Hapet për herë të parë klasa e 10-të, shkolla e mesme dhe grupi parashkollor

   Shkolla “Protagonistët” në më shumë se 10 vjet veprimtari ka ardhur duke e rritur gjithmonë më shumë nivelin e mësimdhënies e të pajisjeve mësimore, por edhe ka ofruar mjaft risi. I tillë është edhe viti mësimor që sapo filloi. Përveç përmirësimit të bazës materiale, në ndihmë të mbi 300 nxënësve të saj, ai shënoi edhe hapjen e vitit të parë të shkollës së mesme dhe përfshirjen e përkujdesjes ditore të fëmijëve pranë tij, brenda strukturës së shkollës.


    Në maj të këtij viti u mor licenca nga Ministria e Arsimit për shkollën e mesme. Hapja e saj u vonua një vit, pikërisht për të qenë në rregull me gjithë dokumentacionin dhe kushtet e kërkuara. U hap për herë të parë klasa e 10-të dhe, siç na thotë nëndrejtoresha, znj. Tatjana Dodbiba,  numri i regjistrimeve është i kënaqshëm. Ajo na thekson përzgjedhjen e kujdesshme të stafit, i cili është i përbërë nga mësues të njohur me përvojë të gjatë në shkollat e mesme publike, si dhe disa të rinj që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera e me specializime pasuniversitare.

    Shkolla, ka si gjuhë të parë të huaj anglishten, dhe si gjuhë e dytë është greqishtja dhe gjermanishtja me përzgjedhje. Ajo është e pajisur me laboratorët e nevojshëm, ai i kimisë, fizikës dhe biologjisë. Po përgatitet dhoma e veçantë e kompjuterëve. Gjithashtu, çdo nxënës ka një dollap personal me çelës. Është ngritur salla e mësuesve etj.

    Një risi e bukur dhe që pritet rritje e nivelit të mësimdhënies në vitet e ardhshme është edhe përfshirja e përkujdesjes ditore të fëmijëve brenda shkollës “Protagonistët”, duke e bërë atë me cikël të plotë për të gjitha moshat. Kjo u bë mbi bazë të programeve të reja të Ministrisë së Arsimit. Grupi i më të rriturve, parashkollori, është vendosur në katin e parë të godinës së shkollës, në një klasë të bukur të kompletuar me të gjitha mjetet e nevojshme didaktike, për të cilën kujdeset një mësuese me përvojë.

    Në këtë grup po zbatohet një program plotësisht i ri, i cili synon që nxënësit, para se të nisin filloren, të dinë të mbledhin numrat deri në 10, të njohin germat, t’i shkruajnë e t’i lexojnë. Gjithashtu, nëpërmjet lodrave mësohet edhe alfabeti i gjuhës angleze, lëndë që do mësojnë që në klasën e parë etj.  Sipas udhëzimeve të MASH, kanë ndryshuar gjithashtu edhe programet e grupmoshave më të vogla.