E diela e dafinave u përjetua me solemnitet, duke nisur kështu edhe rrugëtimin e Javës së Madhe deri në kulmin e saj, Pashkën e Madhe.
Pas një periudhe të gjatë kreshme dhe lutjesh, mijëra besimtarë mbushën këtë të diel kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, duke marrë pjesë me përkushtim të thellë tek Perëndia në shërbesat e kësaj dite të shenjtë. Përveç pjesëmarrjes së lartë të besimtarëve nëpër shërbesa, kleri ftoi të gjithë të krishterët orthodhoksë që gjatë Javës së Madhe të marrin pjesë në shërbesat e shumta gjatë çdo dite, në mengjes dhe pasdite.
Dhëndëri qiellor vjen. Dhe përsëri, ditët e shenjta të Javës së Madhe na e kujtojnë. Vjen dhe hyn në nusërore. Bashkë me të duhet të hyjmë edhe ne. Dhëndëri, i vetëm, nuk ka kuptim. Duhet edhe nusja. Parajsa, vetëm me Krishtin, nuk ka kuptim. Bashkë me Të është edhe Kisha. Bashkë me Të edhe nusja, shpirti. Shpirti ynë të bëhet nuse e Krishtit. Bashkë me Të në nusëroren hyjnore. Bashkë me Të në panairin e qiellit. Bashkë me të në martesën e Mbretërisë së Qiejve.