Ishte një bekim i madh për të gjitha trevat e Mitropolisë së Gjirokastrës vizita që bëri Kryepiskopi Anastas në kuadrin e të kremtes së Fjetjes së të Tërëshenjtës Mari, nga 13-17 gusht.
Vihet Guri i Themelit për kishën e Lukovës
Lukova ishte ndalesa e parë e Kryepiskopit Anastas. Të enjten pasdite, 13 gusht, në sheshin në qendër të fshatit qindra banorë, por edhe pushues, ishin mbledhur në një pritje të ngrohtë dhe plot respekt për kryepiskopin. Aty u krye Shërbesa e Vënies së Gurit të Themelit për ndërtimin e kishës së re të Shën Nifonit dhe Shën Athanasit. Kisha e vjetër e Shën Athanasit ishte prishur dhe në vend të saj qe ndërtuar një godinë e vogël dhe që ishte kthyer në vatër kulture. Pas një maratone të gjatë gjyqësore, ajo u shemb për të liruar sheshin për rindërtimin e kishës.
Në shërbesë ishin të pranishëm autoritetet vendore. Kryepiskopi u prezantoi besimtarëve projektin e kishës që do të ndërtohet, duke u bërë thirrje të jenë pjesëmarrës edhe ata në këtë përpjekje dhe jo thjesht shikues. Në vazhdim ai iu foli për Shën Nifonin, me emrin e të cilit do të kujtohet kisha e re e Lukovës, i cili jetoi në shekullin XIV, ishte murg dhe asket i dëgjuar dhe se ishte nga ky fshat. Kryepiskopi u foli gjithashtu edhe për përpjekjen që çdo besimtar orthodhoks duhet të bëjë që t’u ngjajë shenjtorëve.
* * *
Të premten, Kryepiskopi pati rastin të vizitojë dhe kontrollojë punimet e përfunduara të rikonstruksionit të plotë të Manastirit të Shën Gjergjit, në Çukë të Sarandës, si dhe kambanoren e re dhe punimet rregulluese në mjedisin rrethues të Kishës “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në Delvinë.
* * *
Hapet kisha e re e fshatit Aliko me Shërbesën e Hapjes së Dyerve
Fortlumturia e Tij kreu Shërbesën e Hapjes së Dyerve të kishës së re dhe më pas bashkëmeshoi me Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrin. Atmosfera adhuruese ishte prekëse në një kishë të tejmbushur. Kryepiskopi predikoi për personin e Nënës së Perëndisë, duke i ftuar të gjithë ta imitojnë atë në përulësi dhe bindje. Duke përcjellë edhe një herë mesazhin e shpresës, këmbënguli se ne të krishterët edhe në periudha të tilla pasigurie, krizash ekonomike dhe tronditjesh shoqërore, guxojmë të shpresojmë dhe se shpresa jonë është e bazuar në besimin te Perëndia i gjithësisë. Kryepiskopi iu kujtoi të pranishmëve përpjekjet e mëdha të Kishës sonë për ta bërë konkrete këtë shpresë në të ardhmen me akte konkrete në vite të vështira për Shqipërinë, me veprimtarinë ndërtuese dhe shpirtërore, por edhe me zbatimin e shumë punimeve infrastrukturore në fshatrat dhe enoritë tona.
Për të gjitha këto dhe në veçanti për kishën shumë të bukur të ngritur në fshatin e tyre, kryepiskopin e falënderuan përfaqësues të pushtetit lokal, por edhe përfaqësues nga vëllazëria që banorët e Alikos kanë krijuar në Athinë, ku shumica e të rinjve jetojnë dhe punojnë.
