1:17-18).

    Për ata që e duan Zotin, Prania e Tij do të jetë një gëzim i pafund, parajsa dhe jeta e përjetshme. Për ata që e urrejnë Zotin, e njëjta Prani do të jetë torturë e pafundme, ferri dhe vdekja e përjetshme. Realiteti, si për të shpëtuarit, ashtu edhe për të dënuarit, do të jetë ekzaktësisht i njëjti kur Krishti “do të vijë me lavdi dhe të gjithë engjëjt me Atë”, kështu “Perëndia do të jetë e gjitha në të gjitha” (1 Korinthianët 15:28).

    Ata që do e kenë Perëndinë si “e gjitha” brenda kësaj jete do të kenë në fund jetë dhe përmbushje hyjnore. Për ata të cilët “e gjitha” është vetvetja dhe kjo botë, “e gjitha” e Perëndisë do të jetë tortura e tyre, dënimi i tyre dhe vdekja e tyre. Dhe për ata do të jetë “e qara dhe kërcëllimi i dhëmbëve” (Matheu 8:12 etj.).

    Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga Mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në Mbretërinë e Atit të tyre (Matheu 13:41-43).

    Sipas shenjtorëve, “zjarri” që do të konsumojë mëkatarët në ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë është i njëjti “zjarr” që do të shkëlqejë me madhështi në shenjtorët. Është “zjarri” i dashurisë së Perëndisë; “zjarri” i Vetë Perëndisë që është Dashuri.“Sepse Perëndia ynë është një zjarr që të përpin” (Hebrenjtë 12:29) që “banon në dritë të paafrueshme” (1 Timotheu 6:16). Për ata që e duan Perëndinë dhe që duan tërë krijimin në Atë, “zjarri që të përpin” i Perëndisë do të jetë një lumturi e ndritshme dhe kënaqësi e parrëfyer. Për ata që nuk e duan Perëndinë dhe që nuk duan aspak, i njëjti “zjarr që të përpin” do të jetë shkaku i “qarjes” dhe i “kërcëllimit të dhëmbëve” të tyre.

    Kështu është mësimi shpirtëror i Kishës se Perëndia nuk e dënon njeriun me ndonjë zjarr material apo torturë fizike. Perëndia vetëm zbulohet në Zotin e ngjallur Jisu në një mënyrë kaq të lavdishme saqë asnjë njeri nuk mund ta shohë lavdinë e Tij. Është prania e lavdisë dhe e dashurisë së madhërishme të Perëndisë, ajo që është kamzhiku i atyre që e kundërshtojnë fuqinë dhe dritën shkëlqyese të saj.

    . . . ata që e gjejnë veten në ferr do të ndëshkohen me kamzhikun e dashurisë. Sa mizore dhe sa e hidhur do të jetë tortura e dashurisë! Për ata që e kuptojnë se kanë mëkatuar kundër dashurisë, vuajnë më shumë sesa vuajtjet e shkaktuara nga torturat më të tmerrshme. Dhimbja që zapton zemrën, që ka mëkatuar kundër dashurisë, është më therësja se çdo dhimbje tjetër. Nuk është e drejtë të thuash se mëkatarët në ferr janë privuar nga dashuria e Perëndisë . . . Por dashuria vepron në dy mënyra, si vuajtje për të dënuarin dhe si gëzim për të bekuarin (Shën Isaku i Sirisë, Traktatet Mistike)!

    Ky mësim gjendet në shumë autorë dhe shenjtorë: Shën Maksim Konfesori, romancieri Fjodor Dostojevski. Në fund të kohëve dashuria e lavdishme e Perëndisë do të zbulohet për të gjithë për të parë Faqen e Krishtit. Fati i përjetshëm i njeriut – qiell apo ferr, shpëtim apo dënim – varet vetëm në përgjigjen e tij ndaj kësaj dashurie