Priftëria

    Kur folëm për Abrahamin, përmendëm sesi Jisu Krishti është “prift përjetë sipas urdhërit Melkisedek” (Shih më lart). Si “prift përjetë” Jisui është, gjithashtu plotësimi dhe përmbushja e priftërisë levitike të Dhiatës së Vjetër. Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia e urdhëroi Moisiun të ndërtonte tabernakullin me shenjtëroren për adhurim dhe flijim.

Le të më bëjnë një shenjtërore, që unë të banoj në mes tyre. Ju do ta bëni atë sipas tërë asaj që unë do t’ju tregoj, si për modelin e tabernakullit ashtu edhe për modelin e të gjitha orendive (Eksodi 25:8-9).

    Në tabernakullin kishte një shenjtërore të rrethuar nga një avlli. Brenda shenjtërores ishte “vendi i tërëshenjtë”. Një arkë e veçantë ishte ndërtuar për të mbajtur pllakat e ligjit të dhiatës (të besëlidhjes) të rrethuar nga dy kerubinë. Arka mbahej në vendin e tërëshenjtë. Mbi arkën e dhiatës ishte pajtuesi nga ku Moisiu do t’i fliste popullit (Eksodi 25:19-22). Në shenjtëroren, tryeza të veçanta ishin vendosur për të mbajtur “pjata dhe enë për temjan” dhe “kupa dhe filxhanë me të cilët bëhen libacione”.

… do t’i bësh me ar safi. Dhe do të vësh mbi tryezë bukën e paraqitjes, që do të rrijë vazhdimisht para meje (Eksodi 25:29-30).

    Atje ishte, gjithashtu altari i artë mbi të cilin kryheshin flijimet e kafshëve. Një shandan ari, me “shtatë llamba për atë” që ndizeshin me vaj ulliri të pastër, ishte vendosur mbi shenjtëroren. Dhe ndërmjet pjesëve të ndryshme të tabernakullit, vareshin perde.

“Do të bësh një vel me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe me li të hollë dhe të përdredhur, të stolisur me kerubinë të punuar artistikisht, dhe do ta varësh në katër shtylla prej akacieje të veshura me ar, me grremçat e tyre të arta të vëna mbi baza argjendi. Do ta varësh velin në kapëset; dhe aty, në anën e brendshme të velit, do të futësh arkën e dëshmisë; veli do t’ju shërbejë si ndarës midis vendit të shenjtë dhe vendit shumë të shenjtë. Pastaj do ta vësh pajtuesin mbi arkën e dëshmisë në vendin shumë të shenjtë. Jashtë velit do të vësh përkundrazi tryezën, ndërsa shandani do të shkojë përballë tryezës në krahun jugor të tabernakullit, dhe do ta vendosësh tryezën në krahun verior. Do të bësh, gjithashtu për hyrjen e çadrës një perde me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të përdredhur, punë qëndistari. Do të bësh, gjithashtu pesë shtylla akacieje për perden dhe do t’i veshësh me ar; grremçat e tyre do të jenë prej ari dhe do të shkrish për to pesë baza prej bronzi. Do të bësh edhe një altar prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë pesë kubitë; altari do të jetë katror dhe do të ketë tre kubitë lartësi. Në katër qoshet e tij do të bësh brinj, që do të formojnë një tërësi me të; dhe do ta veshësh atë me bronz” (Eksodi 26:31-27:2).

       Priftërinjtë e tabernakullit duhej të ishin levitë, burra nga fisi i Levit.

“Pastaj afro pranë vetes sate Aronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si priftërinj… (Eksodi 28:1).

    Perëndia urdhëroi që rroba të veçanta të bëhen për priftërinjtë për t’i veshur gjatë shërbimit në shenjtërore (Eksodi 28). Ai urdhëroi, gjithashtu që vaj i veçantë të përzihet për lyerjen e të gjitha enëve të tabernakullit, si edhe për lyerjen e priftërinjve. Ai urdhëroi, gjithashtu të bëhej temjan i veçantë për t’u djegur në vendin e shenjtë.

… Do të shenjtërosh kështu këto gjëra (pajisjet dhe enët) dhe do të jenë shumë të shenjta; të gjitha sendet që u përkasin, do të jenë të shenjta. Do të vajosësh edhe Aronin dhe bijtë e tij dhe do t’i shenjtërosh, me qëllim që të më shërbejnë si priftërinj. Pastaj do t’u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: “Ky do të jetë për mua një vaj për vajosjen e shenjtë, brez pas brezi” (Eksodi 30:29-31)Por nga temjani që ke për të bërë, nuk do të përgatisni për veten tuaj me të njëjtën përbërje; kjo do të jetë për ty një gjë e shenjtë kushtuar Zotit (Eksodi 30:37)

