Njeriu
Njeriu, sipas shkrimeve, është krijuar “në ngjashmërinë e Perëndisë” (Zanafilla 1:26-27). Të jesh i ngjashëm me Perëndinë, nëpërmjet dhuratës së Perëndisë, është esenca e jetës dhe e qenies së njeriut. Në shkrimet thuhet se Perëndia fryu në njeriun “frymën e jetës” (Zanafilla 2:7). Ky mësim hyjnor ka bërë që në Kishën Orthodhokse të lindë kuptimi se njeriu nuk mund të jetë me të vërtetë njerëzor, me të vërtetë vetvetja, pa Shpirtin e Perëndisë. Kështu thotë Shën Ireneu (shek. II) në thënien e tij të famshme, të cituar shpesh nga autorët orthodhoksë, se “njeriu është trup, shpirt dhe Frymë e Shenjtë.” Kjo do të thotë, se, që njeriu të përmbushë veten si i krijuar në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë – domethënë, të jetë si Krishti i cili është i përsosur, hyjnor dhe Shëmbëlltyra e pakrijuar e Perëndisë – ai duhet të jetë tempulli i Frymës së Perëndisë. Nëse njeriu nuk është tempulli i Frymës së Perëndisë, atëherë e vetmja alternativë për të është që të jetë tempulli i frymës së keqe. Rrugë të mesme nuk ka. Njeriu ose është në një proces jete dhe rritje pambarim në bashkim me Perëndinë me anë të Shpirtit të Shenjtë, ose ai është në një proces prishje dhe vdekje pambarim, duke u kthyer në dheun e asgjësë nga i cili u formua, nga fuqia shkatërruese e djallit. Kështu i interpreton tradita shpirtërore orthodhokse “dy rrugët” e ligjit të Moisiut.
Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu, dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote (Ligji i Përtërirë 30:19-20). Është i njëjti mësim që Shën Pavli jep në doktrinën e tij të “dy ligjeve” që veprojnë në jetën e njeriut. Në fakt, unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia (. . .). Sepse ligji i Frymës i jetës në Jisu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes (…) Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës. Në fakt, mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe (Romanët 7:22-23, 8:2,5-6).
Çdo qenie njerëzore përballet me këto dy mundësi, përfundimisht të vetmet dy mundësi të ekzistencës njerëzore. Ose një person zgjedh jetën prej Hirit të Perëndisë dhe fuqinë e Shpirtit – “jetën e përjetshme” dhe “të bollshme” të dhënë nga Perëndia në krijimin dhe shpëtimin nëpërmjet Jisu Krishtit – ose personi zgjedh vdekjen. I tërë pathosi i ekzistencës njerëzore qëndron në këtë zgjedhje, është ose jo personi i vetëdijshëm për këtë. Jeta shpirtërore e krishterë varet në zgjedhjen e ndërgjegjëshme të “rrugës së jetës”. “Të zgjedhësh jetën” dhe të ecësh në “rrugën e jetës” është rruga që njeriu e tregon veten të jetë në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë.
Sepse nga duart e Atit, domethënë nga Biri dhe nga Fryma e Shenjtë, njeriu, dhe jo një pjesë e njeriut, u bë në ngjashmërinë e Perëndisë . . . sepse njeriu i përsosur qëndron në përzierjen dhe bashkimin e shpirtit që merr Frymën e Atit dhe natyrën mishore që është modeluar, gjithashtu, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë . . . njeriu bëhet shpirtëror dhe i përsosur për shkak të derdhjes së Frymës dhe ky është ai që ishte bërë në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë. Nëse në një njeri Fryma nuk është bashkuar me shpirtin, ky njeri nuk është i përsosur. Ai mbetet gjallësor dhe mishor. Ai vazhdon ta ketë shëmbëlltyrën e Perëndisë në mishin e tij, por ai nuk e merr ngjashmërinë hyjnore nëpërmjet Frymës së Shenjtë (Shën Ireneu, shek. II, Kundër Herezive).