* * *
Kryepiskopi – “Qytetar Nderi” i Mursisë
Po atë ditë kryepiskopi shkoi në Mursi, një qytezë e vogël, ndoshta enoria më e skajshme në jugperëndim të Mitropolisë së Gjirokastrës. Mbi 2000 besimtarë kishin mbushur sheshin e fshatit dhe gra dhe vajza e shoqëronin me hedhje petalesh lulesh çdo hap të kryepiskopit për në kishën e Shën Theodhorëve në qendër. Aty u krye Shërbesa e Mbrëmësores. Mitropoliti i Gjirokastrës i uroi mirëseardhjen Kryepiskopit Anastas. Këtu ai pati rastin të përmendë punën e madhe të kryer në këtë zonë nga Kisha Orthodhokse, nën kujdesin dhe financimin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit: Kisha të reja, dy priftërinj që meshojnë, rikonstruksione të kishave, programe të zhvillimit agrar, vepra sociale dhe në veçanti mbështetja për studime e të rinjve të zonës. Për të gjitha këto besimtarët e zonës së Mursisë dhe Xarës e urojnë nga zemra.
Këshilli i Komunës së Xarës e kishte shpallur kryepiskopin “Qytetar Nderi” të saj 3 vjet më parë. Me këtë rast, në sheshin e madh të qytezës, Kryetari i Komunës, z. Dh. Kote i uroi mirëseardhjen kryepiskopit dhe lexoi vendimin e sipërpërmendur.
Ne vazhdim pati edhe një çast tjetër shumë emocionues: Sheshit të qytezës iu dha emri i Kryepiskopit Anastas. Aty u zbulua edhe guri me emrin e Fortlumturisë së Tij. Nxënësit dhe nxënëset e Mursisë dhanë një program të pasur artistik.
Në këtë festë të bukur popullore ishin të pranishëm Prefektja e Sarandës znj. E. Gjini si edhe autoritete të tjerë vendorë etj. Gjithashtu kishte miq të ftuar edhe nga vendi ynë fqinj, Greqia.
* * *
Hapet kisha e re e Tepelenës me Shërbesën e Hapjes së Dyerve
Të dielën, 16 gusht, Kryepiskopi Anastas kreu Shërbesën e Hapjes së Dyerve të kishës së re të Apostull Thomait dhe Shën Joan Theologut, në Tepelenë. Në vazhdim, të gjithë besimtarët e pranishëm që kishin mbushur kishën dhe oborrin para saj, morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore ku bashkëmeshuan kryepiskopi dhe mitropoliti i Gjirokastrës. Merrnin pjesë mjaft besimtarë si edhe autoritetet lokale. Kisha, një dhuratë e bukur e kryepiskopit për komunitetin orthodhoks, por edhe për gjithë qytetin e Tepelenës, e ndërtuar me gurë të skalitur, është në harmoni të plotë me gjithë qendrën e qytetit, ku ndodhet, dhe me kështjellën e tij historike. Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, z. S. Mici, që ishte i pranishëm në të gjitha veprimtaritë e ditës, falënderoi për këtë stoli arkitektonike për qytetin. Një besimtar i bëri dhuratë kryepiskopit një maketë, punim artistik, të kishës së re të qytetit. Kryepiskopi edhe një herë tjetër pati rastin të përsërisë se një kishë orthodhokse kudo që të ndodhet duhet të shndërrohet në një vend të lutjeje, paqeje, të kohezionit social, të solidaritetit, të reflektimit të dashurisë vëllazërore, duke shprehur urimin që edhe kjo në Tepelenë të jetë pikërisht një qendër e tillë. Prandaj dhe kryepiskopi e priti pozitivisht kërkesën e një grupi nënash të reja të qytetit që në ambientet ndihmëse të kishës të hapet një qendër e përkujdesjes ditore për fëmijë.
* * *
Të hënën, 17 gusht, në Gjirokastër, në ambientet e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”, kryepiskopi u takua dhe bisedoi me të rinj – anëtarë të Konfederatës Orthodhokse Ballkanike të të Rinjve (BOYA), që ato ditë po vizitonin Shqipërinë.