“Dhurata të fëmijëve për fëmijën” është ndër projektet e zbatuara nga zyra Diakonia Agapes e cila është Zyra Sociale, Zhvilluese dhe e Emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ky projekt ka filluar që në vitin 2007 dhe mbështetet nga Fondacioni Edukans-Holandë. Me anë të kësaj nisme, për fëmijë të ndryshëm në të gjithë vendin shpërndahen dhurata simbolike. E veçanta e shpërndarjes është se çdo dhuratë përgatitet nga një fëmijë holandez dhe i dedikohet një fëmije shqiptar.
    Përgjatë viteve të zbatimit, zyra Diakonia Agapes ka bërë përzgjedhjen e fëmijëve përfitues duke synuar fëmijët të cilët jetojnë në zona të thella malore, fëmijë të varfër, jetimë dhe kryesisht të shtresave sociale në nevojë.
    Për këto shpërndarje, ajo ka pasur bashkëpunimin e drejtorive arsimore në rrethet Librazhd, Gramsh, Elbasan, Kavajë, koordinimin me Kryepiskopatën e Hirshme dhe Mitropolinë e Korçës, për identifikimin dhe kryerjen e shpërndarjes në Tiranë dhe Korçë si dhe bashkëpunim me organizata të ndryshme të cilat ofrojnë shërbime për fëmijë në nevojë.
    Deri në muajin mars 2009, janë shpërndarë rreth 10600 paketa ndihme nga të cilat rreth 9150 për fëmijët e 52 shkollave e kopshteve të qarkut të Elbasanit, 507 në dioqezën e Korçës, 400 pako u shpërndanë për fëmijët të cilët marrin pjesë në aktivitetet e kryera nga Zyra Qendrore e Fëmijëve e Kishës sonë, si dhe rreth 540 pako të tjera për fëmijët e Përkujdesjeve Ditore po të Kishës sonë.
    Stafi që është marrë me zbatimin e projektit në zonë shprehet se edhe pse shpesh duhet një udhëtim i gjatë për të mbërritur në shkollat malore të Librazhdit apo Gramshit, ndjehesh vërtetë shumë mirë kur sheh fytyrat e qeshura të fëmijëve, të cilët i gëzohen dhuratës simbolike, por me aq shumë vlerë për ta! Në zonë na mirëpresin gjithmonë edukatorë, prindër e mësues. Ata, ashtu si edhe fëmijët e dinë se më shumë se sa dhurata për të gjithë ka rëndësi më shumë vlerësimi që iu bëhet duke i vizituar aty, në komunitetet e tyre.
    Nga kjo kupton se nisma të tilla nuk duhet të rreshtin asnjëherë. Nga sytë e tyre kupton se njerëzit kanë së pari nevojë të duan njëri-tjetrin dhe të dinë si ta shprehin këtë dashuri, qoftë edhe me gjeste të vogla përkujdesjeje. E mbi të gjitha nga kjo kupton se edukimi për dashuri e paqe vjen duke edukuar së pari brezin e fëmijëve të cilët janë e ardhmja e njerëzimit.
Zyra Diakonia Agapes