|
Vizita e parë zyrtare e Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, në krye të një delegacioni të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në Kishën motër të Qipros, përbën një eveniment të rëndësishëm. Jo se nuk ka pasur kontakte mes tyre, por pas kësaj vizite zyrtare gjithçka do të intensifikohet në dobi të zhvillimit dhe mbështetjes së Kishës sonë Orthodhokse.
Në përbërje të delegacionit ishin edhe Mitropoliti i Korçës Imzot Joani, Mitropoliti i Gjirokastrës Imzot Dhimitri, Protopresviter Joan Trebicka, Kryedhjakon Asti Bakallbashi dhe z. Orfea Beci.
|
![]() |
![]() |
Vizita pati momente emocionuese që në fillimin e saj, ku në Aeroportin e Larnakas kishin dalë për të pritur Kryepiskopin Anastas, Kryepiskopi i Qipros, Fortlumturia e Tij, Krisostomi II, së bashku me tetë episkopë të tjerë, anëtarë të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Qipros. Shumica e tyre e takonin me respekt të veçantë Kryepiskopin tonë, të cilin e kishin pasur profesor në Fakultetin Teologjik të Athinës. Në emër të Presidentit të Qipros dhe qeverisë, ishte Ministri i Drejtësisë dhe i Rendit Publik.
Në fjalën e mirëseardhjes Kryepiskopi i Qipros përmblodhi dashurinë, respektin dhe në veçanti bekimin që Kisha e Qipros merrte nga kjo vizitë e Kryepiskopit Anastas.
|
|
Theksoi sukseset që ka arritur Kisha e Qipros dhe në veçanti zgjerimin vitet e fundit të Sinodit të Shenjtë me krijimin e Mitropolive të reja, por edhe problemin e madh që mundon ishullin: ndarjen e padrejtë dhe mbajtjen nën pushtim të veriut të tij, gjë që në fakt i ka mohuar Kishës Orthodhokse të drejta elementare.
Shumë kisha dhe manastire në Veri janë rrënuar. Vepra të rëndësishme të artit mesjetar janë shkatërruar totalisht, vjedhur ose trafikuar. Besimtarët nuk mund të vizitojnë kishat dhe manastiret e tyre. Monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore janë lënë në mëshirë të fatit dhe po dëmtohen përditë.
|
![]() |
![]() |
Në veçanti Varri i Apostullit Varnava, nxënës i Apostull Pavlit, përhapës i krishterimit në Qipro dhe mbrojtës i Ishullit është i braktisur dhe i pavizitueshëm. Po kështu edhe Manastiri i Apostull Andreas, Varri dhe Kisha e Shën Epifanit etj.
Kryepiskopi Anastas gjente rastin që t’u rikujtonte orthodhoksëve të Qipros që pikërisht ajo që ndodh në një pjesë të ishulli të tyre, në një mënyrë akoma më totalitare, më të dhunshme, u bë në Shqipëri nga regjimi ateist për 23 vjet me radhë, në të gjitha enoritë dhe madje edhe në familjet orthodhokse.
Dhe nuk është kjo ngjashmëria e vetme: populli besimtar i Qipros, sikundër ndodh në vendin tonë, kishte përvojën prekëse të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare me popullsinë myslimane të minoritetit turk deri para ndarjes.
|
|
Prania e madhe e gazetarëve në aeroport tregonte interesimin e veçantë të mjeteve të informimit dhe opinionit publik në Qipro për personin e Kryepiskopit dhe sukseset që arrin Kisha jonë në rrugën e ringritjes së saj.
