Të gjithë të krishterët duhet të luten në Frymë; dhe çdo lutje e vërtetë është me siguri kështu. Njerëzit luten tek Ati, nëpërmjet Krishtit Birit dhe Fjalës së Perëndisë në Frymën e Shenjtë. Kështu është kurdoherë kur njerëzit luten, çfarëdo qoftë metoda e tyre, qoftë kur e dinë atë apo jo. Sepse, lutja nuk është një thirrje e vetmuar e njeriut përmes hapësirës boshe tek një Perëndi që është larg. Lutja është njeriu që është në Perëndinë; që është në Frymën e Shenjtë, si i bërë në shëmbëlltyrën e Krishtit, vend-banim i Perëndisë.
A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju? . . . tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë (1 Korinthianët 3:16-17, kr. Ligji i Përtërirë 30:9-14, Psalmi 139:7-14, Romanët 10:5-13).
Lutja e krishterë bëhet në mënyrë të ndërgjegjëshme në Frymën e Shenjtë, me të gjithë besimin dhe vetëdijen. Ajo i drejtohet tek dhe nëpërmjet Krishtit, tek Ati. Në Kishën Orthodhokse ka vetëm një lutje ndërmjet të gjitha lutjeve të Kishës drejtuar Shpirtit të Shenjtë. Kjo është lutja O Mbret Qiellor me të cilën fillon çdo lutje dhe krijon qartë kushtet në të cilat të gjitha lutjet kryhen
O Mbret Qiellor, Ngushëllimtar, Shpirt i së
Vërtetës,
Që ndodhesh kudo dhe i mbush të gjitha,
Thesar i të mirave dhe Jetëdhurues,
Eja e bano ndër ne dhe pastrona nga çdo njollë
Dhe shpëto o i Mirë shpirtrat tanë.
Edhe në të Dielën e Pentekostisë në Kishën Orthodhokse tre lutjet e veçanta të festës i drejtohen Krishtit dhe Atit.
Lutja tek Perëndia për ardhjen e Shpirtit është në vetvete një shenjë se Shpirti është tashmë në njeriun, duke e aftësuar atë të thërrasë tek Ati. Ky është misteri i natyrës dhe i ekzistencës së njeriut; që ai është me të vërtetë njeri, vetëm kur Shpirti i Shenjtë ndodhet tek ai. Ky është misteri i veprës së hirshme të Perëndisë tek njeriu. Është misteri i lutjes dhe i vetë jetës.
Një e quan Perëndinë “Ati ynë” vetëm në Frymën. Një e quan Jisuin “Zot” vetëm në Frymën. Një lutet tek Perëndia në çfarëdo mënyre apo forme vetëm në Frymën. Fjalët e psalmeve, lutjet e shenjtorëve, adhurimi liturgjik i Kishës, është “frymëmarrja e Frymës së Perëndisë” në njeriun (At Joani i Kronshtadit, Jeta ime në Krishtin). Sepse të gjitha lutjet, ashtu si vetë shkrimet, janë nga frymëzimi i Perëndisë.
Edhe kur njerëzit nuk e dinë sesi të luten ose për çfarë duhet të kërkojnë, është Shpirti i Shenjtë që lutet në ata që ata të kenë çfarë u nevojitet, që të bëhet vullneti i Perëndisë.
Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe Ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse Ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë (Romanët 8:26-27).
Kështu lutja në Frymë, si edhe lutja për Frymën, ka si qëllimin e saj “fitimin e Frymës”, që nga “frytet e Frymës” njeriu të bëhet i shenjtë dhe hyjnor nga hiri i Perëndisë. Ky është misteri themelor i jetës shpirtërore. Sepse, ashtu si Shën Agustini ka thënë, personi që kërkon Zotin është gjetur tashmë nga Ai. Vetë kërkimi në lutje, kur një nuk e di sesi të lutet, e bën një person tashmë vendbanimin e Perëndisë.
