Perëndia

    Spiritualiteti i krishterë përqendrohet në Perëndinë; në fakt, qëllimi i tij i vërtetë është kungimi ose bashkimi me Perëndinë, i cili arrihet nëpërmjet përmbushjes së vullnetit të Tij. Të jesh çfarë Perëndia do që ne të jemi dhe të bësh çfarë Perëndia do që ne të bëjmë është i vetmi qëllim i ekzistencës sonë njerëzore. Përmbushja e lutjes “U bëftë dëshira Jote” është zemra dhe shpirti i çdo përpjekje dhe aktiviteti shpirtëror.

    Në ligjin e Dhiatës së Vjetër është shkruar: Unë jam Zoti Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse Unë jam i shenjtë (Levitiku 11:44). Në Dhiatën e Re, letra e parë e Shën Pjetrit i referohet këtij urdhërimi themelor të Perëndisë. . . . ashtu si është i shenjtë Ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse Unë jam i shenjtë” (1 Pjetri” 1:15-16).

    Që qeniet njerëzore duhet të jenë të shenjta, duke marrë pjesë në lumturinë e Vetë Perëndisë, ky është qëllimi i bashkimit me Perëndinë. Të gjithë janë “thirrur të jenë shenjtorë” (Romanët 1:7) duke u bërë“pjesëmarrës së natyrës hyjnore” (2 Pjetri. 1:4). Këtë kuptonte Jisui kur tha në Predikimin në Mal: “Jini, pra, të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj qiellor” (Matheu 5:48).

    Mësimi se njeriu duhet të jetë i shenjtë dhe i përsosur si Vetë Perëndia nëpërmjet kryerjes së vullnetit të Tij është mësimi qendror i besimit të krishterë orthodhoks. Ky mësim pohohet në shumë mënyra të ndryshme në traditën shpirtërore orthodhokse. Shën Maksim Konfesori (shek. 7) e thotë në këtë mënyrë: “njeriu është thirrur të bëhet nga hiri hyjnor gjithçka që Vetë Perëndia është nga natyra.” Shumë thjesht kjo do të thotë se Perëndia i dëshiron dhe i ndihmon krijesat e Tij të jenë ashtu siç është Ai dhe ky është qëllimi i qenies dhe jetës së tyre. Ashtu si Perëndia është i shenjtë, njeriu duhet të jetë i shenjtë. Ashtu si Perëndia është i përsosur, njeriu duhet të jetë i përsosur, i pastër, i mëshirshëm, i duruar, i butë, i dashur, i lirë, vetë-vendosës, përherë-ekzistues dhe gjithmonë, përjetësisht realizimi absolut i mbibollshëm i gjithçkaje të mirë në plotësinë dhe pasurinë e pashtershme . . . kështu duhet të jetë edhe njeriu në këtë mënyrë, gjithmonë duke u rritur dhe duke u zhvilluar në virtytin dhe përsosjen hyjnore për jetë të jetëve, me anë të vullnetit dhe fuqisë së Vetë Perëndisë. “Përsosja” e njeriut është rritja e tij në përsosjen pambarim të Perëndisë.