    Perëndia iu dha gjithashtu një kod të detajuar në lidhje me adhurimin dhe blatimin e flijimeve të ndryshme. Ai shpjegoi cilat kafshë duhen të zgjidhen dhe si duhen të theren. Ai tregoi cilat blatime duhen bërë, në cilat raste dhe për çfarë qëllimesh. Ai dha udhëzime rreth blatimeve për paqen dhe për lavdërimin, për falënderimin dhe mëshirën, për faljen e mëkateve dhe pajtimin me Perëndinë në kohët e bërjes së fajeve. Ai u tregoi, gjithashtu, se cilat festa duhen mbajtur, kur duhen mbajtur dhe si duhen kremtuar. Librat e Eksodit, Levitikut, Numrave dhe Deuteronomit (Ligji i Përtërirë) janë të mbushur me udhëzime të tilla të  veçanta dhe të detajuara.  Ndërsa po kalonin nëpër shkretëtirë drejt tokës së premtuar, Populli i Perëndisë e mbarte tabernakullin me vete. Ata e rregullonin në çdo vend që ngrinin kampin. Së fundi, mbasi kaluan lumin Jordan dhe u vendosën në Kanan, qyteti i Jerusalemit u themelua nga mbreti David. Biri i Davidit, Solomoni, u urdhërua nga Perëndia të ndërtonte Tempullin në të cilin duhej të bëhej adhurimi i Perëndisë dhe të blatoheshin flijimet rituale.

Në vitin katërqindetetëdhjetë mbas daljes së bijve të Izraelit nga vendi i Egjiptit, në vitin e katërt të mbretërimit të tij mbi Izrael… Salomoni filloi të ndërtojë shtëpinë e Zotit (1 Mbretërit 6:1).

    Shtëpia e Zotit kishte të njëjtin model si tabernakulli i Moisiut. Kishte oborrin e jashtëm, shenjtëroren e brendshme dhe vendin e tërëshenjtë në të cilin mbahej arka e dhiatës. Kishte altarët për temjan, libacione dhe për therore me djegje të plotë. Kishte shandanin dhe tryezën për bukët e Pranisë. Kishte të gjitha enët dhe veshjet e nevojshme për shërbimin e Zotit (Shih 1 Mbretërit 6-8). Kur Solomoni e mbaroi Tempullin ( rreth 960 p.K.) ai bëri një kremtim të madh të përkushtimit.

Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Zotit në vendin e saj, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve. Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave prej guri që Moisiu kishte depozituar në malin Horeb, kur Zoti bëri një besëlidhje me bijtë e Izraelit, pas daljes së tyre nga vendi i Egjiptit. Por ndodhi që, ndërsa priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, reja e mbushi shtëpinë e Zotit dhe priftërinjtë nuk mundën të qëndrojnë për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e tij. Atëherë Salomoni tha: “Zoti ka thënë se do të banojë në një re të dendur. Unë kam ndërtuar për ty një shtëpi madhështore, një vend ku ti do të banosh përgjithnjë” (1 Mbretërit 8:6, 9-13).

    Pastaj Solomoni bekoi popullin dhe i foli atyre në lidhje me ndërtimin e Tempullit, të cilin Zoti i premtoi Davidit se biri i tij do ta ndërtonte. Pastaj ai bëri një lutje të gjatë përkushtimi, duke i kërkuar Perëndisë të ishte me popullin dhe të pranonte lutjet e blatuara në Tempull.

Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar! Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënd dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje. Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: “Aty do të jetë emri im”, për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku Ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal (1 Mbretërit 8:27-30)

    Kështu, tempulli që Solomoni i ndërtoi Zotit u bë i vetmi vend për adhurimin zyrtar dhe për flijimet priftërore të Popullit të Perëndisë. Tempulli u shkatërrua gjatë kohës së robërisë babilonase, dhe u restaurua në kohën e Ezras dhe Nehemisë, por u përdhos përsëri nga pushtuesit e huaj dhe, së fundi, u shkatërrua plotësisht nga romakët në vitin 70 mbas Krishtit.  Ishte profetizuar në Dhiatën e Vjetër se do të vinte koha kur lavdia e Zotit do të mbushte të tërë krijimin. Ishte paratreguar se në kohën e Mbretit Mesianik, Perëndia do të banonte në njerëzit si në Tempullin e Tij të shenjtë. Flijimet rituale të Tempullit do të ndalonin, kur do të kryhet dhiata e përjetshme dhe e përsosur e mëshirës dhe e paqes ndërmjet Perëndisë dhe njeriut (Shih Isaia 55:3, 61:1-11, 66:18-23; Jeremia 31:31-34; Ezekiel 34:22-31, 37:24-28).
Kur erdhi Jisui, u themelua përgjithmonë dhiata e re dhe e përjetshme ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Tempulli i Perëndisë u bë trupi i Krishtit, që ishte bashkësia e popullit të Tij të mbushur me Shpirtin e Shenjtë të Perëndisë. Me të vërtetë, një nga akuzat kundër Jisuit në kohën e kryqëzimit të Tij ishte se Ai tha se Ai do të shkatërronte Tempullin në Jerusalem.

Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jisui u ngjit në Jerusalem. Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur; dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat, dhe shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!”. Kështu dishepujve të tij u kujtohej se ishte shkruar: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!”. Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: “Ç’shenjë na tregon se i bën këto gjëra?”. Jisui u përgjigj dhe u tha atyre: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!”. Atëherë Judenjtë thanë: “U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?”. Por ai fliste për tempullin e trupit të vet. Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jisui (Joani 2:13-22).  Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jisuit, për ta vrarë, por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë, të cilët thanë: “Ky ka thënë: ‘Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë’”. Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: “Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?”. Por Jisui rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë”. Jisui i tha: “Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit” (Mattheu 26:59-64).

    Në Krishtin, Mesia, persona njerëzorë bëhen tempull i Perëndisë së Gjallë. Dhjakoni Stefan, martiri i parë i krishterë, dëshmoi për këtë dhe vdiq për dëshminë e tij (Shih Veprat 7:44-59). Apostulli Pavël e mësoi këtë hapur, si edhe apostulli Pjetër.

Por tani, në Krishtin Jisu, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. Ai, në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete. Dhe ai erdhi për t’ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër, sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme. Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë, të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jisu Krishti vetë guri i qoshes, mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin, në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë (Efesianët 2:12-21)A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju? Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë (1 Korinthianët 3:16-17)Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë, edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jisu Krishtit. Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak” (1 Pjetri 2:2-4).

    Jisu Krishti nuk është vetëm tempulli i gjallë i Perëndisë – Perëndia Vetë në trup njerëzor – nëpërmjet të cilit të gjithë njerëzit bëhen tempull i Perëndisë në Shpirtin e Shenjtë; Jisui është, gjithashtu, kryprifti i madh dhe blatimi flijimor i përsosur, i Cili përmbledh dhe përmbush të gjithë priftërinë levitike të Dhiatës së Vjetër, e cila ishte thjesht një “hije” e “realitetit” që do të vinte. Në kryq, Jisui flijoi Veten. Ai u ngjall prej së vdekurësh dhe hyri në shenjtëroren në qiell. Mbas kësaj, nuk ka priftëri tjetër dhe as ndonjë flijim tjetër të pëlqyeshëm te Perëndia (Shih Hebrenjtë 6-10).

Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s’është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese, hyri njëherë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar. Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish, aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë (Hebrenjtë 9:10-13)Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne, dhe jo për ta kushtuar si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjak që s’është i veti, sepse përndryshe ai duhet të pësonte shumë herë qëkurse u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve, Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes. Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi, kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim (Hebrenjtë 9:22-26).

Prandaj, duke hyrë në botë, Ai thotë: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup; ti nuk pëlqeve as olokauste, as flijimet për mëkatin. Atëherë unë thashë: “Ja, unë po vij; në rotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd”. Mbasi tha: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, as olokauste as flijime për mëkatin, që të blatohen sipas ligjit’’, Ai shtoi: “Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd”. Ai heq të parën, që të vërë të dytën. Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jisu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë. Dhe, ndërsa çdo prift rri përdita në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpeshherë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet, Ai, përkundrazi, pasi dha përgjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë, duke pritur paskëtaj vetëm që armiqtë e tij t’i vihen si ndenjëse për këmbët e tij. Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur përgjithnjë ata që shenjtërohen (Hebrenjtë 10:3-12)

    Në Kishën e Krishtit ka vetëm një priftëri dhe një flijim. Është priftëria e Jisuit dhe flijimi i kryqit. E tërë Kisha e Krishtit është një “priftëri mbretërore” (1 Pjetri 2:9). Kleri i dorëzuar i Kishës ekziston për të shfaqur dhe realizuar priftërinë unike të Jisuit në bashkësinë e cila është “trupi i Krishtit” (1 Korinthianët 12:27). Në Mbretërinë e Perëndisë, do të mbretërojë Krishti, Kryeprifti i madh dhe Qengji. Ai i Cili “ishte i vdekur dhe jeton përsëri” (Zbulesa 2:8) do të drejtojë të gjithë krijimin i cili do të bëhet vendbanimi i Perëndisë.

Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij. Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji. Dhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të. Dhe portat e tij nuk do të mbyllen asnjëherë gjatë ditës, sepse nuk do të ketë asnjëherë natë. Edhe në të do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve. Edhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit (Zbulesa 21:22-27)

    Kështu, tempulli i Dhiatës së Vjetër, priftëria dhe flijimet janë përmbushur të gjitha në Krishtin, i Cili është Vetë Tempulli dhe Prifti dhe Qengji i Flijuar i Mbretërisë së Perëndisë, që ekziston për Popullin e Tij, të cilin Ai e ka bërë “mbretëri dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e Tij” (Zbulesa 1:6, 6:10; Shih Vëllimi II Adhurimi).