Më 26 Janar, besimtarët e qytetit të lashtë të Beratit pritën një dhuratë të madhe nga Mali i Shenjtë, Athos, Ikonën e Hyjlindëses Mari “Udhëheqëse”. Kjo ikonë e madhërishme, u punua me shumë dashuri dhe përulësi nga dy etërit të skitit të Danilenjve, Atë Danieli dhe Atë Damaskini, të cilët nëpërmjet penelit kanë treguar jo vetëm talentin e tyre, por i kanë dhënë ikonës portretin e vërtetë sa njerëzor po aq edhe qiellor.
 

    Pas dreke, njerëz të shumtë të informuar nga njoftime të ndryshme mediatike, filluan të mblidheshin në afërsi të Kishës së Shën Spiridhonit, që ndodhet në një nga lagjet muze të qytetit të lashtë të Beratit, në lagjen Goricë. Qindra e qindra njerëz, rrugë të shtruara me dafina. Priftërinjtë e shumtë të veshur me stolitë përkatëse, të udhëhequr nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati, fëmijë me veshje kishtare që mbanin në duar elbezetë dhe qirinjtë, fëmijë të tjerë të veshur me kostume popullore, të cilët mbanin buqetat me lule, tashmë ishin sistemuar në vendin e pritjes.

   Të gjitha këto tregonin qartëse ky do tëishte njëmoment i madh, qënuk e dimënëse do ta përjetojmëmënëjetën tonë.  Ishte diku rreth orës 16 kur përpara njëturme tëmadhe besimtarësh u faneps me njëmadhështi tëjashtëzakonshme, e cila nuk ështëe lehtëtëpërshkruhet me fjalënjerëzore, Ikona e Hyjlindëses “Udhëheqëse”. 

    Ardhjen e saj e përshëndetën jo vetëm qindra besimtarë të Beratit, por edhe shumë të tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

    Në veçanti Ikonën e Hyjlindëses Mari e përshëndeti në gjuhët shqip dhe greqisht grupi i fëmijëve të veshur me kostumet kombëtare. Nga të dyja anët e rrugës besimtarët mbanin në duar dega dafine, ndër të cilët një grup fëmijësh të entuziazmuar e përshëndesnin ikonën duke thirrur: “Hosana, hosana …”.

    Ikona u prit dhe u shoqërua nga Kryebariu i Mitropolisë së Beratit, Imzot Ignati, i rrethuar nga dhjetëra klerikë të dioqezës, por edhe më gjerë. Për ta bërë këtë festë sa më madhështore ishte ftuar nga Shën Vlashi i Durrësit, kori i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, i cili me psalmodhitë mbresëlënëse e bëri këtë pasdite më tepër të ngazëllueshme, që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni.

    Himnet dhe Lavdërimet e shumta që iu psalën së Tërëshenjtës gjatë shoqërimit për në Kishën e Shën Spiridhonit treguan qartë madhështinë e Krishterimit, bukurinë e këtyre litanive, të cilat janë pjesë e pandarë e traditës Orthodhokse.

    Ashtu siç i ka hije festimeve të tilla pas vendosjes së ikonës në qendër të kishës, u psal Dhoksologjia e Madhe si dhe u përshëndet e Tërëshenjta Mari nga turma e madhe e besimtarëve, të cilët erdhën enkas për të. Më pas nën drejtimin e Imzot Ignatit u krye Mbrëmësorja e Madhe e së Shtunës si dhe u bë bekimi i Pesë Bukëve për nder të Kryezonjës së Tërëshenjtë. Në fund të Shërbesës së Mbrëmësores fjalën e mori Kryebariu Imzot Ignati, i cili në përshëndetjen e rastit theksoi:

    “Vendin e parë midis shenjtorëve të Kishës e ka Hyjlindësja e Tërëshenjtë Mari. Është e zgjedhura e parë nga të gjithë brezat si banesë e Krijuesit dhe Mbretit të gjithësisë, Krishtit Perëndi, për përmbushjen e Ekonomisë Hyjnore, nëpërmjet Tij u rigatuam dhe u rinovuam nga prishja për jetën e pasosur. Është “Shenjtorja më e madhe se të gjithë shenjtorët”.

    Nuk mund të themi absolutisht asgjë, por duke përmendur fjalët e Shën Grigor Pallamait, se “vetëm Ajo është kufiri ndarës midis natyrës së krijuar dhe të pakrijuar; dhe askush nuk mund të vijë tek Perëndia, veçse nëpërmjet Asaj dhe Mjeshtërit që lindi prej Saj”, ta përgjërojmë për të na mbrojtur dhe për të na udhëhequr në rrugën e detyrës dhe të virtytit, duke thënë bashkë me Shën Joan Damaskinin: “U bëftë dëshira jonë, o e Mira Kryezonjë, që të na mbikëqyrësh dhe të na sjellësh përmbushjen e lumtur të kërkesave tona, dhe sidomos të shpëtimit tonë.”

