Familja

    Dashuria e vërtetë në martesë nënkupton lindjen e fëmijëve. Ata që dashurohen me të vërtetë në martesë do të kenë natyrshëm fëmijë si fryti i dashurisë së tyre dhe si lidhja më e madhe e bashkimit të tyre. Ata që i përçmojnë fëmijët dhe nuk pranojnë t’u japin atyre kujdes dhe përkushtim nuk dashurojnë me të vërtetë.

    Pa dyshim që ka edhe nga ata martesat e të cilëve do të jenë pa fëmijë, për shkak të ndonjë tragjedie të natyrës të sjellë nga “mëkati i botës”. Në martesa të tilla mund të ekzistojë dashuria e vërtetë, por përkushtimi i ndërsjelltë në shërbimin e Perëndisë dhe njeriut do të marrë forma të tjera ose në adoptimin e fëmijëve ose në shërbime të tjera të mira për të tjerët. Martesa pa fëmijë, qoftë nga zgjedhja e vullnetshme ose nga tragjedia natyrale, që rezulton në rehati-dashje nuk është një bashkim shpirtëror.

    Kontrolli vullnetar i lindjes në martesë është i lejueshëm vetëm, sipas thelbit të jetës shpirtërore, kur lindja e një fëmije do të sjellë rrezik dhe mundim. Ata që jetojnë jetën shpirtërore do të vijnë në vendimin e moslindjes së fëmijëve vetëm me hidhërim dhe do ta bëjnë kështu, para Perëndisë, me lutje për drejtim dhe mëshirë. Nuk mund të jetë një vendim i marrë lehtë ose për arsye vëtë-rehatie.

    Sipas mësimit të përbashkët të Kishës Orthodhokse, kur merret një vendim i tillë para Perëndisë, mjetet e implementimit janë arbitrare. Nuk ka në opinionin orthodhoks mjete të kontrollit të lindjes që janë më të mira se të tjerat. Të gjitha mjetet janë njëlloj të trishtueshme dhe të dhimbshme për ata që duan me të vërtetë. Sepse martesë e krishterë është ajo që ka fëmijë sa më shumë që të jetë e mundur.

    Aborti i një fëmije të palindur është absolutisht i dënuar në Kishën Orthodhokse. Aborti klinik nuk është një mjet për kontrollin e lindjes dhe ata që e praktikojnë atë, për çfarëdo arsyeje, si praktikuesit ashtu edhe ata që e kërkojnë atë, dënohen sipas ligjit kanonik të Kishës me “dënimin për vrasje” (Sinodi në Trulo, Sinodet Ekumenike 5-6).

    Në raste të skajshme, si kur nëna do të vdesë me siguri, nëse ajo do të lindë fëmijë, vendimi për jetën ose vdekjen e fëmijës duhet të merret vetëm nga nëna, në konsultim me familjen dhe drejtuesit e saj shpirtëror. Çfarëdo qoftë vendimi, lutjet e pandërprera për drejtimin dhe mëshirën e Perëndisë duhet të jetë baza e tij. Sipas besimit orthodhoks, një nënë që e jep jetën për fëmijën e saj është një shenjtore që me siguri do të lavdërohet madhërisht nga Perëndia; sepse nuk ka ndonjë akt më të madh dashurie, sesa të japësh jetën tënde që një tjetër të mund të rrojë (kr. Joani 15:13).

    Brenda jetës së familjes, babai duhet të jetë drejtuesi dhe kreu. Ai duhet ta dojë gruan e tij dhe fëmijët si Krishti e do Kishën – dhe Krishti vdiq për Kishën. Ai nuk duhet të jetë kurrë i ashpër. Gruaja duhet të jetë krejtësisht e përkushtuar ndaj burrit të saj dhe duhet të kërkojë, të nxisë dhe të aftësojë udhëheqjen  e tij. Kjo është rruga normale e jetës familjare e përshkruar në shkrimet, se “kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia” (1 Korinthianët 11:3, Efesianët 5:22-23, Kolosianët 3:18-19, 1 Pjetri. 3:1-7).

    Kur burri ose gruaja është një jobesimtar – dhe kështu është vetëm kur një anëtar i familjes bëhet i krishterë mbas martesës, ose kur njëri nga çifti i martuar e humbet besimin e tij ose të saj, sepse normalisht një i krishterë nuk duhet të martohet me një jobesimtar – çifti, sipas Shën Pavlit nuk duhet të ndahet apo të divorcohet, por duhet të vazhdojë të jetojë së bashku. Besimtari duhet të tregojë shembullin më të mirë të jetës shpirtërore të dashurisë ndaj jobesimtarit në çdo fjalë apo vepër, krejtësisht pa shtërngim ose detyrim në lidhje me besimin dhe sigurisht pa akuzim apo dënim.

    . . . Sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.  Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe. Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan (1 Korinthianët 7:14-16, kr. 1 Pjetri. 3:1-7)?