Ceremonia e mirëseardhjes u krye në Kishën Katedrale, një monument i vërtetë kulture te krishterë, të Shën Joan Theologut, në Lefkosia. Qindra besimtarë dhe sidomos rinia shkollore kishte mbushur rrugët dhe oborrin e Selisë së Kryepiskopatës për të uruar mirëseardhjen. Pas Dhoksologjisë dy Primatët e Kishave këmbyen fjalimet e rastit. Kryepiskopi Anastas në veçanti kujtoi një lidhje të Ishullit me trevat e Shqipërisë së sotme që nuk e kishin parasysh aty, dhe pikërisht veprimtarinë krijuese të një artisti të madh si Onufër Qiprioti.
|
![]() |
![]() |
Pasditen e së enjtes, Kryepiskopi, së bashku me përfaqësinë e Kishës sonë, vizitoi dhe kreu përshpirtje në Varret e Burgosura (u quajtën kështu se kolonizatorët anglezë, varrosnin aty pa ua dorëzuar familjeve, trupat e të rinjve të ekzekutuar që ishin ngritur për liri), si edhe në Varrezat e Dëshmorëve në Lefkosia.
Të nesërmen, Kryepiskopi u prit dhe pati bisedë vëllazërore me Presidentin e Qipros, z. Dhimitrios Hristofias. Kryepiskopi përveç sukseseve dhe vështirësive që përballon Kisha jonë, foli gjatë takimit edhe për përpjekjet e Shqipërisë dhe klasës së saj politike për avancimin drejt integrimit evropian. Presidenti Hristofias e informoi Kryepiskopin Anastas për ecurinë e bisedimeve mes dy komuniteteve të Ishullit për t’u krijuar mundësia e unifikimit të shtetit qipriot.
|
|
Zoti Hristofias u interesua gjithashtu për mundësi të reja në shtimin e kontakteve dhe bashkëpunimit me vendin tonë. U këmbyen dhe dhuratat e rastit. Urimi i Kryepiskopit Anastas edhe para mediave ishte për më shumë maturi, durim dhe fuqi për një të ardhme më të begatë për Qipron dhe popullin e saj.
Liturgjia Arkieratike Madhështore ishte Liturgjia Hyjnore e përbashkët e dy Primatëve, Kryepiskopit Anastas dhe Kryepiskopit Krisostomos II, si dhe episkopëve të dy Kishave motra. Ajo u krye të dielën, 5 tetor, në Kishën madhështore Fjetja e Perëndilindëses, në Lefkosia, enoria më e madhe e kryeqytetit.
Kisha Orthodhokse e Qipros të dielën e parë të tetorit kremton kujtimin e gjithë shenjtorëve që jetuan, u flijuan ose ndërruan jetë në Ishullin e Qipros.
|
|
Në mbarim të Liturgjisë u lexuan fjalimet e dy krerëve të Kishave. Kryepiskopi i Qipros komunikoi vendimin unanim të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse të Qipros dhe i akordoi Kryepiskopit Anastas Dekoratën e Artë të Apostullit Varnava, nderimin më të lartë që jep kjo Kishë. Nga ana e tij, Kryepiskopi Anastas i dorëzoi Kryepiskopit të Qipros një fragment nga lipsani i nderuar i Shën Kozmait të Etolisë, me urimin që të përbëjë për të gjithë shembull në hierapostoli dhe në zellin e përkushtimit.
Kryepiskopi Anastas kreu në vazhdim përshpirtje për Kryepsikopin Qipriano dhe klerikët e tjerë të lartë që u martirizuan nga pushtuesi turk më 8 korrik 1821, si hakmarrje për revolucionin, për çlirimin. Në përmendoren që nderon këtë ngjarje, në oborrin e Kishës, u vendos një kurorë në emër të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.
Liturgjia Hyjnore Arkieratike u transmetua drejtpërsëdrejti nga stacioni kombëtar publik RIK (edhe në programin satelitor), nga stacioni i asociuar me Kishën MEGA si edhe Radio e Kishës “LOGOS”.
Në selinë madhështore të Kryepiskopatës së Qipros u shtrua dreka zyrtare nga Kryepiskopi Krisostomos II, ku morën pjesë episkopë dhe klerikë të dy kishave, si dhe përfaqësues të qeverisë, diplomatë, përfaqësues të forcave politike etj.
