|
Nga datat 10 – 14 shtator 2008 në Varna të Bullgarisë, BOYA (Organizata e të rinjve orthodhoksë të Ballkanit) organizoi aktivitetin me temë “Të bëhemi krijesë e re në Krishtin”, me rastin e 15 – vjetorit të krijimit të saj. Me bekimin e Fortlumurisë së tij, Kryepiskopit Anastas, në këtë aktivitet mori pjesë edhe një grup përfaqësues prej pesë anëtarësh, nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i drejtuar nga z. Jorgo Papadhopuli. Merrnin pjesë gjithashtu edhe përfaqësues nga Kisha Orthodhokse e Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë.
|
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Hirësia e Tij Mitropoliti i Varnës dhe Velikit, Preslav Kiril, i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë e të mbledhurit së bashku në emër të Zotit. Më pas zv. presidenti i BOYA-s Atë Sorin Zahiu prezantoi ecurinë dhe rëndësinë e BOYA-s për 15 vitet e saj të formimit. Ai tha se BOYA ka qenë në nga përvojat më të mira të jetës së tij. Gjithashtu Atë Sorini nxiti të gjithë anëtarët të ruhen nga 3 rreziqe; mungesa e komunitetit, mosnjohja e thesarit të orthodhoksisë dhe pasiviteti. “Është shumë e rëndësishme – theksoi ai – fjala që Kryepiskopi Anastas thekson, që rinia është jo vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e Kishës”.
|
|
|
Në fjalimin e tij me temë “Të bëhemi krijesë e re në Krishtin”, Hirësia e tij Mitropolititi i Varnës dhe Velikit, Preslav Kiril theksoi “…. që të gjithë ne duhet të luftojmë luftën e mirë të besimit. Vendi i luftës për t’u bërë krijesë e re në Krishtin është zemra. Së bashku në Liturgjinë Hyjnore dhe në të gjitha misteret ne do të rritemi në Krishtin. Detyra jonë është të rritim dhe edukojmë një brez që marshon drejt mbretërisë së qiejve.”
|
Gjatë çdo dite të këtij aktiviteti u prezantuan botimet e reja të kishave pjesëmarrëse të cilat ndihmojnë në edukimin e fëmijëve dhe të mbarë komunitetit në njohjen dhe rritjen në Zotin. Mitropolit i Sliven, Bullgari Ioaniki foli mbi rëndësinë e punës katekiste. Ai theksoi që të gjithë ata që kanë pastruar mendjen dhe zemrën nuk katekizojnë më nga vetja, por flasin nga Fryma e Shenjtë. Të gjithë ne duhet të mos kërkojmë vetëm shpëtimin tonë, por edhe atë të vëllait.
|
|
|
Të shtunën më 13 shtator u bë prezantimi i librit: “Globalizmi dhe Orthodhoksia” i Kryepiskopit Anastas, i cili tashmë është përkthyer edhe në bullgarisht. Z. Jorgo Papadhopuli bëri një përmbledhje prezantuese të këtij libri dhe rëndësisë së tij në mbarë botën orthodhokse. Ai theksoi se për të gjithë lexuesit e këtij libri hapet një vizion i ri dhe madhështor i udhëtimit të çdonjërit prej nesh drejt një shoqërie të dashurisë, në kuptimin e një shoqërie organike personash të lidhur nga dashuria, dhe jo thjesht të një forme bashkekzistenciale individësh.
|
Në këtë libër, Kryepiskopi Anastas thekson se ekumenizmin orthodhoksët e kanë në gjak, i cili pastrohet vazhdimisht me gjakun e Krishtit, Shpëtimtarit të botës. Në vend të një globalizmi që i shndërron popujt dhe njerëzit në pelte, të vlefshëm për qëllimet ekonomike të një oligarkie anonime, bioma dhe vizioni orthodhoks propozon dhe na fton në një përpjekje për një shoqëri të dashurisë… | |
---|---|
Pas prezantimit të librit, të gjithë pjesëmarrësit ndoqën me interes të veçantë prezantimin e ringritjes nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Ngjallja dhe lulëzimi i Kishës sonë për 17 vitet e fundit ngjall interes dhe admirim të veçantë te të gjithë ata që kanë mundësi të njohin dhe të prekin nga afër një mrekulli. Të gjithë ne jemi të bekuar në mënyrë të veçantë, që jemi dëshmitarë të kësaj mrekullie. Pjesë e programit të këtij aktiviteti ishin edhe vizitat në kishat dhe manastiret e Varnës, si dhe të monumenteve historike të qytetit. |
|
Kurorëzimi dhe mbyllja e këtij aktiviteti ishte Liturgjia Hyjnore e mbajtur në Katedralen e Varnës, qytetit mikpritës, për të festuar të kremten e Lartësimit të Kryqit. Në fund të kësaj Liturgjie mitropoliti i Varnës përshëndeti dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar dhe uruar që shenja e kryqit le të jetë simboli i unitetit dhe i fuqisë për në udhëtimin e përbashkët drejt Mbretërisë së Qiejve.
Të gjithë e lamë qytetin e bukur të Varnës me lutjen dhe shpresën që të transmetojmë tek besimtarët e kishave tona, paqen dhe frytet e këtij takimi të bukur.
|
Ana Baba