Në letrën e tij të parë drejtuar Korinthianëve, Apostull Pavli flet për një lloj të veçantë lutje në Frymë. Është dhurata shpirtërore e “të folurit në gjuhë.” Me këtë dhuratë të veçantë personi e lavdëron Perëndinë në një gjuhë që ai nuk e kupton. “Shpirti i tij lutet” me thënie mahnitëse, por “mendja e tij mbetet e pafrytshme.” Sipas apostullit, i cili vetë e kishte këtë dhuratë dhe thotë se nuk duhet ndaluar, një lutje e tillë në frymë është pa përfitim për njeriun në mos qoftë e shoqëruar me “ndonjë zbulesë ose njohuri ose profeci (d.m.th. Fjala e Perëndisë e frymëzuar direkt) ose mësim.” Ai thotë se nuk duhet bërë në mbledhjet publike të kishës nëse nuk do të ketë ndonjë shpjegim, edhe atëherë kjo duhet të bëhet vetëm “nga dy ose më të shumtën tre” dhe ata që “duan fort të kenë dhunti shpirtërore, të kërkojnë të kenë të bollshme për ndërtimin e kishës” dhe nuk duhet “të bëhen kalamaj nga mendja . . . por burra të pjekur nga mendja.” Ai thotë se të gjithë duhet të kërkojnë me tepër të profetizojnë, d.m.th. ta flasin qartë dhe kuptueshëm Fjalën e Perëndisë, që ata që i shikojnë të krishterët të shpallin “se Perëndia është me të vërtetë ndërmjet” atyre dhe të mos i konsiderojnë ata “të dalë nga mendtë.” Ai thotë, më së fundi, se “të gjitha gjërat duhet të bëhen me hije dhe me rregull” (kr. 1 Korinthianët 12-14).
Është e qartë se dhurata e lutjes në Frymë me gjuhë ishte shkaku i një pështjellimi dhe çrregullimi jo të vogël në Kishën e Korinthit dhe se ata që kishin këtë dhuratë të lutjes dalldisëse po turbullonin dhe po e përçanin bashkësinë, ngaqë e konsideronin veten më shpirtëror se të tjerët. Shën Pavli ngulmon që jo të gjithë kanë të njëjtat dhurata dhe që dhurata e gjuhëve është veçse njëra prej tyre, më e vogla e atyre të përmendura, për të shërbyer si shenjë jo për ata që tashmë besojnë, por “për jobesimtarët” (1 Korinthianët 14:22). Në përgjithësi, është e qartë se i vetmi qëllim i fjalimit të gjatë të apostullit mbi dhuratat shpirtërore, dhe këmbëngulja e tij për të hequr dorë “nga “mënyrat foshnjarake” në kërkimin e përsosjes kur një bëhet i pjekur, ishte të qortonte anëtarët e Kishës së Korinthit për keqpërdorimin dhe shpërdorimin e tyre të dhuratës shpirtërore të gjuhës.
Nuk ka evidencë në traditën shpirtërore të kishës që ndonjë shenjt ka patur dhuratën e lutjes në gjuhë ose që një lutje tillë ka qenë ndonjëherë pjesë e liturgjisë se kishës. E vetmja përmendje e saj që mund të gjendet, përsa dimë ne, ishte në pagëzimin e Montanit, një heretik i shekullit të tretë, i cili e la kishën për të themeluar sektin e tij spiritualist. Nëse ndonjë nga shenjtorët ose mjeshtërit shpirtëror e ka patur këtë dhuratë, ata nuk kanë shkruar rreth asaj as e kanë shpallur haptazi. Kjo ishte e panjohur, për shembull, tek Shën Joan Gojarti, sipas raportimit të tij (kr. Komentari mbi Korinthianët). Meqenëse një numër besimtarësh e kanë këtë dhuratë në kohën tonë dhe meqenëse ka persona që e kërkojnë atë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo metodë e lutjes të kuptohet sipas këshillave të Shën Pavlit dhe në aspektin e mësimit të mjeshtërve shpirtëror të lutjes.