Ishulli i bukur i Zvërnecit priti edhe këtë sezon veror të rinjtë orthodhoksë në kampin e tretë dhe të fundit për këtë vit. Kampi i konceptuar për djemtë e moshës 18 – 30 vjeç filloi në datën 25 korrik dhe përfundoi më 6 gusht. Tema qendrore ishte “Të gjitha u mbushën me Dritë”, e njëjtë si ajo e të gjithë kampingjeve të tjerë për djem, që u organizuan këtë vit në Kishën tonë.
    Në veprimtari morën pjesë rreth 95 të rinj nga të katër dioqezat e Shqipërisë. Ndarja në grupe solli harmoni në kamp, duke krijuar miqësi të reja me njeri-tjetrin. Në kampin e tretë u formuan grupe me emrat e festave kryesore që kremtohen në Kishën tonë Orthodhokse, të cilat ishin: Ungjillëzimi, Krishtlindja, Theofania, Metamorfoza, Pashka, Analipsi dhe Pentikostia.
    Programi i një dite ishte i pasur me aktivitete shpirtërore dhe argëtuese. Zgjimi ishte në orën 7:00, për të vazhduar në orën 7:20 me ngritjen e flamurit. Në orën 7:30 kryhej Shërbesa e Mëngjesores, në orën 8:30 hahej mëngjesi, ndërsa në orën 9:30 nisja për në plazh.
    Pas kthimit nga plazhi dhe ngrënies së drekës, deri në orën 14:30 pjesëmarrësit kishin kohë të lirë. Gjatë pasdites organizoheshin aktivitete sportive, me një ndërprerje të shkurtër në orën 18:30 ku bëhej “ndarja e zemrës” (ushqimit të mbasdites).
    Një nga momentet kryesore të një dite kampi ishte tema shpirtërore ku një klerik, teolog ose katekist fliste rreth çështjeve që trajtohen në librin e Kryepiskopit Anastas “Të gjitha u mbushën me dritë”.
    Në orën 20:00 kryhej Shërbesa e Mbrëmësore, në 20:30 ishte koha e ngrënies së darkës, ndërsa në 21:30 aktiviteti argëtues deri në orën 23:00 kur ishte edhe mbyllja e programit ditor. Përveç larmishmërisë së këtij programi kishte dhe ditë në të cilat zbatohej një program tjetër, kryesisht në ditë festash.
    Në 2 gusht kampistët shkuan në Tiranë ku morën pjesë të gjithë në Liturgjinë Hyjnore që u mbajt në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses Mari” me rastin e 15-vjetorit të Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas. Kampistët i dhanë Kryepiskopit dy dhurata simbolike të krijuar nga vetë ata; një varkë e punuar me guaska dhe një pikturë të ishullit të Zvërnecit të pikturuar në një pllakë guri.
    Dhurata e parë simbolizon vazhdimësinë e Kishës sonë, duke lundruar përmes dallgëve të fuqishme në drejtimin e Kryepiskopit Anastas, kurse dhurata e dytë nga pamundësia që Kryepiskopi të vinte në kampin e Zvërnecit, “ia sollën të rinjtë kampin” në mënyrë simbolike, të përshkruar me anë të një pikture në pllakë guri.
    Në këtë kamp u pagëzuan 9 të rinj. Tashmë ata janë anëtarët më të rinj në Kishën tonë. Shërbesa e pagëzimit u krye në det dhe ishte një nga pjesët më të pëlqyera të kampit. Vizita e Mitropolitit të Beratit, Hirësi Ignatit, ishte një nga momentet më të spikatura. Ai solli bekimet e tij dhe mbajti një nga temat shpirtërore.
    Gjithashtu pjesë e programit ishin edhe aktivitete argëtuese si: ndeshjet e futbollit, volejbollit, lojërat olimpike etj. që u organizuan ndërmjet grupeve dhe në fund shpalleshin fituesit, duke marrë edhe një dhuratë si shpërblim. Festivali i kampit, që tashmë nuk mund të shkëputet nga tradita e kampingjeve, solli një kohë festive në natën e fundit. Ndërthurja e këngëve të krijuara nga vetë grupet me skeçet e përgatitura nga vetë të rinjtë, krijuan një ambient të këndshëm. Juria shpalli  fitues grupin e Pentikostisë me këngën: “Jemi të Krishterë”. Ditët e kampit ishin plot dritë dhe të bekuara nga Perëndia. Kampistët u larguan duke marrë këtë dritë për ta përcjellë në familje dhe në shoqërinë e tyre.
Emanuel Pupi dhe Anesti Kepi