Gjatë qëndrimit në Qipro, Kryepiskopi Anastas vizitoi mitropolitë e Lemesos, Pafos, Konstandisë dhe Amohostos (me seli të përkohshme në Paralimni), Larnakas, si edhe manastiret e Qikut (një nga manastiret më të rëndësishme Orthodhokse në mbarë botën), Maheras, Shën Neofitit, Shën Heraklitit etj.
Vizita në të gjithë Qipron
Ishte prekëse kudo atmosfera që krijohej nga qindra besimtarë që grumbulloheshin të merrnin bekimin e Kryepiskopit Anastas, nga pjesëmarrja e të rinjve të shkollave (ndonëse ishin ditë pune), nga kujtimet që sillnin ish-studentë të Kryepiskopit në Universitetin e Athinës, nga fjalët e ngrohta që i drejtoheshin nga autoritetet e pushtetit lokal. Interesimi për të mësuar për ecurinë e Kishës sonë ishte shumë i madh, por edhe gjestet e dashurisë gjithashtu. Shumë qipriotë anonimisht dhe kishat e tyre kanë kontribuar gjatë gjithë këtyre viteve për përparimin e Kishës sonë. Gjithashtu Kryepiskopi i Qipros siç deklaroi edhe para mediave dhe në përcjellje, se Kisha e Qipros do të jetë një nga mbështetësit kryesorë në përballimin e nevojës për rrogat e klerit Orthodhoks në Shqipëri.
Manastiri i Qikut i akordoi Kryepiskopit Anastas Medaljen e Artë të “Tërëshenjtës Mari” të Qikut.
Kryepiskopi kreu gjithashtu përshpirtje në varrin e Kryepiskopit Makarios i Tretë, i cili në veçanti kontribuoi në stabilizimin e një shteti të pavarur qipriot dhe zhvilloi veprimtari të jashtëzakonshme në baritimin dhe administrimin e Kishës së Qipros.
Kryepiskopi Anastas, veç të tjerash, mori pjesë edhe në punimet e Presidencës së Konferencës së Kishave Evropiane, në cilësinë e Zëvendëskryetarit të saj, që ishte duke zhvilluar punimet në qytetin Paralimni të Qipros.
Një surprizë të këndshme kishte për Kryepiskopin Anastas, në cilësinë e mësuesit akademik. Universiteti i Qipros, Rektorati, i komunikoi Kryepiskopit vendimin unanim të senatit të institucionit për ta shpallur “Doktor Nderi” në Fakultetin Filozofik të tij. Pavarësisht këmbënguljes së Rektorit të Universitetit ishte e pamundur që ceremonia e dekorimit të kryhej gjatë ditëve të qëndrimit dhe u la për një periudhë tjetër.
Ishin të shumta personalitetet e jetës publike që vizituan Kryepiskopin për të diskutuar me të çështje të Kishës Orthodhokse, probleme sociale bashkëkohore, dimensionin e ri të hierapostolisë etj., çështje në të cilat Kryepiskopi Anastas është një dijetar i spikatur dhe njeri shpirtëror me maturi të rrallë.
Mjaft i veçantë ishte fakti se kudo Kryepiskopin e takuan dhe bashkëbiseduan edhe qytetarë shqiptarë me banim të përkohshëm për punë në Qipro. Po kështu, edhe shumë studentë shqiptarë në universitetet e Qipros, të cilët vinin posaçërisht dhe me nderim të veçantë për ta takuar dhe marrë bekimin e tij.
Për të gjitha këto Kryepiskopi Anastas foli edhe në një emision televiziv ekskluziv në fashën kohore më të ndjekur të stacionit publik RIK.
Kryepiskopi Anastas u përcoll me të gjitha nderimet në aeroportin ndërkombëtar të Larnakas dhe me urimin për t’u rikthyer në Ishull shumë shpejt. Ftesa e Kryepiskopit Anastas për Kryepiskopin e Qipros, Fortlumturinë e Tij z. Krisostomos II, për të kryer vizitën zyrtare në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mbetet e hapur.
Korresp. i “NGJALLJA”





