Mëkati

    Mëkati, sipas shkrimeve, është “paligjshmëri” dhe “paudhësi” (1 Joani 3:4, 5:17). Të bësh paudhësi dhe të bësh padrejtësi do të thotë të mëkatosh. Në greqisht, fjala mëkat në kuptimin origjinal kishte kuptimin e “mos-qëllimit në shenjë”, domethënë të shkoje në drejtimin e gabuar, drejt qëllimeve dhe synimeve të gabuara. Do të thotë të zgjedhësh dhe të shkosh në rrugën e vdekjes dhe jo në atë të jetës. Ka shumë shprehje në shkrimet për mëkatin, gjithsecila prej tyre presupozon një drejtësi dhe mirësi fillestare. Fjala rënie tregon lëvizjen poshtë dhe larg nga një gjendje fillestare të lartë dhe të ngritur. Fjala njollë zbulon se ishte në fillim një pastërti fillestare që u ndy më vonë. Fjala shkelje do të thotë një lëvizje kundër asaj që ishte në fillim e drejtë. Fjala faj zbulon pafajësinë e parë. Fjalët tjetërsim dhe largim, ndarje tregojnë se në fillim ishim “në shtëpi” duke jetuar në një gjendje të shëndoshë dhe të plotë. Fjala shmangje do të thotë se ka ndodhur largimi nga rruga e parë.

    Nuk ka fjalë për mëkatin që të mos zbulojnë në vetë fjalën se mëkati është një gjendje jonatyrale e njeriut, një gjendje e sjellë nga shkatërrimi, shtrëmbërimi dhe humbja e diçkaje të mirë që fillimisht ishte e pranishme. Çdo mëkat dhe dobësi ekziston vetëm ngaqë jeta dhe qenia e njeriut janë natyralisht pozitive dhe të mira. Çdo e keqe dhe mëkat vepron vetëm si “parazitë” në atë që fillimisht ishte e përsosur dhe e shëndetshme. Kështu, në traditën orthodhokse, mëkati nuk konsiderohet të jetë normal dhe pjesë natyrale e qenies dhe jetës njerëzore. Të jesh njerëzor dhe të jesh një mëkatar është kontradiktore. Më saktë, të jesh me të vërtetë njërëzor duhet të jesh i drejtë, i pastër, i vërtetë dhe i mirë. Jeta shpirtërore, në këtë kuptim, përbëhet vetëm nga një gjë: të mos mëkatosh. Të mos mëkatosh do të thotë të jesh i ngjashëm me Perëndinë dhe Birin e Tij Jisu Krisht. Ky është qëllimi i jetës njerëzore.

    Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit. Dhe ju e dini se Ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat. Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur. Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë Ai. Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë, sepse lindi nga Perëndia. Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet (1 Joani 3:4-10).

    Të mos mëkatosh është qëllimi i jetës njerëzore. Por, në fakt, të gjithë njerëzit mëkatojnë. Për këtë arsye është (ekziston) mundësia për t’u çliruar nga mëkati dhe për ta mundur atë që vjen nëpërmjet veprës shpëtimtare të Krishtit, i cili fal fajet e botës. Është për këtë arsye që mundësia për t’u çliruar nga mëkati dhe për ta mundur atë vjen nëpërmjet veprës shpëtimtare të Krishtit, i cili fal fajet e botës.

    Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne. Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një mbrojtës te Ati, Jisu Krishtin të drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës. . . Nga kjo e njohim se jemi në të. Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë, sikurse ka ecur Ai (1 Joani 1:8-2:2-6).