Engjëjt

  Të Gjitha të Dukurat dhe të Padukurat

    Përveç botës së dukshme Perëndia krijoi dhe botën e padukshme. Shkrimi i Shenjtë ngandonjëherë e quan atë “qiejt” dhe herë të tjera i referohet asaj si “mbi qiejt.” Çfarëdo qoftë emri i saj, i përdorur në Shkrimin e Shenjtë, bota e padukshme nuk është pjesë e universit material. Ajo nuk ekziston në hapësirë dhe nuk ka dimensione fizike. Kështu që nuk mund të lokalizohet dhe nuk ka një “vend” ku mund të shkohet, duke udhëtuar nëpërmjet galaktikave.

    Por, megjithëse kjo botë është e padukshme dhe është botë e pastër shpirtërore, ajo është e krijuar, është reale dhe ekziston me të vërtetë. Krijimi i padukshëm ekziston si i ndryshëm prej universit të krijuar material, por gjithashtu, është krejtësisht i ndryshëm prej ekzistencës absolute hyjnore të Perëndisë së pakrijuar. Realiteti i krijuar i padukshëm përbëhet prej ushtrive të fuqive pa trup, përgjithësisht – deri diku jo e saktë – të quajtur engjëj. Engjëjt (që literalisht do të thotë “lajmëtarë”) janë vetëm një rang i fuqive pa trup të botës së padukshme.

    Sipas Traditës dhe Shkrimit Orthodhoks, ka nëntë rangje të fuqive pa trup ose Ushtrive (Savaoth do të thotë “ushtri” ose “rangje”). Ata janë engjëjt, kryeengjëjt,

 prijësit, fuqitë, pushtetet, zotërimet, fronet, keruvimet dhe serafimet.

    Të fundit i afrojnë Perëndisë adhurim të vazhdueshëm duke thirrur pa ndërprerje: I Shenjtë! I Shenjtë! I Shenjtë! (Isaia 6:3; Zbulesa 4:8).

    Ata që ndodhen në mes të listës së mësipërme njihen pak nga njerëzit, ndërsa engjëjt dhe kryeengjëjt janë parë si punëtorë aktivë, luftëtarë dhe lajmëtarë të Jahves, në lidhje me këtë botë.

    Kështu, engjëjt dhe kryeengjëjt janë parë të luftojnë kundër së keqes shpirtërore dhe të ndërmjetojnë mes Perëndisë dhe botës. Ata shfaqen në forma të ndryshme tek njerëzit në Dhiatën e Vjetër dhe të Re, si dhe në jetën e Kishës. Engjëjt janë ata që sjellin fuqinë dhe praninë e Perëndisë dhe janë lajmëtarët e fjalës së Tij për shpëtimin e botës.

   Më i njohuri nga engjëjt është Gabrieli (që literalisht do të thotë “burrë i Perëndisë” ose “trim i Perëndisë”), prurësi i lajmit të mirë të lindjes së Krishtit (Danieli 8:16; 9:21; Lluka 1:19,26) dhe Mikaili (Shën Mëhilli), që do të thotë literalisht “kush është si Perëndia”, kryegjenerali i ushtrive shpirtërore të Perëndisë (Danieli 11:13; 12:1; Juda 9; Zbulesa 12:7).

    Duke folur në përgjithësi, shfaqja e fuqive pa trup tek njerëzit është përshkruar në një mënyrë fizike (“me gjashtë krahë”,”me shumë sy” ose në “formë njeriu”). Megjithatë, duhet të kuptohet qartë se këto janë thjesht përshkrime simbolike. Engjëjt nuk kanë trupa dhe nuk kanë veçori trupore të asnjë lloji. Ata janë qenie shpirtërore të pastra.