    

    Duke iu drejtuar Etërve të ardhur nga Mali i Shenjtë, Hirësia theksoi:

    “Shumë të nderuar dhe miq të dashur etër Daniel dhe Damaskin, mirë se erdhët në këtë ditë të bekuar në qytetin tonë të lashtë dhe në kishën historike të Shën Spiridhonit. Prania juaj midis besimtarëve shqiptarë u prit me një kënaqësi të papërshkruar, sepse kjo është një ngjarje e rrallë në jetën tonë shpirtërore.

    E vlerësojmë së tepërmi veprën dhe dhuratën tuaj të paçmuar, që i bëni popullit tonë shpresëtar, duke sjellë ikonën e hirshme të Mbretëreshës së Qiejve, Kryezonjës Mari “Udhëheqëse”. Keni punuar për një kohë të gjatë me shumë dashuri dhe lutje të vazhdueshme, duke derdhur pa kursim gjithë talentin tuaj, dhunti të dhuruar nga Zoti, dhe me penelin, të zotëruar mjeshtërisht nga ju, arritët të krijoni një vepër monumentale, e cila do të vendoset në vendin e saj të merituar.

    Nuk është e rastit që ky thesar, sa shpirtëror, aq dhe artistik, të vijë në qytetin e Onufrit të madh, të këtij prifti ikonograf të famshëm, që së bashku me të birin Nikolla, themeloi shkollën e njohur të ikonografisë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.

    Ju po shikoni me sytë tuaj ç’gëzim dhe ngazëllim të veçantë po u jepni sot besimtarëve të shumtë, që kanë ardhur nga Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Lushnja, Kuçova si dhe nga fshatra të këtyre rretheve, të cilët me hare të papërshkruar kanë mbushur plot e përplot lagjen e Goricës dhe kishën e Shën Spiridhonit për t’ju shikuar, për t’ju dëgjuar dhe për të shijuar pafundësisht ikonën e madhërishme të Virgjëreshës Mari. Midis kësaj turme të jashtëzakonshme janë të pranishëm shumë të moshuar, të rinj e të reja, të ardhur nga Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, pjesëtarë të korit bizantin kishtar si dhe shumë fëmijë të mitur.

    Është nder i madh për mua që, në emër të Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, i cili për arsye shëndetësore nuk pati mundësi të marrë pjesë në këtë ftesë të ngazëllueshme, t’ju shpreh falënderimet dhe urimet më të nxehta për këtë dhuratë të hijshme që i bëni Kishës sonë.”

    Pas Mitropolitit, fjalën e përshëndetjes e mori Atë Danieli, i cili ndër të tjera tha:

    “Jemi të befasuar nga kjo pritje që iu bë të Tërëshenjtës. Ky ngazëllim është përulje para Hyjlindëses Mari. Ne ju sollëm si dhuratë të Tërëshenjtën, sepse ju e meritoni.”

    Më pas, Atë Danieli foli shkurt për historinë e ikonës, që sot ruhet në Malin e Shenjtë. Ai theksoi gjithashtu se këtë ikonë e kishin çuar dhuratë edhe në vende të tjerë, por nuk kishin hasur një pritje dhe një entuziazëm të tillë nga ana e besimtarëve.

    Pas Mbrëmësores së Madhe në kishën e Shën Spiridhonit për nder të Kryezonjës Mari u kryen shërbesat e Paraklisit të Tërëshenjtës, Pasdarkës si edhe Lumërimet e Himnit Akathist. Besimtarë të shumtë nuk rreshtën së ardhuri në kishën e Shën Spiridhonit për të përshëndetur Mbretëreshën Hyjnore edhe të nesërmen, ditë në të cilën u celebrua Liturgjia Hyjnore e së Dielës, ku u kremtua edhe transferimi i lipsanit të Shën Joan Gojartit. Në fund të Liturgjisë Imzot Ignati kreu bekimin e grurit para ikonës së të Tërëshenjtës “Udhëheqëse” për nderin dhe kujtimin e saj gjithashtu edhe për nderin dhe kujtimin e Shën Joan Gojartit.

    Me siguri, tashmë Hyjlindësja “Udhëheqëse” do të jetë tashmë më shumë se kurrë një mbrojtëse për cilindo që drejtoi tek ajo lutjet personale dhe të gjithë ne shpresojmë tashmë, që kjo ikonë e shenjtë, e cila do të mbetet përherë në Berat, do të jetë një mbrojtëse për qytetin dhe vendin tonë shpresëtar. 

Sotiraq Mishaxhi & Joan Qako