Duke marrë shkas nga deklaratat e z. Nikolla Marku nga Elbasani në Gazeta Shqiptare, 2 gusht 2012, fq. 11, sqarojmë:
Nëse dikush endet nëpër Shqipëri, duke deklaruar se është “ambasador” i një vendi inekzistent, duke lëshuar viza e pasaporta, a nuk do të dënohej penalisht? Nëse dikush e shpall veten “kirurg”, apo “profesor”, të një universiteti që nuk ekziston, a do të lejohej vallë të mashtronte njerëzit?
Në ditët e sotme po ndodh diçka edhe më e rëndë. Dikush deklaron se është “prift” i një Kishe që nuk ekziston, i cili jep certifikata të pavlera martese dhe pagëzimi. Por, asnjë Kishë Orthodhokse në botë nuk e njeh si të tillë. Madje nuk njihet as nga ndonjë Kishë tjetër apo konfesion i krishterë. Është e qartë se ai vazhdon të përdoret herë pas here nga qarqe ekstremiste, për sulme pseudonacionaliste dhe antiorthodhokse. Por, sado ta mbështesin këto qarqe, nuk mund të fshihet dot e vërteta se me sakrilegjet e përditshme që bën ai fyen rëndë dhe përdhos fenë e krishterë, duke e bërë atë qesharake edhe më keq se në regjimin e mëparshëm dhe mashtron në mënyrë flagrante opinionin publik.
Në deklarimet e fundit të tij në Gazeta Shqiptare, z. Marku dha këshilla edhe për qeveritarët dhe bëri kërcënime se në nëntor do të meshojë në Kishën e re Katedrale në Tiranë.
Jemi të detyruar të sqarojmë përsëri, se “Kisha Kombëtare Autoqefale Orthodhokse e Shqipërisë” drejtues i së cilës deklaron të jetë, nuk është veçse një fantazmë. Është inekzistente nga ana kishtare dhe ligjore. Atë nuk e njeh kush: nuk njihet as nga Komiteti Shtetëror i Kulteve të Shqipërisë, nuk është njohur nga asnjë gjykatë, nuk njihet nga asnjë Kishë në botë. Për më tepër, në mënyrë të paligjshme vazhdon të keqpërdorë ndërtesën e kishës që është monument kulture dhe të shfrytëzojë privatisht ndërtesën pranë saj, të restauruar tërësisht me fondet e Kishës, të cilat janë pronë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e vetmja Kishë Orthodhokse në vend. Njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar, ka nënshkruar Marrëveshje me Qeverinë Shqiptare (firmosur nga Kryepiskopi i saj Anastasi) dhe kjo Marrëveshje është bërë ligj (nr. 10057 22.1.2009). Njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë, si edhe nga ajo Katolike dhe konfesionet protestante dhe po ashtu nga organizmat ndërkristianë e ndërfetarë.
Në fund, në lidhje me sulmet e planifikuara të z. Marku dhe të atyre që qëndrojnë prapa tij, në Kishën Katedrale të Tiranës, nënvizojmë se ligji i mësipërm (Neni 5) paralajmëron në mënyrë të qartë: “Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i saj dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo individ apo çdo grupim, që kërkon të përvetësojë emrin, vendet e kultit, pasurinë kishtare, simbolet ose vulën e saj”.
Së bashku me shtetin, mbrojtjen e Kishës Katedrale të Tiranës e garantojnë mijëra besimtarë orthodhoksë që mblidhen rregullisht brenda saj.
Është koha që të reshtin një herë e mirë veprime dhe deklarata të tilla qesharake, si edhe shpifjet e pabaza e kërcënimet e kota ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga cilido drejtim që të vijnë ato.
Është koha që të reshtin një herë e mirë veprime dhe deklarata të tilla qesharake, si edhe shpifjet e pabaza e kërcënimet e kota ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga cilido drejtim që të vijnë ato.
Tiranë, 8 gusht 2012
Nga Kryepiskopata e Hirshme e Tiranës