    Këtu apostulli, për hir të paqes, e lejon ndarjen, por nuk e nxit atë. Megjithatë, në rrethana të skajshme, të tilla, si kur ka rrezik shpirtëror ose fizik, vetë Kisha e këshillon ndarjen si një të keqe më të vogël. Por, në raste të tilla, Kisha e këshillon, gjithashtu, të krishterin e ndarë, nëse është e mundur, të “mos martohet përsëri” (1 Korinthianët 7:10). Martesat e dyta, edhe për ata që kanë mbetur të ve, lejohen dhe bekohen nga Kisha, pa dënimin e çkishërimit, vetëm, në teori, në ato raste ku martesa e re ka mundësinë e të qenurit e shenjtë dhe e pastër (Shih Vëllimi II, Adhurimi).

    Brenda familjes, jeta shpirtërore e dashurisë duhet të kërkohet dhe jetohet sa më e plotë që të jetë e mundur. Kjo do të thotë se çdo anëtar i familjes duhet të jetojë për të mirën e tjetrit në çdo rrethanë, “duke mbajtur barrën e njëri-tjetrit” dhe në këtë mënyrë, duke përmbushur “ligjin e Krishtit” (Galatianët 6:2). Atje duhet të jetë prania e vazhdueshme e mëshirës dhe e faljes dhe mbështjeta e ndërsjelltë. Atje duhet të jetë çdo shprehje e dashurisë së vërtetë, ashtu si gjendet në përgjithësi tek ata që janë të shenjtë.

    Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban të gjitha (1 Korinthianët 13:4-7).

    Një dashuri e tillë është baza e një jete familjare të qëndrueshme, e jetuar dhe shprehur plot gëzim e ngazëllim, pa hezitim ose shtrëngim (kr. 2 Korinthianët 9:6-12). Sepse martesa nuk është një “ngecje e shenjtë”, siç është shprehur një shkrimtar cinik, por, siç thotë Shën Joan Gojarti, një “kishë e vogël” në shtëpinë ku hiri dhe liria e Perëndisë është me bollëk për jetën dhe shpëtimin e njeriut.

    Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. “Ndero babanë tënd dhe nënën tënde . . . që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhι” (Efesianët 6:1-3, Eksodi 20:12).  Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënën e tyre.

    Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t’i shuhet në terrin më të madh (Fjalët e Urta 30:11, 20:20).  Kushdo që mallkon të atin ose të ëmën, do të dënohet me vdekje, sepse ka mallkuar të atin o të ëmën; gjaku i tij do të bjerë mbi të (Levitiku 20:9).

    Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin (Kolosianët 3:20).

    Shën Joan Gojarti thotë se ata që nuk mund të nderojnë, duan dhe respektojnë prindërit e tyre, sigurisht, nuk mund t’i shërbejnë Perëndisë, sepse Ai është “Ati i të gjithave” (Efesianët 4:6), Ai “nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë” (Efesianët 3:15).

    Babai i vërtetë e do dhe e disiplinon fëmijën e tij, ashtu si Perëndia e do dhe e disiplinon popullin e tij (kr. Hebrejntë 12:3-11).

    Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e ndreq me kohë.

    Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.  Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e ndreqjes do ta largojë prej saj.  Mos ia kurse ndreqjen fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë (Fjalët e Urta 13:24, 22:6, 15, 23:13).

    Dashuria e babait për fëmijët shprehet në dashjen e disiplinës pa hipokrizi. Mësuesi më i mirë është shembulli i tij.

    Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit (Efesianët 6:4).  Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra (Kolosianët 3:21).

    Ashtu si barinjtë e Kishës, etërit e familjeve duhet të jenë “të përmbajtur, i arsyeshëm, i matur, mikpritës, i aftë të mësojë, të mos jepet pas verës, të mos jetë i dhunshëm, por i butë, jo grindavec dhe të mos lakmojë paranë” (1 Timotheu 3:2-3).Ai duhet të jetë një shembull për fëmijët e tij “në fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim, në dlirësi” (1 Timotheu 4:12). Ashtu si ati në parabolën e Krishtit, ati njerëzor duhet të jetë gjithmonë i gatshëm për të pritur në shtëpi me gëzim fëmijët e tij plangprishës. Gratë dhe nënat e familjeve duhet të jenë krejtësisht të përkushtuara ndaj burrave dhe fëmijëve të tyre. Ato duhen të jenë personifikimi i të gjitha fryteve të Shpirtit të Shenjtë, si ato që japin jetë si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht.

    Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve. Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo . . . ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.  Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë. Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.

    Ajo mbikëqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.

    Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: “Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato”.

    Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet (Fjalët e Urta 31:10-30).

    Ky mësim i Urtësisë është i vërtetë gjithashtu në shkrimet e apostujve të Krishtit.

    Në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta, po me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmërisë (1 Timotheu 2:8-10).

    Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre, kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë. Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura, por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë. Sepse kështu stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre, ashtu si Sara, që i bindej Abrahamit duke e quajtur zot; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë (1 Pjetri. 3:1-6).                                                                                              

    Kështu, në “kishën e vogël” të familjes, me çdo anëtar që jeton sipas vullnetit të Perëndisë, Mbretëria e Perëndisë është tashmë e pranishme dhe aktive, duke pritur të përmbushet përsosmërisht në Mbretërinë e qiellit që nuk do të ketë kurrë mbarim, ku të gjithë janë fëmijët e Perëndisë, nusja e Birit të Tij.